E hidhura Spanjë




E hidhura Spanja ime. Spanjë! Spanjë!
Atdhe i ndarë më dysh, ku janë fitore
dhimbjet e tjetrit. Kur ia thua këngës,
vajtimin tim për flamur merr, vëlla,
se Spanja po ha Spanjën, Spanja vetes
një kasaphanë të gjatë i ka kurdisur.

Dua të të qafoj, vëlla, po nomet
s’i lënkat gjokset tona të bashkohen.
Dikush më tha (gënjen!) se ndër damarë
s’më rridhka edhe mua i njëjti gjak,
ky gjak shpërthyes, gjak i dashuruar,
që vret nga dashuria, për të na shpëtuar,
ky gjak i çmendur nga një ëndërr e çmendur,
ky gjak krenar e i bukur i fisit,
i vetmi gjak që kam për sa jam gjallë,
i bijve të mi e i veprave të mia.

Nuk dua që të dy të ecim bashkë.
Te dyve do të na flisnin si burri burrit,
ndonëse me fjalë të tjera, të njëjtat ethe.
Se dashuria kuptohet nga vështrimet,
nga heshtja, nga nxehtësia dorë më dorë,
dhe shoqëritë, festimet e takimet
mjaftojnë kuptim botës për t’i dhënë.
Si ti, vëlla, dhe unë do të desha
të çlodhem, të vazhdoj punën e nisur,
detyrën tënde e detyrën time,
atë që kemi të gjithë ndaj të gjithëve,
që nënat tuaja nga varri i thellë,
ku tokë Spanje tashmë janë bërë,
të mos na nëmin dhe i huaji një ditë
të mos na nxjerrë në treg të zi të kombeve.

Etje për Spanjë kam, spanjoll, dhe kam uri
që më zhurit, më pret edhe më djeg
në kocka, në mendime e në frymë.
Uri dhe etje kam, vëllezër, e po digjem
në këtë vetmi të errët ku urrejtja
më zbulon rrënjët dhe gjarpëri spiun
nga terri fishkëllen gjithë tërbim.

Përse s’më lini që ta dua Spanjën,
të varfrën Spanjë të heshtur e të thyer,
të shpartalluar nga një lindje e pezmët,
tek qan për bijtë që vrasin njëri-tjetrin,
që më fort se për të shkuarën e për të tashmen,
për të korrat e turbullta të së ardhmes dridhet?

Përse, kush nuk më lë që ta ngre këngën
përsipër frikës e përsipër plumbave,
mbi urinë e popullit tim duke u ngritur,
në një heshtim të ngrydhët e të qefinosur,
me flatra të shpupluara nga zvarritjet?

Dua ta zbraz, ta shfrej gjithë dashurinë
mbi pendimin e ndyrë të kafshëve,
mbi thikën që në errësirë mprihet
për ty, për mua, për kë t’i dalë para,
vëlla, vëlla, që e verboftë gjaku,
ndërsa të vdekurit ngrenë zënë e kundërshtojnë,
ndërsa me të rënë perdja fillon drama.

Dua ta klith, ta këndoj gjithë dashurinë,
dhe në më vrafshin e në më pengofshin malet
dhe në e mbuloftë botën heshtja det,
se fjala lëshon dritë përmbi ujin,
mbi gjakun e mbi kohët e mbi kufijtë.

Edhe ky gjak imi, edhe këta krahë
(sot i gjymtuar ndihem trup e shpirt),
edhe miqtë, edhe të afërmit janë nën pluhur,
qofshin në rrugë a qofshin në varreza,
duke ushqyer kallinjtë e bukës sate,
duke rritur mëllaga me sytë, bar,
karafila për dashurinë ose për zogun.

Edhe po të mos doni, ju po hani
të vdekurit e mi dhe unë tuajtë,
dhe nesër bijtë tuaj që s’kanë lindur
do të hanë hakmarrjen që sot po i jap
vargut, erës. Më dhemb, Spanjë, gjakoj Spanjë,
dhe do të pështyja Spanjë, po të pështyhej.

Edhe unë jam Spanjë, dhe ti e di,
e hidhura Spanja ime, atdhe i fismë,
që më i ëmbël shpresave më bëhesh,
Spanjë e të gjallëve të mi dhe e të vdekurve,
e të burgosurve të mi dhe e të lirëve.
Ma njohin rrugët e tua djersën, shputën,
etjen time të kthjellët e të thellë.
Të brodha pash më pash duke kënduar,
në paqë e në luftë, i sikterisur
prej cave e i përkujdesur prej
të tjerëve që më njohin e më duan.
Dhe ra ky trupi im mbi tokën tënde
Nga lotët njelmur dhe nga gjaku skuqur.
Ujërash të tua mishi m’u kalit
dhe nën yjet e tua më zu gjumi
me Mesdheun në vend të nënkresës,
me ajrin tënd e me freskinë e palmave,
me buzë hekurash, telash me gjemba,
ku njerëzit e tu u bënë mbinjerëz.

Të desha e të dua, Spanjë, të tërën,
dhe prapë do të të dua fshetësisht,
apo lirisht, si të dojë fati, zoti a njeriu,
pa marrë nishan askënd me dashurinë time,
popuj të botës së gjerë, njerëz të botës.

Spanjisht flas dhe spanjisht po merrem vesh,
erë Spanje bie fjala ime e rreshkur,
nga dashuria e trimëria e pjekur,
burimeve të thella e mjaltuar:
ka pite mjalti brenda djepit tim.

Të kafshoj, Spanjë, dhe hidhësia jote
ma shpejton pulsin, klithmën ma përskuq,
dikur duke luftuar si një mal,
dikur i humbur nëpër ujin e derdhur,
mbi gurin e zhuritur, duke jetuar
e duke vdekur me ty pa pushim.

Dhe poshtë gjestit tim, si një luan
buluron lumi i shqetësimeve të mia
me dashuri i mbushur, po edhe me mëri:
biri yt i përkryer, Spanjë, s’u lind,
dhe erëmimi im gjithë padurim pret vdekjen,
me qumësht në buzë, tokë mëmë.

Shihmë si drithëroj tamam si gjethet
e pemëve që ti i bën të qeshin
me erën e majave e grykave të tua.
Shikomë si jetoj, si bie në gjunjë,
duke fërgëlluar me fshatrat e me detrat
dhe guxo të më thuash që nuk paskam
limfën tënde në flakadanët e mi të harbuar,
ankthin tënd dhe besimin tënd,
damkën tënde të pashlyeshme, të zjarrtë
mu në brinjën e gjallë të brengës,
mu në vargun diellor me të cilin thërras.

Shikomë brenda sysh thellë e më thellë
dhe të kuptosh në jam a s’jam yti.
Dëgjomë, pa dëgjuar se ç’të thonë
të tjerët që prej meje të dëgjosh.
Dhe vritmë, ti atdhe, vritmëni ju,
në s’shpalltë dashuri të përkryer kjo këngë.
1956

Autori u lind më 1913 në Guadalajara. Mbaroi Fakultetin Juridik në Universitetin e Madridit. Veprat kryesore poetike: «Mbrojtja e njeriut» (1950), «Nëna» (1959), «Poezi pas manierës spanjolle» (1962), «Burim i kthjellët» (1965). Poezia është përkthyer nga Aurel Plasari