«E prita me gëzim, sepse e doja vërtet si vëlla atë njeri të zjarrtë e të përzemërt»

Stefan Zweigu për Aleksandër Moisiun: «Me një pamje jashtëzakonisht tërheqëse, i zgjuar, i gjallë, por edhe njeri i dashur e mjaft entuziast, ai i jepte çdo vepre diçka nga ajo magjia e vet». Megjithatë, shkrimtari austriak u frikësua t'i ruaj atij rolin kryesor në një premierë të një vepre të tij. «Pasi zbriti nga vagoni (në Cyrih), u sul drejt meje, u përqafuam italiançe...», shkruan Stefan Zweig në librin e tij «Bota e djeshme. Kujtime të një europiani».

Aleksandër Moisiu.



Besoj se do të më kuptojë lexuesi po të them se e kisha bezdi të ngulja këmbë për të vazhduar punën në fushën e artit dramatik, dhe se më kaplonte një ndjenjë shqetësimi sapo dorëzoja në teatër ndonjë pjesë të re. Fakti që dy aktorët më të mëdhenj të Gjermanisë vdiqën pas provave me vargjet e mia, bëri ta ndieja veten supersticioz, dhe s’më vjen turp ta pohoj një gjë të tillë. Vetëm disa vjet më vonë e mblodha veten e iu vura sërish dramaturgjisë dhe, kur drejtori i ri i Burgteatrit, Alfred Baron Bergeri, specialist i shquar i teatrit dhe mjeshtër në artin e gojëtarisë, e pranoi menjëherë dramën time, kontrollova gati me frikë listën e aktorëve që kishte zgjedhur; si mora frymë në një mënyrë të çuditshme, thashë me vete: «Lavdi Zotit, s’ka asnjë të famshëm mes tyre». Pra, s’kishte asnjë ku mund të vepronte fataliteti. E megjithatë, ndodhi e pabesueshmja. Fatkeqësia, po t’i mbyllësh një derë, të hyn nga një derë tjetër. Kisha menduar vetëm për aktorët, jo për drejtorin, i cili e kishte ruajtur për vete vënien në skenë të tragjedisë sime «Shtëpia në breg të detit» dhe pati hartuar planin regjisorial, pra, s’kisha menduar për Alfred Baron Bergerin. Dhe vërtet: dy javë para datës që ishte caktuar për fillimin e provave, ai vdiq. Mallkimi që dukej se rëndonte mbi veprat e mia dramatike, ishte ende në fuqi. Madje, edhe dhjetë vjet më vonë, kur veprat e mia «Jeremia» dhe «Dhelpra» u vunë në skenë pas Luftës Botërore në gjuhë nga më të ndryshmet, prapë nuk e ndieja veten të sigurt. Dhe veprova me dashje kundër interesave të mia kur pata përfunduar, vitin 1931, një pjesë të re me titull «Qengji i të varfrit». Një ditë pasi i kisha dërguar dorëshkrimin, mora nga miku im Aleksandër Moisiu një telegram, nëpërmjet të cilit më lutej t’i ruaja rolin kryesor në premierën e veprës. Moisiu, i cili kishte sjellë nga atdheu i vet, Italia, një kumbim të ëmbël e sensual të gjuhës, që skena gjermane s’e kishte dëgjuar ndonjëherë më parë, ishte asokohe i vetmi pasardhës i madh i Jozef Kajncit. Me një pamje jashtëzakonisht tërheqëse, i zgjuar, i gjallë, por edhe njeri i dashur e mjaft entuziast, ai i jepte çdo vepre diçka nga ajo magjia e vet; s’do të përfytyroja dot një interpretues më ideal për atë rol. Megjithatë, kur Moisiu më bëri këtë propozim, m’u kujtuan (aktori gjerman i vdekur papritur Adalbert) Matkovski dhe Kajnci, dhe ia refuzova kërkesën duke nxjerrë një pretekst, por pa treguar shkakun e vërtetë. E dija që pati trashëguar nga Kajnci të ashtuquajturën unazë të Iflandit, të cilën aktori më i madh i Gjermanisë ia linte gjithmonë trashëgim pasardhësit të vet më të madh. Po sikur të trashëgonte edhe fatin e Kajncit? Sidoqoftë, unë për veten time s’doja të bëhesha edhe një herë tjetër shkas fataliteti për aktorin më të madh gjerman të kohës. Dhe kështu, nga supersticioni dhe nga dashuria për të, hoqa dorë prej asaj përsosurie interpretimi, thuajse vendimtare për suksesin e veprës sime. E megjithatë, nuk arrita dot ta mbroja, edhe pse ia refuzova rolin, edhe pse qysh nga ajo kohë nuk dhashë asnjë vepër të re për t’u vënë në skenë. Po vazhdoja akoma, pa pasur pikë faji, të ngatërrohesha në fatalitetin e të tjerëve.
*
E di që njerëzit do të pandehin sikur po u rrëfej ndonjë histori fantazmash. Le ta zëmë se ajo që ndodhi me Matkovskin dhe Kajncin mund të shpjegohet si pasojë e një rastësie ogurkeqe. Por pse edhe Moisiu pas tyre, përderisa ia refuzova rolin dhe nuk shkrova më asnjë dramë tjetër? Dhe ja si ndodhi: vite e vite më pas – në këtë kronikë po bëj një kapërcim përpara në kohë -, gjatë verës së vitit 1935, isha në Cyrih dhe s’më shkonte mendja për asgjë kur mora papritur një telegram që Aleksandër Moisiu ma dërgonte nga Milanoja dhe më njoftonte se në mbrëmje do të vinte enkas në Cyrih për të më takuar dhe më lutej ta prisja patjetër. E çuditshme, thashë me vete, ç’të ketë vallë që ngutet kaq shumë, tani që s’kam ndonjë drame të re dhe qysh prej vitesh s’po më intereson fare teatri? Por natyrisht që e prita me gëzim, sepse e doja vërtet si vëlla atë njeri të zjarrtë e të përzemërt. Pasi zbriti nga vagoni, u sul drejt meje, u përqafuam italiançe, dhe, qysh kur ishim në makinën që na solli nga stacioni, më tregoi, me atë padurimin e vet të mrekullueshëm, se ç’mund të bëja për të. Tha se donte të më lutej për diçka, për diçka me shumë rëndësi. Pirandeloja i kishte bërë një nder të veçantë duke i besuar premierën e dramës së vet të re «Non si sà mai», dhe jo vetëm për në Itali, por edhe për premierën e vërtetë botërore, që duhej të jepej në Vjenë dhe në gjuhën gjermane. Shtoi se ishte hera e parë që një mjeshtër i tillë italian i jepte përparësi botes së jashtme për njërën prej veprave të veta, madje skishte pranuar kurrë as Parisin. Por Pirandeloja, i cili trembej se mos në përkthim humbisnin karakteri muzikor dhe ato kadencat e brendshme të prozes së tij, pati shprehur një dëshirë që e kishte fort për zemër: do t’i pëlqente shumë që dramën të mos e përkthente dokushdo, por unë, sepse i çmonte qysh prej një kohë të gjatë aftësitë e mia në fushën e gjuhës artistike. Natyrisht që Pirandeloja pati ngurruar të më kërkonte të harxhoja kohën me përkthime, prandaj Moisiu e kishte marrë vetë përsipër të më lutej për këtë gjë. Dhe vërtet, kisha vite që s’merresha më me përkthime. Por e adhuroja shumë Pirandelon, me të cilin kisha pasur disa takime të këndshme, dhe s’mund ta zhgënjeja; para së gjithash, do të ishte kënaqësi për mua t’i jepja një dëshmi dashurie vëllazërore një miku të ngushtë siç qe Moisiu. E lashë mënjanë për nja dy javë punën time; pas disa javësh u njoftua në Vjenë se do të jepej premiera botërore e drames së Pirandelos në përkthimin tim dhe se, për arsye të sfondit politik, kjo premierë do të shoqërohej me një solemnitet të veçantë. Pirandeloja kishte premtuar se do të merrte pjesë personalisht, dhe, meqë Musolini mbahej ende asokohe si mbrojtës i deklaruar i Austrisë, të gjitha qarqet zyrtare, me kancelarin në krye, njoftuan se do të ishin të pranishme në shfaqje. Ajo mbrëmje duhej të ishte në të njëjtën kohë edhe një manifestim politik i miqësisë austro-italiane (në të vërtetë, i protektoratit të Italisë mbi Austrinë).

Unë vetë u ndodha rastësisht në Vjenë gjatë atyre ditëve kur duhej të fillonin provat e para. U gëzova që po takohesha sërish me Pirandelon dhe isha gjithashtu kureshtar të dëgjoja fjalët e përkthimit tim të thëna me atë diksionin muzikor të Moisiut. Por, me një ngjashmëri të përbindshme, u përsërit pas një çerek shekulli e njëjta ngjarje. Kur shfletova gazetën herët në mëngjes, lexova se Moisiu kishte mbërritur nga Zvicra me grip të rëndë dhe se provat do të shtyheshin për shkak të sëmundjes së tij. E po, grip është, mendova unë, s’do të jetë ndonjë gjë dhe aq serioze. Por zemra nisi të më rrihte fort kur iu afrova hotelit – lavdi Zotit, thashë si për të ngushëlluar veten, s’është hoteli Saher, por Grand Hoteli! – ku po shkoja për të takuar mikun tim të sëmurë; kujtimi i vizitës sime të padobishme te Kajnci erdhi e ma përshkoi tërë trupin si një drithërimë. Dhe të njëjtat rrethana u përsëritën pas një çerek shekulli me aktorin më të madh të asaj kohe. S’më lanë ta takoja Moisiun, sepse sapo kishte rënë në kllapi nga temperatura e lartë. Pas dy ditësh u ndodha, njësoj si në rastin e Kajncit, para arkivolit të tij dhe jo në provat e shfaqjes.
*
Këtë kapërcim përpara në kohë e bëra për të treguar fazën e fundit në plotësimin e atij mallkimi misterioz që lidhej me sprovat e mia në fushën e teatrit. Sigurisht që këtë përsëritje e quaj vetëm si një rastësi, por s’ka dyshim se në atë kohë vdekja e Matkovskit dhe e Kajncit njëri pas tjetrit pati një ndikim vendimtar në rrjedhën e jetës sime. Në qoftë se asokohe Matkovski në Berlin e Kajnci në Vjenë do të kishin vënë në skenë dramat e para të një djaloshi njëzetegjashtëvjeçar, do të kisha arritur, falë artit të tyre, i cili mund të bënte të kishte sukses edhe një vepër teatrore nga më të dobëtat, të bëhesha i njohur shumë më shpejt e mbase me pa të drejtë për një publik më të gjerë, por s’do të kisha përjetuar ato vitet e mia të studimit të ngadalshëm e të eksplorimit të botës. Në atë kohë e quaja veten, dhe kjo është e kuptueshme, si të përndjekur nga fati, sepse qysh në fillim teatri zuri të më ofronte perspektiva aq joshëse, saqë s’kisha guxuar kurrë as t’i ëndërroja, dhe m’i rrëmbente pastaj mizorisht mu në çastet e fundit. Por vetëm në vitet e para të rinisë duket ende sikur rastësia dhe fati janë e njëjta gjë. Më vonë njeriu e di se rrjedha e vërtetë e një jete përcaktohet nga diçka e brendshme. Sado e çuditshme e sado absurde të na duket që rruga jonë nuk përputhet me dëshirat që kemi, prapëseprapë ajo na çon më në fund te synimi ynë i padukshëm.

Nga gjermanishtja:
A. RISTANI