Edhe 90 minuta…

Shqipëria kundër Rumanisë ose një festë shqiptare edhe nëse ndodh ajo që (s’)pritet. Dhe disa fjalë për Shaqirin xheloz. Një ditar nga Franca.

Foto: Shutterstock

Shënimi i parë. A fillohet dita pa Xherdan Shaqirin? Jo. Sepse ai kur s’jep gola, kur s’luan ashtu siç pritet prej tij, kur më shumë ankohet se sa vrapon në fushë, atëherë Shaqiri bëhet temë e mediumeve. Kur nuk bëhet temë, ai kujdeset që me deklaratat e tij të zë vend në gazeta, sidomos në ato që më të mëdhenj i kanë titujt se sa përmbajtjen e artikullit. Sidoqoftë, edhe këtë të shtune një gazetë bulevardeske e Zürichut shtron pyetjen nëse Shaqiri duhet të luajë apo jo? Mendimet janë të ndara. Disa ekspertë thonë se ai duhet të luajë kundër Francës, të tjerët jo s’duhet të luajë, sepse me sjelljet e tij s’po i bën mirë ekipit të Zvicrës.

Shënimi i dytë. Shaqiri prej kartoni është gjithkund në Zvicër. Para dyqaneve duke bërë reklamë për një pije që është sinonim i kapitalizmit, para një restoranti tajlandez, në gazeta po se po, në mediumet elektronike gjithsesi. Dhe prapë ai s’po arrin të futet në zemrat e fansave të Zvicrës. Arsyeja? «Kërcënimet» e tij se do të mendojë të luajë për Kosovën nëse i ofrohet pozita e kapitenit të Kombëtares së Kosovës, nuk janë pritur mirë nga opinioni. Edhe pse shanset për këtë janë të pamundshme, ngase FIFA nuk i ka ndryshuar rregullat që do të lejonin Shaqirin të ndërronte reprezentacionin, Shaqiri vazhdon të merret me këtë temë, sepse është i zemëruar që trajneri Vladimir Petkoviq nuk e ka bërë kapiten. Krahas Lichtsteiner në treshen e kapitenëve janë edhe dy shqiptarë: Behrami dhe Xhaka. Shaqiri e sheh veten në këtë ekip të ekipit; statistikat flasin për të, ka luajtur më shpesh se Xhaka për Kombëtaren e Zvicrës, ka dhënë më shumë gola, por prapë Shaqiri ka një problem: i mungon elokuenca, vokabulari, përvoja për të qenë figurë që bashkon ekipin. Reporterët zviceranë të sportit shohin edhe një problem: Shaqiri, thonë ata, është xheloz ndaj Xhakës. Kuptohet një gjë të tillë Shaqiri do ta demantonte menjëherë, por karriera e tij e viteve të fundit është e kundërta e Xhakës: Shaqiri nga maja e futbollit botëror (Bayern München) bie në nivel rajonal (Stoke). Te Xhaka është e kundërta: nga Zvicra nëpër Gjermani te Arsenali, për 45 milionë euro. Një shumë të tillë Shaqiri tani për tani vetëm mund ta marrë me mend; me gjasë ishte keq i këshilluar.

Shënimi i tretë. Shqipëria ka humbur dy herë në Kampionatin Europian të Futbollit. Disfata kundër Zvicrës ishte aksidentale; kuqezinjtë e meritonin së paku një barazim. Loja kundër Francës ishte heroike sa i përket mbrojtjes, por munguan idetë për të rrezikuar portën franceze. Arsyeja thotë se ndeshja kundër Rumanisë do të jetë baleti i fundit për shqiptarët në këtë kampionat. Por këtë është mirë të mos e thuash me zë të lartë, sidomos kur të shtunën herët fluturon për në Lyon dhe në avion janë edhe disa fansa të zjarrtë të Kombëtares. Janë esëll, por brohorasin «Shqipëri, Shqipëri», janë të bindur ose së paku thonë se janë të bindur se kësaj radhe reprezentacioni i Shqipërisë do të fitojë. Mes vete herë flasin shqip, herë gjermanisht me slleng ballkanik – ose «Jugo-Deutsch», gjermanishte jugosllave, siç e quajnë zviceranët. Shpesh të rinjtë e flasin këtë slleng për t’u veçuar nga vendasit, madje në mesin e të rinjve zviceranë «Jugo-Deutsch» gëzon njëfarë statusi të kultit, është gjuha e rebelëve të shtresave pa privilegje që me ambicie të mëdha synojnë të ngjiten shkallëve sociale, të bëjnë karrierë, të kenë vende pune të sigurta, të jenë të pranuar dhe të integruar në shoqërinë zvicerane. Në këtë slleng zgjedhimi i foljeve dhe lakimi i emrit, mbiemrit, përemrit, numërorit, nyjës janë në konflikt të përhershëm. Një kacafytje, një betejë gramatikore.

Shënimi i katërt. Në aeroportin e Lyonit masat e sigurisë janë të rrepta. Duket se Franca ka mobilizuar të gjitha njësitë policore, ushtarake dhe shërbimet sekrete për të shmangur një sulm terrorist. Por siguri absolute nuk ka, andaj bashkë me pasagjerët udhëton edhe frika. Është ndjenjë e mirë kur sheh policë ushtarakë të armatosur rëndë, por sapo ata largohen ngushëllim mund të gjesh te shkrimtari Antoine de Saint-Exupéry, emrin e të cilit e bart edhe Aeroporti i Lyonit. Ai ka një shënim mbresëlënës për artin e hapave të vegjël, të cilin po e sjellim në vijim: «Nuk lutem për mrekulli dhe vizione, Zot, por për të pasur forcë në jetën e përditshme. Mësoma artin e hapave të vegjël. Ndihmomë të jem i sigurt për ta ndarë mirë kohën. Dhuroma kujdesin për të zbuluar se çka është punë e rëndësishme dhe më pak e rëndësishme. Falma dijen e kthjellët për të kuptuar se vështirësitë, humbjet, mossukseset, dështimet janë shtesë e vetëkuptueshme e jetës, përmes të cilës ne rritemi dhe piqemi. Kujtoma që zemra shpesh bën grevë kundër mendjes. Dërgoma në çastin e duhur dikë që ka guxim ta thotë të vërtetën në dashuri. Ti e di se kemi nevojë për miqësi. Mundësoma të jem e gatshme të pranojë këtë dhuratë, e cila është më e bukura, më e vështira, më e rrezikshmja dhe më e ndjeshmja e jetës. Më jep fantazinë e duhur që në çastin e duhur të dorëzoj në vendin e duhur një kuti me mirësi – me apo pa fjalë. Më ruaj nga frika, përndryshe jeta do të më rrëshqiste prej dorës. Mos më jep çka dua, por çka më duhet. Mësoma artin e hapave të vegjël».

Shënimi i pestë. Me hapa të vegjël, me fat dhe me këmbëngulje Kombëtarja shqiptare u kualifikua në Kampionatin Europian të Futbollit. Ndoshta i kanë mbetur edhe 90 minuta për të luajtur. Për çdo minutë tjetër, për çdo ndeshje tjetër shqiptarët do të jenë mirënjohës. Por edhe nëse udhëtimi kësaj radhe përfundon në Lyon, ky s’është fundi i botës. Kjo gjeneratë futbollistësh ka hyrë në histori dhe do të kujtohet si e para që e çoi Shqipërinë në një Kampionat Europian. Kjo s’është pak. Në 100 vitet e fundit, prej se nga trevat shqiptare është larguar Perandoria Osmane, shqiptarët kanë qenë herë viktima të tragjedive politike, herë monedhë për kusur mes Fuqive të Mëdha. Më 1999 shqiptarët kosovarë u bënë temë botërore si viktima të politikës agresive të Beogradit, më 2008, pas shumë dhembjeve, lindi shteti i Kosovës, i cili s’do ishte bërë pa ndërhyrjen dhe ndihmën e shteteve perëndimore. Në vitet e tjera jo rrallë shenjë dalluese e shqiptarëve në Ballkan ishin politikanët e lidhur me krimin, avionët italianë që vinin për t’u ngarkuar me drogë në bregdetin shqiptar, kryetarë komunash që më parë në Perëndim janë dënuar për vjedhje në dyqane, për tregti me drogë ose për përdhunim. Në Kampionatin Europian Shqipëria u prezantua ndryshe, pozitivisht, dhe shqiptarët panë veten në pasqyrë. Dhe çfarë panë atyre u pëlqeu: ishte vetja e tyre e dëshiruar. Bërtitën dhe duartrokitën shesheve e stadiumeve të Francës, brohoritën dhe u gëzuan, me lehtësi dhe vetëbesim treguan shqiptarësinë e tyre, duke iu shmangur agresivitetit. Andaj, pa marrë parasysh si do të jetë epilogu i ndeshjes kundër rumunëve, shqiptarët duhet ta marrin me vete këtë entuziazëm që u zhvillua e shpërtheu ditëve të fundit – me shpresën se ky entuziazëm do të shfrytëzohet në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë shqiptare dhe kudo ku jetojnë shqiptarë për të ndërtuar shtete funksionale, me të cilat mund të krenohen kur të dalin faqe botës. Kësaj radhe krenarinë e ngjalli Kombëtarja. Për këtë dhe shumë mrekulli të tjera: faleminderit!