«E vërteta mund të ketë efekt vetëm kur marrësi është i pjekur për të»

Një përgjigje Halil Matoshit pas shkrimit të tij, në të cilin ai pak polemizon me mua dhe më shumë me krejt dynjanë.

Ilustrimi: Shutterstock

I.

Halil,

le të më lejohet pak ironi që në fillim: në reagimin tënd kundër shkrimit tim shumë dashamirës lidhur me muhabetet dhe debatet e tua për kombin kosovar sidomos pas një artikulli sipërfaqësor të shkrimtarit Ben Blushi, unë për të njëmijtën herë lexova argumentet e njëjta, citatet e njëjta, autorët e njëjtë, të cilëve u referohesh, interpretimet e njëjta, këmbënguljen e njëjtë se vetëm profetët e tu kanë të drejtë kur flasin, shkruajnë e mendojnë për kombin. Ne të tjerët, vdekatarët e rëndomtë, ose kemi lexuar pak, ose kemi kuptuar pak, në rastin më të keq dhe me gjasë të preferuar prej teje: ne, që jemi pak skeptikë ndaj stuhisë tënde për kombin kosovar, përfshirë edhe vogëlsinë time, nuk marrim vesh gjë nga teoritë e ndërlikuara të kombit. Për fat të mirë, si duket, ekziston një instancë për këtë punë: Halil Matoshi. Ne të tjerët duhet të lexojmë, të heshtim dhe, po u kërkua nga ne, edhe t’i recitojmë definicionet e tua për kombin, etninë, shtetformimin dhe «ngjizjen e kombit», togfjalësh i pëlqyer prej teje. Ngadalë, o burrë, na lër të flasim pak edhe ne se rrezik do të na zërë gjumi.

II.
Siç e kam theksuar edhe në tekstin paraprak: unë nuk e kontestoj mundësinë e krijimit të një kombi kosovar. Por, nuk më duket punë produktive që ne si gazetarë, publicistë, sociologë apo filozofë t’i godasim njerëzit pandërprerë me çekan në kokë, duke u thënë se ju tani jeni pjesëtarë të kombit të ri kosovar. Goditjet e shumta njerëzve mund t’u shkaktojnë kokëdhembje. Mund të lodhen nga ne, nëse shndërrohemi në kalorës të një teme të vetme.
Krijimi i një kombi nuk është eksperiment laboratorik, as rrjedhojë e teksteve gazetareske apo muhabeteve në fejsbuk. Krijimi i një kombi është rezultat i shumë proceseve që lidhen me shtetin, historinë, kulturën, rrethanat gjeostrategjike, vendin që zë një shtet në bashkësinë e shteteve, raportet ekonomike, vetëdijen kombëtare dhe ndjesinë e përbashkësisë të njerëzve që duan të krijojnë komb. Ky proces është shumë i ndërlikuar në rastin e Kosovës, ku shqiptarët betejën për të drejtat e tyre historikisht e kanë zhvilluar si shqiptarë dhe jo si kosovarë, as si «šiptari», siç përpiqej t’i përshkruante propaganda serbomadhe për t’i veçuar nga shqiptarët e Shqipërisë. «Edhe sa i përket nocioneve autoritetet jugosllave u përpoqën të bëjnë dallim mes <šiptari> (në Kosovë kjo interpretohej nga fjala <shqiptar>, por në serbisht ka një konotacion nënçmues) dhe <Albanci> (në Shqipëri). Por ky koncept u hodh poshtë me ashpërsi nga shumica e elitës shqiptare të Kosovës dhe <šiptar> gjithnjë e më shumë u kuptua si shprehje fyese dhe nënçmuese», shkruan historiani Oliver Jens Schmitti.

III.
Përkundër zellit tënd mbresëlënës për t’i lakuar faktet në shërbim të ideve tua, unë kam kritikuar inxhinierët etnikë apo kombëtarë në rastin e ithtarëve të kombit kosovar. Si është e mundur që ti interpreton sikur unë paskam trajtuar etninë si ekuivalent të kombit! Ndoshta ke filluar të interpretosh edhe kuptimet e fjalëve ashtu si dëshiron ti e jo ashtu si kuptohen nga shqiptarët. Unë them copë «etnik (apo kombëtar)».
Në reagimin tënd ti u veçove si ithtar i inxhinieringut kombëtar. Unë s’kam ambicie për punë të tilla, as nuk besoj, as nuk kam kompetencë, as nuk e mandatoj veten të urdhëroj se si duhet të ndihet një qytetar i Kosovës. Me rëndësi është që qytetarët e Kosovës të jenë lojalë ndaj shtetit – se a ndihen shqiptarë, kosovarë, homoseksualë, besimtarë të krishterë apo myslimanë, adhurues të qofteve apo të pastave, kjo është çështje që nuk na takon të përzihemi.
Ja një shembull për këtë punë: kur në vitin 1879 në Plzeň të Çekisë së sotme «gjermani» Alois Formaneku u zgjodh në Këshillin «gjerman» të Shkollës, disa banorë gjermanishtfolës protestuan, duke thënë se zoti Formaneku nuk i përket nacionalitetit «gjerman», por atij «çek». Përleshja juridike për këtë punë mbërriti deri në Vjenë, ku Gjykata e Lartë Administrative e Perandorisë austrohungareze i ra shkurt muhabetit: hajde, thanë gjykatësit, ta pyesim vetë zotin Formaneku se a e konsideron ai veten pjesëtar të nacionalitetit «gjerman» apo «çek».
Kur të pyeten shqiptarët e Kosovës në referendum se a ndihen tani si pjesëtarë të kombit kosovar, atëherë – varësisht nga rezultati – kemi edhe një bazë për të diskutuar. Mendoj se shqiptarët e Kosovës do të sillen me pragmatizëm: do të deklarohen se janë pjesëtarë të kombit shqiptar, por shtetas të Republikës së Kosovës. A ka gjë të keqe këtu? Ti thua nuk ka një komb me dy shtete. Por, çdo rregull ka përjashtime. Dy Koretë përbëjnë një komb. Dy Gjermanitë kanë përbërë për gati 50 vjet një komb. Nomenklatura komuniste gjermanolindore e kishte propaganduar idenë e kombit socialist, por kjo nuk gjeti mbështetje. Demonstratat në Gjermaninë lindore nisën me parullën «Wir sind das Volk» (Ne jemi populli) dhe kulmuan me thirrjet «Wir sind ein Volk» (Jemi një popull). E di që tash ti menjëherë do përmendësh atë argumentin që e përmend përherë: kombi shqiptar nuk ka qenë kurrë i bashkuar siç kanë qenë gjermanët, andaj nuk mund të krahasohet me kombin gjerman. Por, nuk mund të mohohet se vullneti për bashkim ka ekzistuar në faza të caktuara historike edhe ndër shqiptarë: nga Konferenca e Bujanit deri te Ibrahim Rugova, i cili në fillim të karrierës së tij politike e konsideron bashkimin si opsion, por duke parë gjendjen reale politike në Shqipëri dhe në Kosovë si dhe rrethanat gjeostrategjike pavarësia e Kosovës shfaqet si alternativa më e reale për të hequr qafe zgjedhën serbe. Pastaj, siç do të duhej të jetë e ditur edhe për ty, kombi kurd trajtohet si «kombi më i madh i pashtet». E sheh si po digjen argumentet e tua, Halil? Rrethanat e krijimit të shtetit të Kosovës nuk kanë ecur sipas doracakut të së drejtës ndërkombëtare. As sipas doracakut tënd. Çdo shtetformim ka specifikat e veta. Pikërisht për këtë arsye mua më duket shterp debati për kombin kosovar.

IV.
Pak teori.
Afërsisht nga Revolucioni Francez e tutje fillon të rrëzohet mendimi se kombi është njësi e natyrshme e njerëzve të një gjaku. Kthesën qendrore në këtë çështje e bëjnë Benedict Andersoni, Ernest Gellneri, Eric Hobsbawni dhe Terence Rangeri me veprat e tyre të botuara në fillim të viteve ’80. Kombet janë konstrukte mendore, «artefakte të bindjeve njerëzore» (Gellner), «fiksione kulturore» (Wolfgang Welsch, filozof gjerman), kombi në kuptimin konkret nuk ekziston (Friedrich Wilhelm Graf, profesor i teologjisë sistematike dhe etikës). E marr me mend që ti, Halil, pajtohesh me të gjithë këta autorë, krahas apostujve të tjerë që i citon shpesh. Por, siç e thekson historiani zviceran Michael Portmann, kombet janë ose bëhen «efikase», sapo një masë kritike e pjesëtarëve të një bashkësie të besojë në «komb». Tash për tash shqiptarët e Kosovës besojnë se janë pjesëtarë të kombit shqiptar. Se çfarë do të bëjë vaki pas një shekulli, bash palla s’po më ha. Ndoshta realizohet teoria jote për kombin kosovar. Ndoshta pasardhësit tanë do të ndihen si pjesëtarë të kombit europian. Si gazetarë mendoj se ne duhet të shkruajmë për çështje konkrete dhe të luftojmë për zgjidhjen e problemeve të rënda që bllokojnë si shtetin e Kosovës, ashtu edhe atë të Shqipërisë. Unë po shoh shqiptarë të Kosovës që po gëzohen e shastisen pas fitores së Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike në Brazil, por s’po shoh të tillë që këtë fitore po e ndërlidhin me kombin kosovar. Ky është një sukses që forcon besimin se Kosova mund të bëhet shtet funksional. As më pak, as më shumë.

V.
Me keqardhje të madhe më duhet të them se në reagimin tënd ti i rrotullon, keqinterpreton dhe keqciton faktet dhe fjalët e mia me një lehtësi që mua më frikëson. Ankohesh se unë nuk i paskam përmendur yjet aktualë të kulturës kosovare, ndërsa i përgjigjesha Ben Blushit. Por, me gjasë harron se kjo s’ishte fare temë e debatit. Blushi tha pak a shumë këtë: në Jugosllavi, ju shqiptarët e Kosovës, s’keni pasur gati asgjë, as kulturë, as sport, as shkrimtarë, ndërsa pas vitit 1999 Kosova është shndërruar në një farkëtari talentesh falë lirisë. Unë i numërova disa shembuj nga epoka jugosllave e Kosovës, sigurisht pa pretenduar ta kem bërë këtë në plotni. Pra, ti këtu ngatërron periudhat kohore. Mendoj gjithashtu se vendi i parë në ndonjë festival në Tiranë nuk mund të jetë arsye për ekzaltim universal. Ndërsa Blushi thoshte se ne në Shqipëri s’kemi çfarë t’i ofrojmë botës në aspektin kulturor, unë solla në vëmendjen e publikut një tekst të një gazete gjermane që shpjegonte fenomenin përse Shqipëria ka aq shumë soprano. Këtu kam përmendur edhe Inva Mulën. Ti e banalizon këtë pjesë të tekstit, duke më veshur fjalë të cilat s’i kam shkruar askund. Për shembull: se Inva Mula paska qëlluar me shumë pasuri dhe rrjedhimisht paska arritur sukses. Kjo është një shpikje jotja në nguti e sipër për të hapur 500 fronte brenda një teksti. Kur e lexova tekstin tënd, mendimi i parë që m’u shfaq ishte: ky po polemizon pak me mua dhe më shumë me krejt dynjanë. Kjo e bën reagimin tënd të lodhshëm dhe aspak të bindshëm. Edhe një gjë: se vajza e kujt është Inva Mula s’ke pse të më tregosh, është publikisht e ditur, kjo vetëm devijon debatin kot. Insistimi yt në origjinën kosovare të Inva Mulës është argument etnicist, argument i gjakut dhe nuk e shpjegon fare suksesin e saj. A të theksoj që nëna e Inva Mulës është ruse? Inva Mula artiste është e Shqipërisë, produkt i shkollës së muzikës të Tiranës, pa asnjë dyshim. Ne të gjithë e kemi nga një prejardhje, por kjo nuk i shpjegon sukseset apo dështimet tona. Shpjegimin e japin rrethanat dhe rrethi ku ke lindur dhe je rritur. Përkundër bindjes tënde se unë paskam përqeshur reperët kosovarë, as kjo s’përkon me përmbajtjen e tekstit. Pasi Blushi e kishte përshkruar Shqipërinë si vend të dominuar fund e krye nga kultura e Kosovës, unë kërkova që kjo të ilustrohet me pak shembuj. Të tillë nuk kishte në tekstin tij. Se çfarë ndien ai subjektivisht nuk është punë e imja si lexues. Si lexues unë kërkoj informatë të besueshme, jo përsiatje letrare. Përpjekja jote që gabimet në tekstin e Blushit t’i mbrosh duke i quajtur metafora, qebesa, të nxjerr edhe ty në dritë jo aq pozitive para lexuesve. Kur Blushi thotë «kosovarët dinë t’i përdorin muskujt», ti ngutesh dhe thua, po, e saktë, sepse ai paskësh menduar boksierët dhe mundësit shqiptarë nga ish-Jugosllavia. Por, Blushi nuk tha boksierët dhe mundësit nga Kosova përdorin muskujt, por tha «kosovarët dinë të përdorin muskujt». Përfundimi logjik është se para trurit ata përdorin muskujt. Po më duket se ke marrë barrë të rëndë që t’ia shpjegosh publikut edhe çfarë ka dashur të thotë ose ka harruar të thotë Blushi.

VI.
Diçka që e shoh si të padobishme është toni yt pothuaj agresiv kundër «paternalizmit» të Tiranës, thua ti se në Kosovë problem kryesor është interferimi i Tiranës. Si gazetarë ne duhet të demaskojmë çdo keqdashës që shkakton tensione e keqkuptime mes shqiptarëve në Ballkan. Duhet t’i denoncojmë ata publicistë që shiten si prostituta dhe punojnë me agjenda partiake në dëm të shqiptarëve. Virusi i gazetarisë së pistë të Tiranës ka depërtuar edhe në Kosovë. Disa media të pista të Tiranës e kanë krijuar kosovarin leshko, që zë vend në studiot televizive sa për të mbushur kuotën e ashtuquajtur «gjithëkombëtare» në mënyrë që çunat e bllokut të kenë me kë të tallen. Por, ekziston një Shqipëri tjetër, një që ka aversion ndaj kësaj shpure po aq sa kemi edhe ne në Kosovë. T’i marrim më pak seriozisht kalemxhinjtë që herë i paguan Ilir Meta, herë ndonjë baron droge, herë ndonjë oligark. Në Kosovë shpesh krijohet përshtypja se Shqipëria është ajo që shohim kur në një studio televizive një turmë analistësh duan t’ia nxjerrin sytë njëri-tjetrit, ndërsa moderatori merr pyetjet nga politikanët me sëmësë. Jo, ekziston një Shqipëri tjetër. Sa i përket interferimit: meqë nga Mitrovica në Sarandë flitet shqip, përherë do të ketë fërkime e debate, por është me rëndësi që këto të bëhen me respekt të ndërsjellë. Në këtë kuadër hyn edhe respekti për shtetin e Kosovës, i cili nuk mund të shikohet as nga Beogradi, as nga Tirana si projekt i përkohshëm deri në ndarjen e Kosovës. «Të keni kujdes nga aleanca e re mes Beogradit dhe Tiranës». Këto s’janë fjalë të ndonjë kosovarocentristi antishqiptar, por fjalë të një ambasadori të një vendi të BE-së. Këto mesazhe duhet t’i ketë parasysh edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në përpjekjet e tij parimisht të lavdërueshme për të përmirësuar raportet me Serbinë. Sigurisht Tirana nuk ka luajtur përherë rol të mirë në procesin e shtetformimit të Kosovës. Përpjekja e Sali Berishës për ta bartur krizën e Shqipërisë në Kosovë më 1997 nuk harrohet lehtë, indiferenca e shumë socialistëve ndaj Kosovës apo mbështetja e politikanëve me biografi kriminale në Kosovë është kapitull i errët. Vazhdimi i kësaj politike në faza të ndryshme edhe pas luftës ka shkaktuar shumë keqkuptime.
Publicistët e Tiranës u ngutën ta quajnë tradhtar Milot Rashicën ngaqë erdhi të luajë futboll për Kosovën. Por, ata është mirë të merren me disa tradhti të tjera. Ta zëmë tradhtitë ndaj ligjeve shqiptare: deri më sot shteti shqiptar hesht për vrasjen e Ahmet Krasniqit, ministër i Mbrojtjes i Kosovës, Ilir Konushevcit, luftëtar me nam i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe zhdukjen e biznesmenit dhe veprimtarit, Remzi Hoxha. Sot e kësaj dite shumica e gazetarëve në Tiranë nuk e dinë se Kosova ka qenë buzë luftës civile pas luftës së viteve 1998/99 si pasojë e politikës agresive të një krahu të UÇK-së. Politikanë të nivelit të lartë të Kosovës atëbotë e kanë akuzuar drejtpërdrejtë qeverinë në Tiranë për interferim të dëmshëm në Kosovë dhe mbështetje të këtij krahu të UÇK-së. Këto janë plagë të hapura dhe nuk do të mbyllen lehtë me politikanë të papërgjegjshëm në Tiranë dhe Prishtinë. Shteti nuk duhet të pajtohet me asnjë vrasje. Le ta marrin edhe Shqipëria pak si shembull Gjermaninë: ky shtet po i nxjerr para gjyqit shefat e shërbimeve sekrete jugosllave për shkak se kanë kryer apo urdhëruar vrasje politike në Gjermani para 40 vitesh.

VII.
Qëllimi i çdo debati është prezantimi i argumenteve. Kush i ka argumentet më të mira, do të fitojë debatin. Por, se kush e fiton debatin për shtetin apo kombin kosovar nuk vendos as Benedict Andersoni, as Ernest Gellneri, por qytetarët e Kosovës. Këtë, për fat të keq, nuk po e kuptojnë disa «qemalstafër» nga Tirana të infiltruar në Lëvizjen Vetëvendosje. «E vërteta mund të ketë efekt vetëm kur marrësi është i pjekur për të», shkruan poeti gjerman Christian Morgensterni. Halil, trete dhe trajtoje pak këtë porosi. Sjellja me nënçmim ndaj të tjerëve, toni paternalist, pretendimi se askush tjetër përveç teje dhe ndonjë ithtari tënd, nuk e kupton çka është etnia, kombi, shteti etj., vetëm irriton njerëzit. Qëllimi është të debatojmë, por jo që një temë ta shndërrojmë në agjendë sektare. Anëtarët e sekteve zakonisht nuk janë njerëz të pjekur. Nuk dua të të shoh në sekte të tilla. Nëse me çdo kusht insiston që vetëm ti ke të drejtë, ne ta lëshojmë rrugën. Por, frikësohem se si triumfues i tillë s’do të ndihesh fare mirë. Të gjitha këto po t’i them edhe në emër të aq shumë miqve tanë të përbashkët që kanë respekt për punën tënde publike, për zellin tënd letrar, për sakrificën tënde, por edhe për talentin tënd të pashoq për të hapur debate.