E përmbysën Gruevskin, e shkatërruan Ahmetin

Regjimi totalitar, i cili është në pushtet për dhjetë vjet, u mund në zgjedhjet e parakohshme, por nuk u shkatërrua.

Gjurmë protestash opozitare në Shkup.



Regjimi totalitar i Nikola Gruevskit mezi mbijetoi në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni. Partia e tij VMRO-DPMNE i ka vetëm dy vende më shumë se Bashkimi Socialdemokratik i opozitës së Maqedonisë, i udhëhequr nga Zoran Zaev.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të dhjetorit, më të paparashikueshmet që nga pavarësia e Maqedonisë, përfunduan pa fitues bindës. Partia e Gruevskit, sipas rezultateve preliminare, i fitoi 51, ndërkaq opozita, në krye me Zaevin, i fitoi 49 mandate deputetësh, pothuajse dy herë më shumë se që i kishte deri më tani. Opozita ia mori një numër të konsiderueshëm partisë Bashkimi Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit, e cila ishte partner shumëvjeçar i koalicionit me Gruevskin. Partia e Ahmetit ka rënë nga 19 në vetëm 10 deputetë, aq sa kanë tani së bashku tri partitë tjera opozitare të shqiptarëve.

Pjesëmarrja rekorde prej 66,8 për qind është njëra nga karakteristikat kryesore të zgjedhjeve të dhjetorit. Kjo pjesëmarrje masive është dëshmi e pakënaqësisë së tyre me regjimin totalitar të Gruevskit, i cili për dhjetë vjet të plota është në pushtet. Përgjigjja e madhe në zgjedhje shkoi në favor të partive opozitare, të cilat megjithatë nuk ditën ta shfrytëzojnë këtë.

Historia dhe farsa

Partia e Gruevskit në pushtet, sipas të dhënave paraprake, i fitoi zgjedhjet me mbi 450 000 vota. Vetëm me rreth 17 000 vota, ose pak më pak se 1,5 për qind pasojnë socialdemokratët opozitarë të Zaevit. Dallimi minimal është «kripë në plagë» për socialdemokratët, të cilët për një fije i humbën zgjedhjet. Edhe më e rëndë është për katër partitë tjera më të vogla opozitare maqedonase, të cilat hynë në mënyrë të pavarur në zgjedhje, por nuk e kaluan pragun dhe nuk kanë deputetë në Parlament.

Një matematikë e thjeshtë tregon se katër partitë e vogla opozitare kanë marrë më shumë se 50 000 vota. Bashkë me socialdemokratët kanë afro 490 000 vota, apo 30 000 vota më shumë se VMRO-DPMNE. Por, mbledhja mekanike nuk është dhe nuk mund të jetë një reflektim real, por diferenca prej rreth 30 000 votash sjell të paktën dy vende deputetësh. Me pjesëmarrjen e përbashkët të katër partive si opsion i tretë do të mund të fitoheshin më shumë vende deputetësh dhe të ndodhte një ndryshim i rëndësishëm i raporteve në Parlament.

Partitë e vogla, për shkak të ambicieve të mëdha lideriste të udhëheqësve të tyre, i ndërprenë negociatat për bashkim parazgjedhor në opsionin e tretë. U përsërit viti 2011, kur partitë e opozitës fituan më shumë vota, por për shkak të përçarjes së tyre, Gruevski mbeti në pushtet. Thonë se historia përsëritet si farsë, por këtë herë është vështirë të jetë qesharake për qytetarët që votuan kundër Gruevskit, e të tillë janë rreth 490 000. Nuk është qesharake as për liderët e opozitës me ambicie të sëmurë, por vetë e kanë kërkuar një gjë të tillë.

Leksioni i shqiptarëve

Një nga karakteristikat e rëndësishme të këtyre zgjedhjeve është ndryshimi thelbësor në votime i shqiptarëve. Ata e kanë ndëshkuar BDI-në e Ahmetit, i cili për tetë vjet ishte në koalicion me Gruevskin dhe ka kontribuar në krijimin e regjimit totalitar dhe prodhimin e krizës që ka goditur qytetarët e të gjitha nacionaliteteve. Shqiptarët kanë votuar për partinë Besa, e cila i fitoi pesë, dhe për koalicionin Aleanca për Shqiptarët, i cili i fitoi tre deputetë. Të dy partitë për herë të parë morën pjesë në zgjedhje. Votuesit e dënuan edhe Partinë Demokratike Shqiptare të Menduh Thaçit, e cila ka qenë gjatë në skenën politike, por tani ka rënë në vetëm dy deputetë.

Shqiptarët janë të përfaqësuar në Parlament me katër parti dhe gjithsej 20 deputetë. Gjysmën e tyre e ka opozita. Partia BDI, e cila për tetë vjet me radhë është partner i koalicionit me Gruevskin, i ka humbur në këto zgjedhje madje nëntë vende. Shqiptarët e pakënaqur e kanë ndëshkuar Ahmetin, por edhe partnerin e tij, Gruevski. Një numër i madh i shqiptarëve votuan për LSDM-së opozitare. Kjo parti opozitare i kishte dy kandidatë shqiptarë në listë, por kjo është vetëm një arsye.

Fakti që shqiptarët, kryesisht në zonat urbane, votuan pasivisht për LSDM-në opozitare interpretohet si inkurajues dhe tregues i rëndësishëm se po fillon të tejkalohet thjesht përkatësia etnike. Ky parim tani është dominues dhe, sipas disa analistëve, edhe më rrënjësisht do të ndryshojë në zgjedhjet e ardhshme. Shqiptarët kanë votuar për opozitën, por kundër Gruevskit, për arsye se në fushatën zgjedhore ai i ka tensionuar marrëdhëniet ndërnacionale. Duke i akuzuar socialdemokratët se angazhohen për dygjuhësi, për kantonizim dhe për federalizim të Maqedonisë, Gruevski në mënyrë të pakontrolluar e inkurajoi albanofobinë, prandaj e mori përgjigjen e duhur nga shqiptarët.

Fushata ndjellakeqe

Parashikimet se fushata zgjedhore do të jetë e pistë dhe e pamëshirshme, jo vetëm që dolën të vërteta, por edhe u tejkaluan me rrezikshmëri. Nuk ishin aspak të buta sulmet e partive opozitare, por fushata e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe Gruevski ishte ogurzezë. Kulminacioni ishte i tërthortë, por kërcënim i qartë për likuidim fizik, të cilin Gruevski ia kishte drejtuar Zaevit. Reagimi i publikut ishte i ashpër, kurse shpjegimin e Gruevskit se është keqkuptuar pakkush e pranoi.

Fushata e partisë së Gruevskit ishte e mbushur me gjuhë të urrejtjes dhe frikësimit të qytetarëve nga rreziku i albanizimit, kantonizimit dhe federalizimit të Maqedonisë, për çka kinse angazhohej Zaevi. Madje shkuan aq larg sa liderin e opozitës e akuzuan kinse atë e financon Diaspora shqiptare, e cila angazhohet për «Shqipërinë e Madhe» dhe për ndarjen e Maqedonisë. Një nga arsyet kryesore për frikësimin e qytetarëve në fushatë ishte edhe paniku i frikshëm i Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të tij për largim nga pushteti. Kjo do ta hapte derën për të nisur llogaridhënien për përgjegjësinë e tyre për autokraci dhe regjim totalitar, me të cilin në mënyrë të pafalshme dhe të pariparueshme e kishin lënë prapa Maqedoninë.

Fushata e pamatur e Gruevskit e kishte edhe një dimension tjetër, për atë shumë të rëndësishëm. Duhej ta tërhiqte vëmendjen e publikut për dyshimin e vjedhjes, të korrupsionit dhe të krimit në të cilin ishte i përfshirë kreu i partisë së tij, për ç’gjë në mënyrë të qartë dëshmon skandali i përgjimeve. Akuzat e mega-skandalit të përgjimeve po i shqyrton Prokuroria Speciale, e në hetimet e udhëhequra, të dyshuar janë zyrtarët e lartë të VMRO-DPMNE-së. Në kuadër të fushatës zgjedhore, kjo parti ka paralajmëruar suspendimin e Prokurorisë Special, si «një nga kushtet për tejkalimin e krizës».

Mesazhet e qarta

Pjesëmarrja rekorde e qytetarëve dhe votimet masive kundër Gruevskit dhe Ahmetit, si dhe kundër partive të tyre, tregon qartë se çfarë mendojnë qytetarët e Maqedonisë për mënyrën se si e udhëhoqën dhe e çuan ata vendin në krizë. Qytetarët votuan masivisht kundër regjimit totalitar, të cilin Gruevski e vendosi me ndihmën dhe me mbështetjen e Ahmetit. Ata nuk arritën për pak ta rrëzojnë këtë regjim, por megjithatë e dërguan një mesazh të qartë.

Gruevski dhe Ahmeti, bashkë me partitë e tyre, të cilat së bashku për tetë vjet janë në pushtet, janë përgjegjës për krizën më të rëndë në Maqedoni që nga pavarësia e saj. Shumica e qytetarëve mendojnë se partitë që e kanë shkaktuar krizën nuk mund ta zgjidhin atë, veçanërisht për shkak se në radhët e tyre ka edhe të tillë që janë të dyshuar për krim. Partitë e Gruevski dhe Ahmetit mezi u nxorën nga këto zgjedhje dhe me një shumicë minimale, 61 nga 120 deputetë, mund ta formojnë qeverinë. Se si do të qeverisin, kjo nuk është vështirë të paramendohet.

Lideri i VMRO-DPMNE, Gruevski, i cili e pretendon postin e kryeministrit, në deklaratën e parë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve tha se ai nuk e kupton mesazhin e qartë të zgjedhjeve. Ai iu drejtua qytetarëve sikur një fitues absolut i zgjedhjeve dhe si një udhëheqës i padiskutueshëm dhe përsëri e akuzoi opozitën se është fajtori i vetëm për krizën në Maqedoni.

(Publikuar nga al-Jazeera Balkan)