E tani, zoti Janosch?

A po bie a s’po bie qeveria e Kosovës? Kjo s’është çështja. Mënyra si bëhet politikë në Kosovë është ajo që duhet t’i shqetësojë njerëzit. Dhe për të kuptuar këtë më së miri na ndihmon heroi fiktiv gjerman, zoti Janosch. Një rrëfim për tigrat dhe gjahtarët.

Zoti Janosch dhe tigri. Ilustrimi: DIE ZEIT



Zoti Janosch çdo të enjte i shpjegon marrëzitë e përditshme të jetës. Këtë ai e bën në magazinën e gazetës DIE ZEIT, ndër të përjavshmet më të mira në botë. S’ka pyetje për të cilën zoti Janosch nuk e ka përgjigjen në grusht. A do të bie shi nesër dhe pse bie shi? A duhet bartur helmetë kur shëtit me biçikletë apo jo? Çka është e shëndetshme dhe çka e dëmshme për nervat? A të bën mirë gjimnastika apo jo?

Një pyetje për zotin Janosch: a po bie a s’po bie qeveria e Kosovës? Kjo s’është çështja. Mënyra si bëhet politikë në Kosovë është ajo që duhet t’i shqetësojë njerëzit. Dhe për të kuptuar këtë më së miri na ndihmon heroi fiktiv gjerman, zoti Janosch.

Për shembull: a është e shëndetshme të mos bësh asgjë? «Po, është shumë e shëndetshme! Por herë pas here duhet të lëvizësh pak. Për shembull të thyesh bishtaja kikirikësh». Kështu edhe qeveria e Kosovës ka bërë sikur po thyen bishtaja kikirikësh dhe këtë e ka prezantuar si punë kolosale. Por punët kolosale, sipas zotit Janosch, i ka kryer, për shembull, Shukri Buja, i cili si kryetar i komunës së Lipjanit bisedonte në telefon me mikun e tij për «njëfarë biznesi». Për një moment miku i Bujës u ngërmua: «Mshoj gjanarski jarani jem». Ja, pra, kjo është gjuha moderne politike. Kështu peshkohet, ndonëse zoti Janosch, si gjerman që është, ka një vizion krejt tjetër për peshkimin. A është peshkimi ende aktivitet bashkëkohor? Zoti Janosch tha: «Po si jo! A e di sa bukur duket kur dikush qëndron pranë ujit dhe peshkon! Me rëndësi të mos ketë grep në tojë, sepse mund të lëndohet ndonjë peshk».

Këtë këshillë nuk e mori parasysh Shukri Buja. Mediat po e citojnë të ketë thënë se «sot do të bie qeveria». Një qeveri tjetër, sipas kuteve të Bujës, mund të lehtësojë edhe më shumë peshkimin. Fushata elektorale e partisë së Bujës do të dominohet nga sllogani: «Mshoj gjanarski jarani jem». Sepse përherë do të ketë të tillë që joshen nga krimbi në grep. «U pa këto ditë në mënyrë ekzemplare në shtetin tuaj, në Republik Kozovo», tha zoti Janosch, i cili është një njohës i mirë i politikës ballkanike dhe ka dije universale. Por si shkon burri a gruaja me ambicie te krimbi në grep? Me brekë të shkurtra apo të gjata, e pyetën zotin Janosch. «Bën edhe me fustan skocez», tha zoti Janosch, «nëse i ke këmbët e përshtatshme». Këtu s’bëhet fjalë për estetikë, por për rabulistikë në shërbim të zënies së peshqve.

Zoti Janosch ka një këshillë edhe për spektatorët. Sidomos ata që sot ndjekin para televizorit seritë latinoamerikane e turke si dhe mbledhjet e ndryshme, për shembull të parlamentit. Zoti Janosch, ç’duhet bërë kur kafshët e egra të hyjnë në shtëpi? «Me rëndësi është të sillesh sikur s’ka bërë asgjë vaki. Për t’u përballur me tigra të ndihmon nëse ulesh pranë tryezës dhe krejt rehat fillon të hash një copë mish të përgjakur».

Tigrat e Kosovës të mërkurën u nisën në gjahun e ri. Me ta edhe një gjahtare e re. Për zotin Janosch kjo nuk është ndonjë befasi.