Loja e Beogradit: edhe me Perëndimin, edhe me Rusinë

Meqë mosinkuadrimi më nuk është opsion, veprimet e kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, edhe me Perëndimin, edhe me Rusinë, janë goxha intriguese, megjithëse edhe për një kohë do të mbetet i paqartë rezultati eventual. Dhe kjo me siguri se do t’i mbajë analistët edhe për një kohë me sytë katër kah Ballkani.

Zëvendëspresidenti amerikan Joe BIden gjatë konferencës për media me kryeministrin serb Alaksandar Vuçiq më 16 gusht në Beograd. Foto: Shutterstock

Vera, zakonisht, është kohë kur pothuajse pushojnë aktivitetet politike, por ndryshe ka qenë sivjet në Ballkan, sidomos në Serbi. Me Qeverinë që u betua, ekonominë ende me telashe, marrëdhëniet e tensionuara me fqinjët dhe vizitën e zëvendëspresidentit amerikan, Joseph Biden, Serbia këtë verë ishte gacë e nxehtë në gjeopolitikën e Ballkanit.

Qeveria e re serbe: Reformat përballë kundërthënieve

Kryeministrit të rikonfirmuar, Aleksandar Vuçiq, iu deshën tre muaj të riformonte qeverinë e re. Kabineti i ri i zotit Vuçiq fitoi mandatin e ri mbi platformën e premtuar për reforma dhe përfundim të bisedimeve për anëtarësimin e Serbisë në BE deri më 2019, njëherësh duke ruajtur marrëdhëniet e mira me Rusinë.

Zoti Vuçiq ka të kaluar ultranacionaliste. Ai së fundi ka nisur të krijojë gjithnjë e më shumë imazhin e politikanit të qendrës pasi partia e tij po e mban pushtetin që nga viti 2014. Zgjedhjet e reja sivjet vetëm e rikonfirmuan popullaritetin e zotit Vuçiq, dhe ishin mundësi për zgjerimin e koalicionit që të ndahej përgjegjësia e reformave të premtuara.

Megjithëse kishte shenja se zoti Vuçiq kishte në konsideratë partnerë koalicionit jashtë SPS-së, partisë së themeluar në fillim të viteve nëntëdhjetë prej Slobodan Milosheviqit, ndryshimet përfundimtare në kabinetin e zotit Vuçiq ishin të kufizuara. Madje disa analistë lokalë kanë nisur të vënë në dyshim se cila ishte dobia e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, duke pasur parasysh se ishin larg prej pritjeve ndryshimet qeveritare?

Politika e premtuar për reforma e kryeministrit Vuçiq duket se është me sa vijon: të krijojë statusin e tij personal si lider i madh që mund të zgjidhë telashet ekonomike të Serbisë, ta afrojë vendin në prag të anëtarësimit në BE, të zgjedhë njëherë e përgjithnjë statusin e Kosovës, të rregullojë marrëdhëniet me shtetet fqinje, sidomos me Kroacinë e Bosnjë-Hercegovinën, dhe njëherësh të ruajë raportet e mira me Rusinë, pavarësisht prej marrëdhënieve të fuqishme me Kinën dhe shtetet arabe.

Revista e qendrës e Serbisë, «Vreme», e ka karakterizuar sundimin e Vuçiqit si politikë «të mbajtjes së vendit në fushatë të përhershme zgjedhore».

Zoti Vuçiq dëshiron ta vërë veten në pah si prijës dhe negociator kryesor në negociata me BE-në. Si pjesë të këtij plani, mori hapa pozitivë me përmirësimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje, ta zëmë duke nënshkruar në qershor deklaratën e mirëkuptimit me presidenten kroate Grabar-Kitaroviq, dhe duke u pajtuar për mbajtjen e një mbledhjeje të përbashkët trepalëshe të Serbisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Njëherësh ka treguar shenja të dukshme të bashkëpunimit me Perëndimin.

Emërimet qeveritare të zotit Vuçiq reflektojnë agjendën e tij për marrëdhënie të përmirësuara ndërkombëtare. Ai riktheu ministrin e financave, Dushan Vujoviq, ish-ekonomist i Bankës Botërore, konfirmimi i të cilit shihet si shenjë e vazhdimit të politikave ekonomike të nisura që nga viti 2014 kur zoti Vuçiq erdhi në pushtet. Ky është lajm i mirëpritur duke pasur parasysh se ekonomia serbe ka telashe dhe ka ngecur krahasuar me disa vende të rajonit. Politikat centriste duket se do të japin disa rezultate në ekonomi.

Zoti Vuçiq zëvendësoi zonjën Kori Udoviçki, ministren e mëparshme të administratës publike, post i rëndësishëm në një shtet që i duhet reduktim i madh i kostove të administratës publike. Zonja Udoviçki ka diplomuar në Yale dhe ka qenë ndihmëse e sekretarit të OKB-së. Zoti Vuçiq i dha portofolin e zonjës Udoviçki zonjës Ana Bërnabiq, e diplomuar në Universitetin e Hullit, në Angli, që ishte zyrtare e lartë e USAID-it në Serbi, dhe që është ministrja e parë që thotë hapur në Ballkan se është lesbike.

Me qëllim që të ketë marrëdhënie më të fuqishme me Rusinë, zoti Vuçiq po bazon koalicionin me partnerin kryesor qeveritar, SPS, dhe me liderin Ivica Daçiq. Bashkë me presidentin aktual serb, Tomislav Nikoliq, anëtar i rëndësishëm i partisë në pushtet të Vuçiqit, SNS, zoti Daçiq shihet prej shumicës si «njeri i Rusisë» brenda qeverisë serbe.

Rusia nga ana e saj e ka bërë të qartë se është fort e interesuar në zhvillimet në politikën serbe dhe gjithashtu se llogarit në «aleatët» e saj brenda qeverisë serbe për avancimin e qëllimeve të veta në rajon.

Kundërthëniet për monumentet e shtatoret

Dualizmi i trashëguar brenda agjendës reformiste të kryeministrit Vuçiq, ku dëshiron marrëdhënie të mira me Perëndimin e Rusinë njëherësh, pritet të mos kalojë pa kundërthënie. Lideri i SPS-së, njëherësh ministër i Jashtëm, Daçiq, dhe ministri i Punës, Aleksandar Vulin, njihen si politikanë «të dalë mode», antiperëndimorë, që së fundi kanë propozuar ndërtimin e një shtatoreje të ish-presidentit jugosllav, Slobodan Milosheviq si pjesë e një monumenti të ri kombëtar në Beograd. Presidenti Slobodan Milosheviq, sipas pretendimit kundërthënës të ministrit Daçiq, ishte «shfajësuar» prej Tribunalit për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi.

Derisa presidenti Nikoliq ka mbajtur qëndrim të dykuptimshëm në vlerësimin e tij në përkrahje të monumentit të Milosheviqit, duke theksuar se është «ndërmjet dy zjarreve për dhe kundër» një monumenti të tillë, kryeministri Vuçiq është treguar më i matur dhe i ka bërë hesapet politike, megjithëse ka lejuar Vulinin e Daçiqin të flasin publikisht për propozimin e tyre kundërthënës për monumentin. Kryeministri Vuçiq nga ana e tij ka theksuar se «nuk dëshiron të ngelet në vitet nëntëdhjetë» dhe se është «i zemëruar prej glorifikimit të politikës së Milosheviqit dhe të asaj çfarë kishte bërë ai». Mediat raportojnë se Vuçiq mendon se «nuk është koha e as vendi i duhur» që të merret me monumentin e Milosheviqit.

Deklaratat e Vuçiqit janë të dobishme për qetësimin e ndjenjave nacionaliste në Ballkan, sidomos si kundërpërgjigje ndaj lëvizjeve të fundit radikale në Kroacinë fqinje, ku kishte çështje të ngjashme pas ndërtimit të një monumenti që lartëson Miro Bareshiqin, burrit që dijet se kreu vrasjen e bujshme të ambasadorit jugosllav në Suedi më 1971.

Vizita e Joe Bidenit: Serbia ekspozon përkrahjen amerikane

Kundërthënia për monumentin e Millosheviqit mbeti për pak në hije pas çështjeve që lidheshin me vizitën e zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, në Beograd. Megjithëse ishte menduar në fillim se do të ishte ministri i Jashtëm, Daçiq, që do ta priste në aeroport, në momentet e fundit u mor vesh se vetë Vuçiq do t’ia zgjaste i pari dorën.

Zoti Vuçiq është detyruar të anulojë vizitën e tij në Washington në qershor për arsye pasqaruara. Ai ka punuar fort për përmirësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë vizitës së zëvendëspresidentit Biden.

Pas takimit, zoti Biden deklaroi publikisht se «Shtetet e Bashkuara dhe Serbia nuk pajtohen për të gjitha çështjet», dhe zëvendëspresidenti shprehi ngushëllimet e tij «familjeve të atyre që humbën jetën në luftërat e viteve nëntëdhjetë, përfshirë edhe të atyre si rezultat i sulmeve ajrore të NATO-s». Bombardimeve që u referohej Biden, zgjatën prej 24 marsit deri më 10 qershor 1999, nën emrin e koduar «Operacioni i forcës aleate». Operacioni i NATO-s vazhdoi deri me tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe derisa mbërriti misioni paqeruajtës i OKB-së atje. Misioni i NATO-s u ndërmor për mbrojtjen e popullsisë shqiptare që u persekutuan prej serbëve ultranacionalistë, policisë serbe dhe forcave paramilitare serbe. Bombardimet e NATO-s nuk ishin autorizuar prej OKB-së për shkak të frikës së përdorimit të vetos ruse e kineze. NATO-ja ndërmori sulme ajrore, ku mbetën të vrarë më shumë se 600 serbë në Serbinë e sotme në operacionin që ishte përshkruar si ndërhyrje humanitare prej NATO-s atëherë.

Gjatë bisedimeve ndërmjet Vuçiqit e Bidenit, kryeministrit serb i duhej ndihma ekonomike amerikane, si dhe premtimi se Bideni do t’i bëjë presion Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të ngecura e që dolën prej negociatave të Brukselit.

Zëvendëspresidenti amerikan mbajti fjalën gjatë vizitës në Kosovë si pjesë e turneut të tij, kur i bëri thirrje Kosovës të gjejë gjuhë të përbashkët dhe të punojë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me qëllim të përparimit drejt Bashkimit Europian. Prej këndvështrimit të interesave amerikane, zoti Biden shkoi vizitoi Ballkanin për të nisur gjithëpërfshirjen dhe paqen në mes të armiqve të dikurshëm, sidomos ndërmjet Serbisë, Kosovës e Shqipërisë.

Kryeministri serb bëri pak lëshime nga ana e tij gjatë bisedimeve me Bidenin. Serbia u pajtua që të ketë rol aktiv në bisedimet trepalëshe ndërmjet Serbisë, Shqipërisë e Kosovës. Zoti Vuçiq gjithashtu premtoi se do t’i bëjë presion presidentit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, për të hequr dorë prej referendumit që pritet të mbahet në entitetin serb të Bosnjës, Republika Srpska në «ditën e Republika Srpskas». Referendumi po kundërshtohet fort dhe ka paralajmërime prej zyrtarëve boshnjakë e perëndimorë. Gjykata Kushtetuese boshnjake e ka shpallur këtë ditë si jokushtetuese dhe referendumi mund të shërbejë si pararendës i ndarjes së entitetit nga Bosnja në të ardhmen.

Gjatë bisedimeve ndërmjet Bidenit e Vuçiqit, kryeministri serb ka pranuar gjithashtu të pranojë të burgosur të Gjirit të Guantanamos bashkë me dy të tjerë që tashmë ishin dërguar në Serbi.

Qasja e ndërmjetme e Vuçiqit

Serbia pritet të vazhdojë përpjekjet e saj për baraspeshimin sa më shumë që mundet ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë, të përmirësojë marrëdhëniet me fqinjët dhe armiqtë e dikurshëm. Në fund të vitit pritet ta vizitojë Serbinë kryeministri rus, Dmitri Medvedev.

Pasi pranoi 19 makina të avancuara multifunksionale të njohura si «Humvees» nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pjesëmarrje në operacione paqeruajtëse të OKB-së, Serbia bëri të ditur se do të ketë një seri manovrash ushtarake me Rusinë në të ardhmen e afërt.

Meqë mosinkuadrimi më nuk është opsion, veprimet e kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, edhe me Perëndimin, edhe me Rusinë, janë goxha intriguese, megjithëse edhe për një kohë do të mbetet i paqartë rezultati eventual. Dhe kjo me siguri se do t’i mbajë analistët edhe për një kohë me sytë katër kah Ballkani.

(Botuar nga «Geostrategists.com»)