Edhe myslimanet duhet të notojnë

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut i jep të drejtë Zvicrës: nxënëset myslimane nuk mund të bojkotojnë orën e notit për arsye fetare.

Foto: Shutterstock



Një familje me shtetësi zvicerane dhe turke dhe me banim në qytetin e Baselit ka vite që sfidon autoritetet zvicerane. Dy vajza të kësaj familjeje refuzojnë të marrin pjesë në orën e notit në shkollë, një lëndë kjo e obligueshme. Vajzat kanë luftuar nëpër të gjitha instancat juridike të Zvicrës për të fituar të drejtën e bojkotimit të orës së notit nëse në të marrin pjesë të dy gjinitë – meshkuj dhe femra.

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut të martën ka theksuar në një vendim të rëndësishëm se Zvicra nuk e ka shkelur lirinë fetare kur ka vendosur ta shpall të obligueshëm mësimin e notit për dy vajzat myslimane nga Baseli. Vajzat 7 dhe 9 vjeçare në vitin 2008 ndiqnin shkollën fillore në Basel, por nuk pranonin të shkonin në orën e notit. Bisedat e personelit arsimor me prindërit nuk sollën sukses. Drejtoria e Arsimit i dënoi prindërit në korrik të vitit 2010 me një gjobë prej 700 frangash. Në vijim drejtësia zvicerane hodhi poshtë të gjitha ankesat e familjes – në fund prindërit iu drejtuan Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strassburg.

Në vendimin e Gjykatës së Srassburgut theksohet se mbështeten konstatimet e Gjykatës Federale të Zvicrës, e cila në verdiktin e saj kishte theksuar rëndësinë e madhe që ka integrimi sidomos i fëmijëve të huaj në shoqërinë zvicerane. Gjykatësit zviceranë më 2008 kishin nënvizuar se realiteti multikulturor në shkollla kërkon që fëmijët e të gjitha kulturave të integrohen brenda kornizës shoqërore të Zvicrës.

Vendimi i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut ka efekt juridik edhe për komunitetin shqiptar në Zvicër. Besimtarë konservatorë insistojnë po ashtu që vajzat të mos ndjekin mësimin e notit, nëse ora zhvillohet me gjini të përziera. Një ndër imamët që kërkon mbajtjen e orës së notit duke ndarë gjinitë është edhe Nehat Ismaili nga «Unioni i imamëve shqiptarë në Zvicër». Në një intervistë me gazetën «Tages Anzeiger» ai – në pyetjen se përse kërkon mësimin e notit me gjini të ndara – kishte thënë: «Jo të gjithë shqiptarët janë fetarë, por as të gjithë myslimanë. Por ata që e kërkojnë këtë për arsye besimi, duhet të merren seriozisht me kërkesat e tyre». (-lli)