E gjeneral Dikoviqin? Atë e prisni me lule!

Shefi i UNMIK-ut, ambasadori i SHBA-ve dhe protektorë të tjerë ndërkombëtarë bëjnë mirë kur dënojnë deklaratën kërcënuese të deputetit Daut Haradinaj ndaj pakicës serbe. Por heshtja e tyre mbi akuzat e rënda për krime lufte në Kosovë kundër shefit të ushtrisë serbe i bën hipokritë. Gjeneral Lubisha Dikoviqi vjen lirisht në Prishtinë.



Daut Haradinaj nuk është politikan për t’i thënë mashalla. I dënuar me pesë vjet burg për rolin e tij në rrëmbimin e pesë ushtarëve të FARK-ut, Haradinaj mbetet një figurë e dyshimtë politike në arenën e pistë politike të Kosovës. Mes datës 23 dhe 24 qershor 1999 disa ushtarë të «Shtabit të UÇK-së» për rajonin e Dukagjinit, të armatosur me kallashnikovë dhe në uniformë të UÇK-së, shkuan në Shtëpinë e Mallrave në Pejë për t’i marrë viktimat, të cilët ishin civilë dhe të paarmatosur. Ushtarët u thanë viktimave se po i kërkonte Ramush Haradinaj, andaj duhej të paraqiteshin në «Shtabin e UÇK-së» në fshatin Ratishë. Sipas aktgjykimit të shpallur në vitin 2002 takimi me Ramush Haradinajn nuk u realizua. Në vend të tij viktimat i takoi Daut Haradinaj, i cili, gjithnjë sipas aktgjykimit, goditi me grusht secilën nga viktimat, pastaj i rrahu me thupër – derisa u alivanosën.

Në vijim të ngjarjes së rëndë Idriz Balaj me disa ushtarë të tjerë i dërgoi viktimat afër një gardhi, ku vazhdoi poshtërimi. Të kidnapuarit u detyruan të zhvishen dhe të bien përtokë, me ç’rast u keqtrajtuan me armë. Viktimat gjatë torturës humbën vetëdijen, por atyre iu kthye vetëdija «me ujë të ftohtë», siç thuhet në aktgjykim. Më mizori u tregua Idriz Balaj. Me thikë ai gërvishti në shpinë njërën nga viktimat, Bashkim Balajn, i cili mandej u vra. Tri viktima të tjera (Sinan Musaj, Rexhë Osaj dhe Ramë Idrizi) u zhdukën pa gjurmë pasi u çuan te një lumë, ku sipas të gjitha gjasave u pushkatuan. Një viktimë (Vesel Muriqi) arriti t’u shpëtonte vrasësve nga duart dhe u bë dëshmitar kyç gjatë procesit gjyqësor në vitin 2002. (Me atë rast Idriz Balaj si i akuzuari kryesor u dënua me 13 vjet burg, por vuajtja e dënimit në Kosovë iu ndërpre pasi u akuzua nga Gjykata e Hagës  -bashkë me Ramush Haradinajn – dhe përfundoi në paraburgim të Tribunalit për ish-Jugosllavi. Pas lirimit në Hagë dhe kthimit në Kosovë Balaj duhej të vuante edhe dy vjet e gashtë muaj burg për krimin ndaj ushtarëve të FARK-ut. Por drejtësia zemërgjerë e Kosovës ia fali këtë pjesë të dënimit duke ia llogaritur paraburgimin në Hagë, ku akuzohej për krime të tjera, si vuajtje të dënimit).

Sa i përket Daut Haradinajt: edhe pas luftës ai është përmendur në kontekst të veprimtarive të paligjshme. Në nëntor të vitit të kaluar gazetari Vehbi Kajtazi shkruante në Insajder: «Në kohën kur hetuesit e EULEX-it po punonin intensivisht për të zbuluar kriminalitetin e dyshuar të Ukë Rugovës, ata kishin nën hetime edhe deputetin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj.

Haradinaj, vëllai i kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, dyshohej për dy vepra penale: krim të organizuar dhe detyrim, apo siç njihet kjo vepër si haraç».

Këto ditë Daut Haradinaj sërish është gjendur në fokusin e mediave, të diplomatëve dhe të politikanëve serbë. I mllefosur që vëllai i tij Ramush Haradinaj që nga fillimi i janarit po detyrohet nga drejtësia franceze të qëndrojë në Strasbourg derisa të merret vendimi për një kërkesë të Serbisë për ekstradim, Daut Haradinaj ka dhënë një deklaratë të papranueshme: ai ka kërcënuar me përzënie të pakicës serbe nëse vëllai i tij ekstradohet në Serbi. Menjëherë kanë protestuar ambasadori amerikan, shefi i UNMIK-ut, i cili ka kërkuar edhe hapjen e hetimeve kundër Daut Haradinajt, ndërsa për politikanët serbë llafazanëria kërcënuese e Haradinajt është vetëm një shans i radhës për të intensifikuar propagandën antikosovare. Nuk duhet të befasohet askush nëse Beogradi kërkon edhe mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për «deklaratën e Haradinajt».

Shefi i UNMIK-ut, ambasadori i SHBA-ve dhe protektorë të tjerë ndërkombëtarë bëjnë mirë kur dënojnë deklaratën kërcënuese të deputetit Daut Haradinaj ndaj pakicës serbe. Por heshtja e tyre mbi akuzat e rënda për krime lufte në Kosovë kundër shefit të ushtrisë serbe i bën hipokritë. Gjeneral Lubisha Dikoviqi vjen lirisht në Prishtinë. Në nëntor të vitit 2015 ai nënshkroi në kryeqytetin e Kosovës një marrëveshje me gjeneralmajorin dhe komandantin e atëhershëm të KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglietta, me të cilën hiqej zona 25-kilometërshe e ndalimfluturimit për avionët serbë në rripin kufitar me Kosovën.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) në Serbi nuk ka asnjë dyshim se gjenerali Lubisha Dikoviq është pjesëmarrës në krime të rënda të luftës në disa fshatra të Drenicës. Në një raport prej 50 faqesh përshkruhen vrasjet dhe veprimet e tjera çnjerëzore të Armatës së Republikës Federale të Jugosllavisë në katër fshatra kosovare mes datës 5 prill dhe 27 maj 1999. Hulumtimet e kryera nga specialistët e Fondit për të Drejtën Humanitare, dokumentet ushtarake të siguruara, deklaratat e dëshmitarëve dhe të dhëna të tjera tregojnë se fshatrat e goditura nga dhuna e shfrenuar shtetërore kanë qenë në zonën e përgjegjësisë së Brigadës së 37-të të Motorizuar të Armatës jugosllave. Brigadën në fjalë atëbotë e kishte komanduar Lubisha Dikoviq, i cili është shef i Armatës së Republikës së Serbisë që nga viti 2011.

Kur u prezantua raporti, drejtoresha e FDH-së, Sandra Orloviq, deklaroi se «dëshmitë tona të bazuara në deklaratat e dëshmitarëve dhe në dokumentet e Tribunalit të Hagës tregojnë për pjesëmarrjen e kësaj njësie në sulme dhe më vonë në transportimin e kufomave» nga Kosova në varreza masive në Serbi. Kufomat e dhjetëra viktimave nga Kosova janë gjetur në varrezën masive në gurthyesin «Rudnica» afër Rashkës, pak përtej kufirit verior të Kosovës me Serbinë. Ndonëse Fondi ka kërkuar nga drejtësia serbe të nisë hetimet kundër Dikoviqit dhe ta nxjerrë atë para gjyqit, politika serbe ka vepruar ndryshe: presidenti Tomislav Nikoliq e ka dekoruar atë me «Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë».

Kur gjeneral Dikoviqi erdhi në Prishtinë në nëntor 2015, ambasador i SHBA-ve në Kosovë ishte ky që është sot: Greg Delawie. Ai heshti atëherë, heshti edhe më vonë për akuzat që i bëhen Dikoviqit. Heshti edhe diplomati afgan Zahir Tanin, i cili në tetor 2015 mori detyrën e shefit të UNMIK-ut. Kush hesht kaq shumë, kush e lejon vizitën e një gjenerali serb të akuzuar për krime nga një organizatë kredibile për të drejtat e njeriut, zor se mund të merret seriozisht kur kritikon një deklaratë tërësisht absurde dhe të patolerueshme të një politikani kosovar, qoftë ai edhe Daut Haradinaj.

Në fillim të dhjetorit 2015, vetëm pak ditë pasi në Prishtinë qëndroi gjenerali Dikoviq, në Nish aterroi një avion i qeverisë së Serbisë. Fluturakja solli nga Haga në Nish gjeneralin serb Vladimir Lazareviq, njërin prej kriminelëve më të mëdhenj serb të luftës në Kosovë (1998/99). Për ta shoqëruar Lazareviqin në rrugën nga Haga në Nish në Holandë shkuan ministri i Drejtësisë i Serbisë Nikola Selakoviq dhe ministri i Mbrojtjes Bratisllav Gashiq. Në aeroportin e Nishit Lazareviqin, të dënuar me 15 vjet burg për krime lufte në Kosovë nga Gjykata e Hagës, e pritën ministri për punë, çështje sociale dhe të luftëtarëve Aleksandar Vulin, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë Lubisha Dikoviq, përfaqësues të qytetit, të kishës dhe disa qytetarë. Nuk u dëgjua atëbotë asnjë fjalë kritike as nga diplomatët perëndimorë në Beograd, as nga ata në Prishtinë pas pritjes që ia bëri qeveria serbe një krimineli të luftës. Aktualisht Tribunali i Hagës po kërkon ekstradimin e tre funksionarëve të Partisë Radikale të Sheshelit. Përgjigjja e qeverisë serbe është e qartë: nuk do ta ekstradojmë këtë treshe. Mbetet të shihet sa do të zgjasë heshtja e diplomatëve perëndimorë ndaj provokimit të radhës nga Beogradi.