E gjithë Evropa ndihet e lehtësuar

Populisti i djathtë Wilders nuk mundi t’i realizonte parashikimet e tij për fitore në Holandë. Në Gjermani dhe në Francë marrin frymë të lehtësuar. Analizat nga Britania e Madhe dhe SHBA janë optimiste.

Geert Wilders. Foto: beijersbergen / Shutterstock



Në zgjedhjet parlamentare në Holandë nuk u përsërit skenari Trump. «Këtë radhë parashikimet nuk ishin kaq gabim sikurse me Brexititn dhe rastin e Donald Trumpit» e citon Neue Zürcher Zeitung homologen e saj «Süddeutsche Online». E gjithë Evropa është e lehtësuar. Ndërkohë, populistët e djathtë evropianë janë të zhgënjyer, para së gjithash AfD-ja gjermane dhe Marine Le Pen në Francë, e cila madje aspiron postin e presidentes së Francës. Mirëpo, fituesit në Holandë, Mark Rutte, tani i duhen katër partnerë për formimin e qeverisë. Prandaj, në fund, mbase megjithatë kryeministër mund të bëhet dikush tjetër, druan «Süddeutsche Online». Gjithsesi formimi i qeverisë mund të bëhet një çështje javësh, apo muajsh.

Ndihma e Erdoganit

«Ngadhnjim i arsyes» e quan «Spiegel Online» rezultatin e zgjedhjeve parmalemntare në Holandë. Kundërkandidati i Wildersit, aktualisht kryeministër, Rutte, ka përfituar sidomos nga grindja holandezo-turke e kohëve të fundit. Ai u afirmua si një menaxher krizash dhe pajtues. «Rutte tërhoqi vijën e kuqe, së pari, me refuzimin për hyrje në vend të ministrit të jashtëm turk, pastaj me përcjelljen miqësore, por të vendosur nga vendi» të ministres për familjen. Sa më tepër që fyente presidenti Erdogan pastaj, aq më shumë solidarizohej populli holandez me kryeministrin, analizon «Spiegel Online».

Gazeta franceze «Le Figaro» shkruan: «Propozimet radikale të Wildersit ashiqare nuk e frikësojnë më popullin holandez, i cili deri më tani i njihej për përmbajtjen e tij.» Rezultati është një lehtësim i madh për partitë tradicionale të Evropës dhe shtron pyetje në lidhje me kufinjt potencialë për ngjitjen e Marine Le Penit.

Krahasime të ngutura?

Sipas vlerësimeve të mediave të ndryshme, Holandës punët i shkojnë mbarë, populli holandez nuk kishte ndonjë arsye për një ndryshim total politik. Nëse ky rezultat i zgjedhjeve në Holandë mund të jetë një arsye për të marrë frymë lirisht lidhur me zgjedhjet e ardhshme në Francë dhe në Gjermani, nuk mund të thuhet, vazhdon Neue Zürcher Zeitung analizën e mediave. Kështu, për shembull, «New York Times» shkruan: «Pavarësisht të gjithave, është e pasigurt, nëse Holanda, njëri ndër vendet më social-liberale të Evropës, mund të merret si një indikator i besueshëm për zgjedhje të tjera të rëndësishme në këtë vit.»

Pas Brexitit edhe në Britaninë e Madhe, interesimi për zgjedhjet në Holandë ishte i madh. Por, «The Guardian» komenton se situata politike në Holandë që nga fillimi nuk ka qenë e krahasueshme me Brexitin, apo Trumpin. Fundja, në këto vendime gjithçka sillej rreth parimit «Winner takes it all» (Fituesi i merr të gjitha). Kështu që zgjedhjet në Francë janë më shumë të krahasueshme me Brexitin, apo Trumpin. Një dalje e Holandës nga UE-ja, një Nexit, nuk do të kishte pasur gjasa edhe në rast të një fitoreje befasuese të Wildersit, sepse partisë së tij do t’i mungonin partnerët e koalicionit. Edhe vetë një Frexit është shumë i vështirë të implementohet politikisht, nëse Le Pen i fiton zgjedhjet, shkruan «Guardian». ks