E ftojmë Donald Trumpin për vizitë në qebaptoren «Tymnaja»

Në Republikën tonë ka filluar pastrimi i madh pranveror. Dy milionë njerëz dhe katër milionë duar po përgatiten për të pritur presidentin e ri amerikan. Ai do të qëndrojë në Kosovë në ditën e parë të prillit. Ose të dytën. Mirë se vjen! Mirë se vjen! Mirë se vjen!

Ilustrimi: Shutterstock



«Këtë ditë e kemi pritur», tha Shabani.
«Të lumtë ne», tha Hasani.
«Vizitë historike», tha Ramadani.
«Njeri! Njeri! Po vjen ai njeri», tha Hekurani.
«Amerika përherë ka qenë dhe do të jetë me neve», tha Sinani.
«Zoti në qiell, Amerika në tokë», tha Limani.
«Nuk e di përse frikësoheshit se do të na kthejnë shpinën Washingtoni», tha Toni.

Shabani, Hasani, Ramadani, Hekurani, Limani, por edhe Toni me tezet e tij, pastaj Yllka, Manushaqja, Trëndelina, Morena, Lorena dhe Ena janë bërë bashkë me dy milionë të tjerë shqiptarë të Kosovës dhe kanë filluar përgatitjet për pritjen e presidentit Donald Trump, i cili ka konfirmuar vizitën e tij në Kosovë më 1 prill. Katër milionë duar po punojnë pandërprerë.
Ftesën Trumpit ia ka dorëzuar personalisht në zyrën ovale vetë shefi i OÇQ-së, Organizatës për Çlirimin e Qebaptoreve. Atë ditë kur shefi i OÇQ-së hyri në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë me një tabak me qofte, rojet lanë krasitjen e shkurreve dhe kositjen e barit. Takimin me Trumpin e anuloi edhe Benjamin Netanjahu dhe me terpillëk mesdhetar iu hodh tepsisë.

Në takim me delegacionin kosovar presidenti Trump, pasi falënderoi për vizitën ardhacakët, nxori telefonin e mençur (i vetmi send më i mençur se ai) dhe fotografoi ftesën që kishte marrë në emër të popullit të Kosovës dhe menjëherë e postoi në Twitter me shënimin: «So great!» Presidenti tha se gjatë katër javëve të fundit Kosova kishte qenë preokupimi i tij kryesor, andaj bota krijoi gabimisht përshtypjen se në dhe rreth Shtëpisë së Bardhë po mbretëronte kaosi.

Megjithatë, disa avari ndodhën ende pa filluar të lëvizë lokomotiva e administratës së re. Gjykatësit pezulluan një dekret presidencial, i cili ndalonte hyrjen në SHBA të disa myslimanëve. Presidenti u ankua se zëdhënësi i tij po bartte kostum të papërshtatshëm. «Nuk është e vërtetë se burri e bart kostumin. Kostumi e bart burrin», tha presidenti, ndërsa po e rregullonte nga njëri gju në tjetrin kravatën e tij të kuqe dhe të lidhur shkurt.

Këshilltari për Siguri Kombëtare dha dorëheqje për shkak se kishte insistuar që inaugurimi i presidentit të ri të mbahet në Sheshin Bill Clinton në Prishtinë, me ç’rast shefi i Organizatës për Çlirimin e Qebaptoreve do të therte të gjallë e të vdekur që ceremonia të kalonte si është më së miri, siç i ka hije vendit më proamerikan në botë dhe në planetë të tjerë. Këshilltari për Siguri Kombëtare një ditë, duke dashur t’i telefonojë shefit të Organizatës për Çlirimin e Qebaptoreve në Kosovë gaboi numrin – në vend të +377… zgjodhi +7… – dhe në anën tjetër të linjës e hapi telefonin ambasadori i Rusisë në Washington, i cili për shkaqe sigurie me këshilltarin amerikan të sigurisë fliste vetëm me telefon mobil me numër të telekomit rus.

Kështu u bënë punët rrëmujë dhe vizita u shty, por tani gjithçka është në rregull. Presidenti do të vijë, siç u tha, më 1 prill. Fotografinë tashmë e keni parë. Është zyrtare. E rëndësishme. Historike. Tani ato katër milionë duar do të kujdesen që ky vend të shndrit. Vajzat që lindin deri më 1 prill të gjitha do të pagëzohen me emrin Melania. Djemtë Janez (në respekt të kushërinjve sllovenë të Zonjës së Parë). «E Donald? Donald kush do të quhet?», pyeti pjatalarësi i qebaptores «Tymnaja»? «Dy milionë shqiptarë të Kosovës janë Donalda», tha shefi i Organizatës për Çlirimin e Qebaptoreve, duke treguar se urdhri i tij hynte në fuqi menjëherë. Edhe Toniblerat e Kosovës tani do të quhen Donald.

Siç u tha tashmë disa herë presidenti i ri do të vizitojë vendin tonë të dashur më 1 prill. Ose ndoshta më 2 prill. Ndofta i mbushet mendja, kushedi, të ndalet në Bled të Sllovenisë, ku do të takojë vjehrrën dhe vjehrrin, ndërkohë që ministria e Turizmit e Sllovenisë do të organizojë një parakalim të lipicanëve, kuajve të mirënjohur sllovenë. Por në prill ai do të vijë. Do të vijë, sepse kështu po thotë shefi i Organizatës për Çlirimin e Qebaptoreve.