E dua Sokratin, por më shumë të vërtetën

Një polemikë me Enver Robellin.

Foto: Shutterstock

Enver,
pata kënaqësi të lexoj një polemikë të kulturueme dhe t’shkrueme me stil, porse në temën që shtron – idenë e kombit kosovar – vërehet se nuk ke referenca të duhuna dhe as të bollshme. Falemneres për faktin se po e ço debatin manej se reagimi ad hominem që i bahet Ben Blushit knejpari, ngase n’internet ka nisë njëfarë histeria masive nga injorantë turbofolk dhe inferiorë kosovarë, porse ke dhe tek shkrimi yt kundërthënie.

I.
E para, unë me shkollë jam sociolog (kam studiuar për filozofi-sociologji), por fah e kam gazetarinë e kënaqësi më japin dijet humane, shkencat politike dhe historia. Pra, ti po gabon kur thua se nuk i takon një publicisti me qenë inxhinier etnik (etnia, koleg i dashtun, është kategori statike e kombi variabël), pra ti e ke përzie etninë me kombin, ngase e mendon etninë (ndjenjën e përkatësisë, gjakut, truallit e gjuhës) e flet për kombin, që duket se e kupton sipas shkollës shqiptare/kosovare identitare, me të vetmen referencë «kombin kulturor gjerman» dhe definicionin e Stalinit. Dhe ne «inxhinierët etnikë» (sic!) po i urdhëruakemi njerëzit se si të ndihen!? Madje me cinizëm thua se ne po e teprojmë përditë me shkrime gazete në këtë drejtim. Për mua kurrë s’ka mjaft ide dhe mjaft shkrime. Nejse. Na duhen shumë ide e shumë shkrime, pse jo edhe për teoritë identitare, edhe për kombin kosovar. Ia ke huq muhabetit qysh në fillim.
«Ne» nuk urdhërojmë njerëzit, sepse nuk merremi me njerëzit – ne merremi me idetë sociale e politike-kulturore moderne dhe me teoritë moderne identitare, sado të mëdha e «të shenjta» qofshin, sepse askush tjetër më shumë se publicistët nuk i kuptojnë identitetet si të shumëfishta e të shndërrueshme që janë, fazat e ndryshme të ngjizjes së kombeve nga embrioni (statu nascendi – ideja e shtetit në lindje e sipër, sipas Ortega y Gasset), lëvizjet kombëtare deri tek shtetkrijimi (kombkrijimi) dhe maturimi i kombit (pranimi i shtetit kombëtar në OKB.)

Enver, e kush u dashka të merret me «inxhinieringun» e kombeve pos elitave politike e kulturore, shkrimtarëve e gazetarëve, mësuesve e historianëve, publicistëve e politologëve? Pra, po thua «t’u themi shqiptarëve të Kosovës: burra e gra deri dje kemi qenë shqiptarë, sot prekeni një sustë në zemrën tuaj dhe shndërrohunu në kosovarë». Kush, kur e ka thanë një marrëzi të tillë, pra kjo është një përfolje sa naive e teorive që ngrehim ne – disa ideologë të kombit kosovar – aq edhe mosnjohje e thelbit se çfarë themi na. Pra, keqlexim ose keqinterpretim i qëllimshëm.
E na themi se etnia shqiptare ka «derivuar» dy shtete/kombe, dhe të qenimit komb kushtetues («njësi e rritur», sipas Urs Altermatt) kosovar nuk bie ndesh me të qenmit shqiptar etnik, sepse titullar të shtetit sovran (Republikës së Kosovës) dhe kombit kosovar janë shqiptarët etnik të Kosovës, si shumicë, e cila e ka rreshtuar lëvizjen e vet kombëtare për çlirim e pavarësi kombëtare dhe ia ka dalë mbanë të krijojë shtetin, pra ta realizojë projektin e vet kombëtar duke pasur në pronësi të vet shtetin.
Mirëpo, e dëshirueshme është që pakicat etnike të integrohen në kombin e ri për të krijuar një komb unik në diversitet. (Unë personalisht nuk e pranoj idenë e kombit kulturor se ka komb pa shtet dhe pa një kushtetutë dhe ligj të përbashkët për të gjithë anëtarët, pra unë jam për kombin me bazë qytetare).
«Nuk mendoj se publicistët duhet të jenë inxhinierë etnikë, që njerëzit i urdhërojnë si të ndjehen: shqiptarë apo kosovarë? Unë sa për vete nuk shoh kundërthënie në faktin se rreth dy milionë shqiptarë të Kosovës mund të jenë shtetas lojalë të Kosovës, pra shtetas kosovarë dhe shqiptarë njëkohësisht. Por, t’ju themi shqiptarëve të Kosovës: burra e gra, deri dje keni qenë shqiptarë, sot prekni një sustë në zemrën tuaj dhe shndërrohuni në kosovarë – kjo s’jam i sigurt që funksionon».
Askush kurrë nuk u ka thanë kosovarëve të mos ndjehen shqiptarë. Sepse te qenmit shqiptar etnik nuk bie ndesh me përkatësinë kombëtare kosovare.
Dhe nuk ekziston «inxhiniering etnik», porse ekziston «inxhiniering kombëtar». Pra, shqiptarët kosovarë janë ngjiz në komb kosovar dhe njëkohësisht mbesin shqiptarë etnikë. Të lutëm për korrektësi së paku në terminologjinë themelore.
Ne shkrimin tënd të mëparshëm i bëje vërejtje Ben Blushit se ka «harruar» sukseset e kosovarëve në sport, në ish-Jugosllavi, por ai thjesht thoshte një të vërtetë. Porse i bëje vërejtje edhe pse ai s’e ka peshuar madhështinë e disa solistëve klasikë si Inva Mula, porse kishe harru se ajo asht çika e Avni Mulës, gjakovar me nanë e babë, emigrant n’Shqipni. Pra, kosovare me origjinë.
Mirëpo, kjo tezë jotja ishte lehtë e rrëzueshme, sepse kishe harru Merita Junikun, Sanije Matoshin e Alberta Tronin, që kanë vepru e punu në kushte të jashtëzakonshme, në kushte lufte, ndërsa që Inva Mula qëlloi me shumë pasuni (para) dhe përdori atë për me u afirmu nëpër botë e kosovaret nuk e patën as mbështetjen e shtetit (propagandës) as të parasë? Elbenita Kajtazi sot po ngjitet në piedestalet e klasikes krahas Plácido Domingo. Petrit Çeku po shkëlqen në kitarë.
Kurse Ehat Musa ka hyrë në legjendë. Dhe i përqesh reperët. Mendoj se bën keq. Unë nuk e pëlqej repin, porse nuk e urrej, sepse është gjuhë e muzikës në erën e globalizmit.
Dhe nuk e ditke se shumë talente muzikorë kosovar me origjinë u zbuluan dhe shkëlqyen, por edhe morën çmime pikërisht në ato spektaklet e televizioneve shqiptare.
Që nga Festivali i RTSH-së, Voice of Albania, X-factor etj.
Qe shembuj: Ka fituar çmime Eliza Hoxha në Kënga në Radiotelevizion, pastaj në Voice Florent Abrashi, Venera Lumani.
Sa i përket disiplinës, ke të drejtë, kosovarët atë e arritën duke qenë banorë të shteteve të organizuara mirë e jo në Kosovë. E pse Blushi paskësh thënë se «kosovarët dinë t’i përdorin muskujt», besoj që nuk e ka lënduar «kosovarizmën». Ai e ka bërë një metaforë, ngase në sportet marciale ata shkëlqejnë rëndom, që nga Klubi i Boksit Prishtina, katër herë kampione e shtetit 25-milionësh, ish-federatës jugosllave dhe medalje olimpike e kampionate europiane nga Shaban Sejdiu e Shaban Tërstena, nga Aziz Salihu e Mehmet Bogujevci. Tash Majlinda… Dhe po ashtu ke të drejtë se Blushi e huq kur thotë se «ata prodhojnë – ne blejmë», nëse nuk e ka vetëm për sportistë dhe artistë!?
II.
Ben Blushi ka bë një shkrim t’bukur publicistik (me finesa letrare) dhe jo ese ose studim sociologjik, që të operojë me termin «komb kosovar», sepse ashiqare duket që ai nuk i njeh teoritë identitare, por mos ma vë në shpirt «bindjen gjithsesi të gabuar» në mënyrë arbitrare, sepse unë askund nuk e shpreha një bindje të tillë, askund nuk thashë që Blushi flet për kombin kosovar në burimin etimologjik të termit. Pra, mos më akuzo për gabimin që s’e kam bërë.
Porse Blushi ia ka nxjerr thelbin çështjes së diversitetit kulturor brenda etnikumit shqiptar: çlirimit kultural të Kosovës të shtrëngueme nga paternalizmi (hegjemonia kulturore) duke i zmbraps rrahagjoksat (të rendit të parë të qytetarisë në kombin shqiptar) të Tiranës dhe inferiorët e Prishtinës.
Fundja, kombet janë derivate të kulturës (gjermanët), por edhe të modernizimit e industrializimit. Shqiptarët dhe kosovarët e kanë këtë rrugë pak më të vështirë dhe më të zgjatueme e të pshtjellueme. Janë kriju si shtete dhe kombe nga Austrohungaria përkatësisht nga SHBA.
E qartë se Blushi nuk është gjithnjë i vëmendshëm dhe i saktë (sidomos për sa i përket aspektit kulturor dhe sportiv të kosovarëve në ish-Jugosllavi, që kishin një rock&roll që mbante trendet perëndimore dhe sportistë kulmor kosovarë që sillnin medalje (edhe të arta madje) për ish-shtetin federal, mirëpo esencialisht Blushi e ka hapur debatin e duhur në kohën e duhur, ndërmjet etnikumit shqiptar, dy shteteve te mëvetësishme (subjekte të të drejtës ndërkombëtare) dhe dy kombeve politikisht, kushtetutshmërisht dhe për nga rendi simbolik të gardhueme, të veçueme.
Blushi ua bani të ditun kosovarëve etnonacioanlsitë/ unionistë dhe inferiorëve që e mendojnë Piemontin diku në Tiranë, te Zogu i Zi i Edi Ramës se nuk jemi një. Jemi të një etnie (Blushi thotë me gene të njëjta), kemi një ngjashmëni, por nuk jemi një. Jemi dy shtete/kombe dhe një etni. Mund të thuash lirisht: ndihemi shqiptarë. Po aq sa kosovarë, europianë, eurokosovarë, por edhe gollakas, gegë, shkrimtarë.
Dhe të qenmit dy kombe të barabarta (jo një komb unik i projektuar me rende qytetare si kombi serb fillimisht: rendi i parë qytetar në komb: serbët ortodoksë; rendi i dytë serbët myslimanë (mendoheshin boshnjakët); rendi i tretë serbët katolikë (mendoheshin kroatët), por një komb kushtetues e demokratik, nuk na bën më pak shqiptarë sot seç ishim dje: madje sot kur grupi etnik shqiptar i Kosovës është titullar i kombit dhe shtetit të pavarur, unë them lirisht se jemi shqiptarë shumë ma t’zot se dje, e shumë ma afër synimeve të vetërealizimit, integrimeve euroatlantike, krijimit të mirëqenies dhe demokracisë, idealeve të të drejtave civile e të njeriut, zgjerimi të dimensioneve të lirisë.

III.
Enver,
jo që jam entuziazmuar me shkrimin e Blushit. Nuk jam adoleshent në lexime. Unë thjesht po thosha se ishte me ia dhanë djalit hakun. Ia ka nxjerr thelbin hegjemonisë kulturore të Tiranës mbi Prishtinën. E ka zhveshur problemin. Kjo duhej me qenë pikënisja për debat normal e të qytetëruar brenda etnikumit shqiptar. Unik në diversitet.
Pra, nxirrni argumentet tuaja kundër e mos bëni përpjekje me e rrënu idenë e tij duke ia mvesh mungesën e patriotizmit.
Sepse Blushi është postmdernist e jo patriot arkaik i shekullit 19. Blushi nuk banon te «Rilindja» po tek konteksti i shekullit 21. Do procese më të mëdha të lëvizjeve të nukleusit kultural e politik të një bashkësie etnike ose kulturore «nuk na pyesin ne»- ato e kane njëfarë rrjedhe të veten se janë ligjmëni shoqnore. Prapë po e paragjykon Blushin ad hominem (nuk është këtu çashtja a është ai mediokër a bllokmen) po na jep ndonjë argument që e rrëzon këtë ngrehine të Blushit.
Tek çështja e ngjizjes së kombit kosovar si bashkësi politike imagjinare, njëherë në fillim thua se bën vaki edhe mund të bahet, e në fund sërish thua se ekziston një komb unik shqiptar për të ra në kthetrat e unionistëve etnonacionalistë shqiptarë, që s’e kanë asnjë argument të vetëm, sepse mbështeten tek definicioni i Stalinit për kombin.
Projekti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare për një komb unik shqiptar ka deshtuar, sepse s’kanë qenë të zot me i dalë mbanë. Zogu ishte i pafuqishëm në këtë drejtim, sepse ndikimi jugosllav ishte i madh edhe tek ai; Enver Hoxha e mbylli përfundimisht idenë e unifikimit të kombit shqiptar, duke e mbrojtë pushtetin e tij personal dhe kriminal dhe i hapi udhë Kosovës për një rrugë tjetër: pavarësi kombëtare!
Enver Hoxha shtypi Gegninë (imponoi të folmen e fshatit Dellëngi të Mallakastrës si standard kinse kombëtar me kushte të shtetrrethimit dhe pa debat demokratik e liri shkencore) dhe likuidoi doktorët e Padovës, Romës e Milanos, sidomos klerin katolik te veriut. Vrau, eliminoi dhe heshti të ditunit si Vinçenc Prendushin e At Zef Pllumin (burgim i gjatë, epik), heshti Fishtën, Mjeden, shkollën e Grazit, Lasgushin, madje edhe bashkëqytetarin e tij Eqrem Çabejn, burgosi europianët ma t’mdhaj t’epokës si Mitrush Kutelin (shkrimtar modernist dhe ekonomist që luftoi për evidentimin e plaçkitjes së arit të shtetit shqiptar nga nazistët) dhe Petro Markon, pastaj Trebeshinen e Visar Zhitin. Vari poetët Vilson Bloshmin e Genc Lekën. E lanë Kosovën nën këmbën e Krajlave t’Serbise me zorrë nëpër këmbë për një shekull me e mbrojtë herë egocentrizmin e tyre e herë leninizmin, e masanej stalinizmin e maoizmin. E tash «krahinë e Shqipërisë» – thonë imperialistët e rinj.
Pra, e kanë vra n’embrion një kulturë shqiptare unike e të sensit modern perëndimor, ia kanë hap udhën një kulture të dallueshme – asaj kosovare. Gjë që Kosova në vitet ‘70/’80 e sidomos pas çlirimit po mundohet me e etablu. Dhe po ia del mrekullisht edhe pse i janë vërsulë turbonacionalistët e tërbuar. Lamtumirë dokrra staliniste dhe parullave turbofolk «një komb – një qëndrim». Ketë e ka thanë Blushi dhe bravo i qoftë.
«Ai thotë se Kosova e fitoi pavarësinë falë ndërkombëtarëve.» Po thua dhe e ke thanë këtë fjali dhjeta herë edhe vetë, po kam thanë edhe unë e shumë tjerë, kur t’i biem shkurt e shqip kësaj pune, natyrisht kjo nuk e mohon përpjekjet sado të vogla të shqiptarëve kosovarë. Se Kosova ishte koloni kulturore e Shqipërisë, Blushi ka të drejtë, edhe pse kishte ca xixa që shpërthenin edhe në Kosovë në kohën e ish-Jugosllavisë. Në poezi, teatër e film, e veçmas në muzikën rock dhe në sport. Thjesht Blushi në këtë aspekt është i pavëmendshëm dhe jo gjithherë i saktë, ama kur thotë se «Rilindja e tyre nuk është jugosllave, nuk është as shqiptare, është thjesht kosovare» ai ka të drejtë.
Por, sërish në fund gabon, i nderuar koleg, kur thua se «…si shoqëri e komb me dy shtete», sepse nuk ekziston një komb me dy shtete askund në rruzullim. Tjetër gjë është fakti se interpretimi i shkollës shqiptare për kombin «e lejon» me leje t’Bajram Begut edhe këtë xhevahir. Secili komb ka vetëm një shtet kombëtar, një Kushtetutë dhe një rend simbolik sovran. Dhe një karrige në OKB që Kosova për shkaqe që ti i di, ende nuk e ka. Me marrjen e saj kombi kosovar maturohet.

IV.
Përfundimi.
Blushit i intereson liria e tjetrit, sepse tjetrin e sheh brenda vetës dhe këtë e kam hetuar edhe tek romani i madh i tij «Të jetosh në ishull». «Sipas meje ka funksionuar raporti me lirinë. Kosovarët po e shijojnë lirinë e tyre. (…) Kosova është një kënaqësi që shijohet duke menduar se mund të mos e kesh.(…)», shkruan ai. «Por që ta shijojmë duhet të paguajmë një çmim: duhet t’i lemë të lirë», përfundon Blushi duke e poetizuar idenë qysh me e lënë tjetrin të kënaqet në lirinë dhe pavarësinë e tij. Kombi pa liri dhe pa kontekstin kulturor nuk është bë ende komb. Liria kombëtare dhe aftësia me e kriju shtetin kombëtar të pranuem ndërkombëtarisht, nga shtete veç e veç, aftësia për me hy në marrëdhënie me kombet tjera, Kushtetuta dhe ligjet e bëjnë një bashkësi njerëzore komb. Qe pse e dua më shumë të vërtetën, i nderuar koleg!