«E dashura zonja Sulejmani, ju nuk ishit gruaja e duhur për Blerim Xhemailin»

Një gazetare e një të përditshmeje zvicerane i dërgon një letër të hapur Erjona Sulejmanit, «seks-bombës» që deri para pak kohësh bëhej sikur ishte gruaja e futbollistit Blerim Xhemaili.

«Për një vit pa mut»: Urimi i gazetës zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» për Erjona Sulejmanin, ish-gruan e futbollistit lërim Xhemaili.



Në ndërrimin e moteve redaksia e sportit e «Neue Zürcher Zeitung» për çdo ditë i dërgon një letër të hapur një personaliteti nga bota e sportit. Të martën radha i erdhi Erjona Sulejmanit, ish-gruas së futbollistit Blerim Xhemaili.

«E dashura zonja Sulejmani, ish-Xhemaili 

Së fundi ju në një shou televiziv italian thatë se, për fat të keq, ka gra që lidhen me futbollistë vetëm për shkak se kjo atyre u garanton të bëhen të famshme. Më duhet ta pranoj se më erdhi të qeshë. Sepse unë – sinqerisht – mendova natyrisht se ju jeni një grua e tillë. Sidoqoftë, si grua e Blerim Xhemailit ju keni arritur që prej një kandidateje për Miss Albania më 2013 të bëheni njëra ndër gratë më atraktive të një futbollisti në Kampionatin Europian të Futbollit në vitin 2016.

Por çfarë njeriu jeni ju, në të vërtetë? Kjo është një pyetje që ia bëj vetes prej se ju kam parë për herë të parë pranë Xhemailit – dhe ashtu keni qenë në fakt përherë, përveç se kur ai duhej sa ora të hynte në fushën e lojës. Lumturinë tuaj të dashurisë ju e keni përhapur në mbarë botën përmes Instagramit dhe kur lindi djali juaj Luani, ju dukeshit si familje e përsosur e ëndrrave.

Fotografitë patën një ndikim ndaj meje si Kampi i Xhunglës (një emision televiziv, v.j.), një përzierje mes fascinimit dhe neverisë. Në secilën fotografi ju i përngjanit një barbike flokëzezë, përpjekja juaj për t’u mbuluar me tekstil ishte minimale, poza maksimale. Nga ana tjetër burri juaj nuk dukej kurrë si Keni (kukull e Kampit të Xhunglës), por përherë si Blerimi shtathollë nga Zürich Seebach dhe në sytë e tij mund të lexohej krenaria dhe habia që kishte arritur ta bëjë për vete këtë seks-bombë të pabesueshme. Tepër irrituese qenë fotografitë ku ai tregonte serinë e bikinive që i kishit dizajnuar ju. A ndjeja keqardhje? Pak po.

Tani të kthehemi te ju. Ju dëshironi të botoni një libër ku do të përshkruani, siç thoni ju, krejt «mutin» që ndodhë në botën e futbollit. Për shembull: që futbollistët para ndeshjes më me qejf masturbojnë se sa të bëjnë seks me gruan. Ky zbulim me gjasë është shprehje e sinqeritetit tuaj ekstrem, me të cilin e karakterizoni veten. Në një intervistë ju keni thënë se jo vetëm që flisni troç, por edhe jeni gruaja më e mençur e një futbollisti. Sepse, siç keni thënë, ju i rezistoni botës së artë të njerëzve prominentë duke e ditur se lumturia nuk varet nga mirëqenia.

Mirë, grua e një futbollisti ju nuk jeni më, jeni duke u shkurorëzuar, dhe ish-burri juaj ua ka ndaluar ta përdorni emrin e tij për projektet tuaja. Megjithatë, unë nuk kam frikë se do të më humbeni nga sytë. Unë po ashtu do të mendoj se çfarë njeriu jeni ju. (Mes nesh: jo njeriu i duhur për Blerim Xhemailin. Këtë e di qe një kohë). 

Për një vit pa mut, Christine Steffen»