E veja boshnjake i kalon ditët e saj të fundit mes varreve të dy djemve

Nura Alispahiq, tani 73 vjeçe, humbi të gjithë familjen e saj në gjenocidin e Srebrenicës dhe në bombardimin e vitit 1995 të Tuzlës – i cili u shënua të enjten. Tani ajo pret të vdesë, duke e gjetur «jetën më të vështirë sesa vdekjen»

Nura Alispahiq. Foto: BIRN Bosnje.



 

Jeta e Nura Alispahiq, një nënë nga Srebrenica ndahet midis dy varreve të djemve të saj, njëri prej të cilëve në Luginën e të Rinjve në Tuzël dhe tjetri në Qendrën Përkujtimore Potoçari në Srebrenicë.

Alispahiq humbi të gjithë familjen e saj gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë. Bashkëshorti i saj, Alija, u vra në Srebrenicë në vitin 1993 dhe të dy djemtë e saj u vranë dy vjet më vonë.

Një granatë vrau djalin e saj Admirin në një masakër në Kapija në Tuzël më 25 maj 1995. Ai atëherë ishte 24 vjeç.

Djali i saj më i vogël, 15-vjeçari Azmir, u vra nga anëtarë të Njësisë serbe Akrepat më 17 korrik si pjesë e gjenocidit të Srebrenicës, kur Ushtria Serbe e Bosnjës nën drejtimin e Ratko Mlladiqit masakroi rreth 8,000 boshnjakë pasi pushtoi qytetin lindor boshnjak.

Përvjetori i vrasjes së 71 personave në Tuzël u shënua të enjten më 25 maj. Ata u vranë nga një granatë e qëlluar në Luginën e të Rinjve në Tuzël nga pozicionet serbe të Bosnjës.

Alispahiq, tani 73 vjeçe, e cila u rikthye në Srebrenicë para 10 vjetësh, thotë se e vetmja gjë më e vështirë se vdekja është vetë jeta.

«Tani s’kam më asnjë që të vijë të më takojë. Jeta për mua s’ka asnjë kuptim. Kishte një lloj kuptimi kur kisha ende fëmijët dhe burrin. Të gjithë m’i vranë. Tani jetoj e vetme dhe jam sëmurë», thotë ajo.

Alispahiq humbi edhe të vëllanë, 12 nipat e saj dhe pesë kunetër në gjenocidin e Srebrenicës.

Në intervistën e saj me BIRN-in ajo kujton se dëgjoi për masakrën në Kapija, Tuzë, kur ishte në Srebrenicë.

«Dëgjuam në lajme në radion tonë për masakrën në Tuzël. Kur lexuan emrat e të vrarëve i dëgjova të përmendnin emrin e djalit tim Admirit. Shtëpia ime ishte plot me fqinj. U thashë: «Ata përmendën emrin e Admirit», por fqinjët e mi më thanë se e kisha dëgjuar gabim», kujton Alispahiq.

Fqinjët dhe të afërmit e vizituan shtëpinë e saj për dy ditë me radhë.

«Nuk e dija pse e bënin këtë. Kur e pyeta time motër nëse kishin vrarë Admirin, ajo filloi të qante dhe më tha po. Pastaj humba ndjenjat. Kur më zgjoi një doktor, mora thikën për të vrarë veten. Më ndaluan fqinjët», thotë ajo.

 

Alispahiq thotë se dhimbja e saj për të birin ishte edhe më e madhe, sepse ajo s’mundi t’i jepte atij lamtumirën e fundit.

Për shkak se qyteti i Srebrenicës ishte i rrethuar dhe pushtuar nga serbët e Bosnjës, ajo nuk mundi të merrte pjesë në funeralin e tij në Tuzël.

«Vetëm pas rënies së Srebrenicës në korrik 1995 shkova në Tuzël. Ata që kishin të afërm atje u pritën nga ata. Unë s’kisha asnjë të afërm që ta takoja», thotë ajo.

«Një shok i Admirit po më priste. Ai dhe disa ish-kolegë të Admirit nga policia më çuan në Slana Banja. Ajo ishte hera e parë që shihja varrin e tim biri. Nuk ka fjalë për ta përshkruar atë ndjes»i, risjell në mendje ajo.

Disa muaj pas vrasjes së Admirit ajo humbi djalin e saj të vogël Azmirin, nga duart e «Akrepave» më 17 korrik 1995.

Një video e vrasjes së tij u pa në të gjithë botën. Edhe mamaja e tij e pa atë në televizor.

Azmiri kishte shkuar në pyll bashkë me disa ushtarë para rënies së Srebrenicës, tha Alispahiq.

Ajo në atë kohë ishte në Tuzël. «Shikoja çdo ditë lajmet, me shpresën se do të dëgjoja diçka për djalin e dytë. Një mbrëmje ata transmetuan një video, ku tregoheshin disa anëtarë të «Akrepave» që merrnin me vete disa të rinj. Ndër ta njoha Azmirin. Fillova të qaja kur ata nisën t’i rrihnin, por kur ata filluan t’i qëllonin me armë ata të rinjtë dhe tim bir, atëherë humba ndjenjat», tha ajo mes lotësh.

Alispahiq humbi edhe të bijën pas luftës. Ajo beson se vajza e saj vdiq nga dhimbja e humbjes së njerëzve të saj të dashur.

Alisapahiq nuk beson te drejtësia. Siç thotë, ajo u kthye në Srebrenicë thjesht për të vdekur aty.

«Më duket vetja si një pemë e prerë. S’jam as gjallë dhe as e vdekur. Nuk ka drejtësi dhe kurrë nuk do të ketë», tha ajo.

Novak Gjukiq është personi i vetëm që është dënuar për vrasjen e djalit të saj Admirit dhe 70 viktimave të tjera dhe për lëndimin e 150 personave të tjerë në Kapija të Tuzlës.

Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës e dënoi Gjukiqin me 20 vjet burg, por ai tani është i lirë pasi u arratis në Serbi në vitin 2014.

Gjykata e Lartë në Beograd dha një vendim në vitin 2008 kundër anëtarëve të njësisë «Akrepat» për vrasjen e djalit të vogël të Nurës, Azmirit, dhe pesë viktimave të tjera boshnjake nga Tërnovo.

Komandanti i njësisë, Slobodan Mediq, u dënua me 15 vjet burg, ndërsa Branislav Mediq me 20 vjet burg dhe Pero Petrasheviq, i cili e pranoi fajin, u dënua me 13 vjet burg.

(https://www.reporter.al/e-veja-boshnjake-i-kalon-ditet-e-saj-te-fundit-mes-varreve-te-dy-djemve/)