E ty, Armend, si të kapën?

Armend Zemaj sot i drejtoi disa fyerje deputetes Albulena Haxhiu. Kësisoj ai tregoi se është i talentuar të luajë role të ndryshme sipas interesit të tij: dikur akuzonte SHIK-un për vrasje, ndërkohë ka fshehur megafonin dhe me «urtësi të kryeplakut» po i shërben PDK-së, madje duke ia siguruar mandatin për president Hashim Thaçit.

Foto: Shutterstock

«A je ti në këtë shtet?», «Të paskan kap edhe ty pra». Kështu iu drejtua deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, koleges së tij nga Vetëvendosja, Albulena Haxhiu, gjatë një debati në Komisionin për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete. Haxhiu e kishte përmendur rastin e vdekjes misterioze të Astrit Deharit dhe kishte akuzuar partitë e koaliconit LDK dhe PDK për kapje të shtetit.

Sipas logjikës së Armend Zemajt çdokush që jeton në Kosovë dhe është pjesë e shtetit dhe institucioneve të tij – është i kapur. Por si?

Kjo është pyetja që ndoshta më së miri do të ishte të përgjigjet vetë deputeti Zemaj, i cili dikur me megafon e akuzonte SHIK-un për vrasje, ndërsa prej se koalicioni LDK-PDK është shndërruar në interes dhe dashuri të verbër jo vetëm politike Zemaj e luan rolin e marionetës. Dikur Zemaj e bënte përgjegjëse edhe PDK-në për vrasjen e kolonelit Tahir Zemaj. Po i njëjti, pra Armend Zemaj, qëndroi ulur stoik në karrigen e deputetit për t’ia siguruar Hashim Thaçit mandatin e parë për president të Kosovës.

«Të paskan kap edhe ty» – kjo ishte çirrma «burrërore» dhe krenare e Zemajt ndaj një gruaje. Para se të jetë deputete dhe rivale politike Albulena Haxhiu është grua, qenie njerëzore, qytetare e Republikës së Kosovës. Dhe si çdo qytetare e qytetar i Kosovës edhe deputetja Haxhiu ka të drejtë të pyes për rrethanat e vdekjes së 26-vjeçarit Astrit Dehari. Përse u mabjt në paraburgim gati 70 ditë? Përse nuk e mori në pyetje prokuroria? Përse institucionet dështuan kur nisën të komunikojnë me publikun për këtë rast të rëndë? Përse nuk përputheshin deklaratat e policisë, zyrtarëve të burgut, personelit mjekësor? Akuza fillestare kundër Deharit ishte e rëndë: gjoja kishte sulmuar ndërtesën e Kuvendit. Por nëse akuzat janë ndërtuar me këtë seriozitet, siç po jepen deklaratat kundërthënëse nga pushtetarët, atëherë ne të gjithë duhet të kemi frikë nga ky shtet.

Një raport zyrtar i autopsisë konstaton vdekjen e Deharit si pasojë e asfiksisë së vetëshkaktuar dhe «me hezitim». Prokuroria flet po ashtu për vetëvrasje të Astrit Deharit, ndërsa Vetëvendosje insiston në hetim të pavarur ndërkombëtar, duke e bërë shtetin përgjegjës për «vrasje».

Debati në Kuvend për këtë rast nuk është miratuar, sepse kërkesa e VV-së nuk mori votat e mjaftueshme. Mospërfillja parlamentare ndaj këtij rasti nxiti sot tensione mes Haxhiut e Zemajt. Deputetja e VV-së që drejton komisionin për Legjislacion në Kuvend akuzoi LDK-në dhe partitë në pushtet për kapje të shtetit dhe sidomos të sistemit të drejtësisë. Haxhiu ia kujtoi Zemajt skandalet e fundit të dala nga përgjimet tashmë të njohura nga afera «Pronto» si dhe emërimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve nga «Adem Grabovci e Kadri Veseli vetëm përmes telefonit». Zemaj, i cili ka kohë që nuk e akuzon partinë e këtyre dy protagonistëve, nuk dha ndonjë kundërargument bindës prej një deputetit për këto raste. Madje as nuk ngriti nevojën e diskutimit për to.

I gjithë ky debat substancial e i nevojshëm për demokracinë që po tenton të ndërtojë shteti i Kosovës tash e sa vite, për Zemajn u reduktua në një komunikim banal e që Haxhiun, të paktën prej reagimit të saj të transmetuar në media, e vuri në një pozitë jo të lakmueshme si grua e nënë, por mbi të gjitha si politikane.

Fatkeqësisht as gratë deputete, por as koleget e tjerë të komisionit për Legjislacion nuk u distancuan nga kjo gjuhë primitive e Zemajt. Përkundrazi, ia plasën së qeshuri. Sepse, siç e shpjegon Gustav Le Bon, të rreshtohesh krah turmave, apo më i fuqishmi (e fuqia e banalitetit mbizotërojnë çdoherë krahas debatit argumentativ në spektakle si ky i sotit që bëri Zemaj), është më të vërtetë më lehtë dhe më zbavitëse se sa të tentosh të bësh debat të mirëfilltë me argumente.

Pra, kjo turma zbavitëse e Kuvendit, nuk kishte asnjë argument për rastin Dehari, e as nuk u mundua që ta diskutoje faktin se si një i ri 26-vjeçar, para diplomimit dhe në pritje të fëmijës së tij të parë, dhe për më tepër nën monitorim 24 orë për 68 ditë rresht «u vetëvra», siç po thuhet, në qelinë e burgut. Në vend të kësaj të «përzgjedhurit» e popullit (që po kërkon drejtësi për Astritin), thjesht e lëshuan sallën. Kështu është më lehtë.

E kur jemi te lehtësia, Armend Zemaj ta zëmë, si magjistër i shkencave juridike, siç figuron, do të duhej ta dinte për shembull faktin se filozofë e shkencëtare si Aristoteli, që kishin vënë bazat e para të koncepteve të politikës e shtetit, e shpjegojnë më së miri se sa lehtë është të zemërohesh në dikë a diçka. «Por ama të zemërohesh në personin dhe shkallën e duhur, në kohën e duhur, për qëllimin e duhur dhe të zgjedhësh rrugën e drejtë» – kjo, siç e shpjegon filozofi grek, «është diçka që nuk është brenda fuqisë së të gjithëve dhe aspak e lehtë».

Zemaj, ta zëmë, duke qenë panevojshëm i zemëruar sot me deputeten Haxhiu, atakoi atë dhe na atakoi pa të drejtë të gjithë neve – qytetarëve të Kosovës, që, në fakt, e bëjmë shtetin (për ata që e kuptojnë drejtë konceptin e shtetit). Na tha se jemi «të kapur», si të gjithë që janë pjesë e shtetit. Ndoshta e ka menduar këtë edhe për veten. Sidomos. E ai ndoshta më së miri e di si është të jesh i kapur. Shtrohet pyetja:«Armendin, si e kapën?»
Do të ishte mirë ta dimë, për shembull, nëse dhe si arritën të kapin Armend Zemajn figura si Hashim Thaçi, ish-udhëheqësi i PDK-së? Si dhe nëse arritën ta kapin Armend Zemajn njerëzit e SHIK-ut, të cilëve deputeti Zemaj u kërkonte llogari kur thoshe se vrasja e kolonelit Tahir Zemaj ishte financuar dhe organizuar me qëllim të dëmtimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si dhe nëse arritën ta kapin Armend Zemajn në ditën e 28 shkurtit, kur ai i siguroi, bashkë me disa kolegë të tij, kuorumin Hashim Thaçit, bashkëpartiakut të Kadri Veselit, ish-drejtor i SHIK-ut, që të bëhet president?Rrjedhimisht, Armend Zemaj përpara se të quaj dikë apo të gjithë neve (qytetarëve të këtij shtetit) të kapur, do të duhej të na përgjigjej në këto pyetje.