E dashur Zana Ramadani!

Pohimet tuaja kritike ndaj myslimanëve, grave myslimane dhe sidomos burrave myslimanë janë sipërfaqësore dhe përgjithësuese. Në pothuaj çdo rresht që e thoni lexohet një frustrim i madh kundër familjes suaj dhe përjetimeve tuaja të fëmijërisë. Kjo është çështje e juaja. Megjithatë, jo gjithçka që thoni është e paqëndrueshme. E vërtetë është se patriarkati ende është thellë i ngulitur në fenë islame.

Foto: Shutterstock



«Një grua myslimane, që bart shami, e vlerëson veten mbi të tjerat: <Unë jam më e mirë se ti>, thotë ajo». Ky është interpretimi i Zana Ramadanit për gruan myslimane dhe çka mendon ajo kur e zgjedh shaminë. Ironia këtu është se pikërisht Zana Ramadani me pohimet e saj e mendon të njëjtën gjë për veten, ngase ajo e sheh veten si «më të mirë se ato myslimane». Ajo pohon se e di se çka është me e mirë për gratë dhe çka ato dëshirojnë ato si dhe cili duhet të jetë definicioni i lirisë së tyre! Po ashtu Zana Ramadani vendosë se a kanë të drejtë ato të jetojnë sipas fesë që e zgjedhin vet. Për Zana Ramadanin çdokush që nuk e ndanë mendimin me të mbi parametrat e saj të lirisë është «e shtypur», «dështake» apo thjesht «jo-feministe». Ajo thotë se është shumë e kërcënuar nga besimtarët fanatikë. «Myslimanët duhet të pranojnë se ata po vrasin në emër të Allahut», thotë ajo dhe injoron faktin që myslimanët e radikalizuar, sipas statistikave, nuk janë as 10 për qind e popullatës islame në botë. E dashur Zana Ramadani, po të ishte siç thoni ju, atëherë me 1,4 miliardë myslimanë do të kishim një problem vërtet të madh.

Zana Ramadani gjithnjë na dëshmon se botëkuptimi i saj nuk i tejkalon kufijtë e revistave zbavitëse si «Bild», të cilat jetojnë nga propaganda e tillë. Ato që i thotë ajo janë shpesh pohime sipërfaqësore, përgjithësuese dhe në çdo rresht dhe fjali që e thotë lexohet një frustrim i madh kundër familjes së vet dhe përjetimeve të saj të fëmijërisë.

Natyrisht nuk duam të mohojmë të gjitha argumentet e Zana Ramadanit. Në disa pika ajo ka të drejtë. Patriarkati ende është thellë i ngulitur në islam – sidomos tek familjet mërgimtare që vijnë nga disa vende të Ballkanit, Turqia, Magrebi apo bota arabe. Mirëpo çfarë nuk e thekson Zana Ramadani është dallimi i madh në arsimim dhe edukim i gjeneratave të migrantëve në Gjermani. Këtë aspekt pozitiv ajo duket se nuk e njeh, po ashtu ajo me gjasë mendon se krahasime me dukuri të tilla nuk ekzistojnë ndër gjermanë.

Ajo nuk i përmend apo nuk i sheh shifrat në rritje të studenteve me prejardhje të huaj, ajo nuk përmend ndryshimet pozitive në kulturë që tani po i vërejmë çdo ditë e më shumë.

Është raciste të argumentosh siç bën Zana Ramadani, sepse për racistët një «migrant i integruar nuk është më migrant», andaj kurrsesi çdo migrant patjetër do të jetë i keq për aq sa dihet se është i huaj. Po e dëgjove Zana Ramadanin duket se ajo e përshkruan një shqiptar apo një shqiptare sikur te ishte nga zonat më të prapambetura të Afganistanit nga epoka e talibanëve. Këtë ajo e bën vetëm duke u bazuar në përvojat e saj subjektive dhe personale të familjes së saj 20 vjet më parë. Problemi kryesor në fakt nuk është që Zana Ramadani kritikon islamin, por në faktin që ajo i kritikon të gjithë që vijnë apo kanë prejardhje prej familjeve «myslimane». Ajo në disa intervista e thekson se nëna e saj nuk e ka praktikuar asnjëherë «islamin», por gjatë bisedave të gjata javore me «të afërmit në Maqedoni», ajo i merrte të gjitha informacionet që i duheshin për ta shtypur atë. Nga kjo nënkuptohet se problemi nuk qëndron te feja, por thjeshtë te të gjithë ne që jemi nga ajo anë e botës dhe kemi familje – pa dallime fare.

Në të njëjtën frymë ajo pohon se babai i saj i «arsimuar» është i pafajshëm në ketë çështje, por edhe ai është i ndikuar prej nënës së Zana Ramadanit, rrjedhimisht edhe ai respektivisht e bën fajtore gruan për patriarkalizëm.

Ka shumë autorë gjermanë që e vënë në pikëpyetje këtë logjikë. Por, Zana Ramadani vazhdon t’i thotë gjërat në mënyrë sipërfaqësore. Ajo  përdorë mënyrën e njohur të kritikëve ksenofobë duke pohuar se migrantët refuzojnë të integrohen apo të kontribuojnë në shoqëri.

Çështja kryesore qëndron në atë se është pothuaj e pamundur të dëgjosh apo shohësh në media për migrantë të «integruar», dhe kjo faktikisht e krijon një bindje që pjesa dërmuese janë ashtu siç i përshkruan Zana Ramadani. Në këtë mënyrë ajo ushqen stereotipa racist çdo herë kur ajo ngjitet në skenë.

Do të mjaftonte nëse Zana Ramadani të fliste për grupe të diferencuara radikale me një frymë apo ideologji të caktuar me fakte statistikore. Por ajo nuk mund t’i pranojë apo nuk i sheh ndryshimet pozitive që janë gjithnjë e më të dukshme te migrantët. E vetmja arritje në jetën e saj është të jetë kritike anti-islame dhe «feminaziste», duke kritikuar këto rryma dhe gjenerata te tëra migrantësh me përgjithësime të pafrenueshme. Sikur ajo të mos i bënte këto, atëherë do të mbetej thjesht një «asistente juridike», e cila shpeshherë e zbulon gjoksin e vet në «shenjë proteste». Andaj nga shumë gjermanë ajo quhet «Titten-Ramadani», dmth. «ajo Ramadani me gjoks». Ironia është se ajo duke dashur ta luftojë objektifikimin e grave u bë vet shembull qesharak për atë. Në fakt grupi në të cilin ajo ishte anëtare, FEMEN, proklamon veten si lëvizje «sextremiste» duke pohuar që gruaja dëgjohet vetëm atëherë kur e objektifikon veten. Çka nënkupton në fakt fyerje për çdo grua të pavarur dhe të suksesshme kudo qoftë ajo. Dhe Zana Ramadani ka qene pikërisht anëtare në një kohë kur këto slogane ishin parimore për lëvizjen FEMEN.

Falë Zana Ramadanit shumë nga ne gratë që nuk jemi mizantrope dhe raciste, por «feministe» edhe kur nuk jemi fetare fare, e gjejmë veten duke mbrojtur barazinë sa herë që përmendet emri i saj si shembull radikal i «yni». Këtë e bëjmë, sepse besojmë në barazi dhe në të drejtën e çdo njeriu të praktikojë besimin që e dëshiron dhe të jetojë jetën që e kërkon.

Falë Zana Ramadanit në Gjermani ende mendohet se gruaja «shqiptare myslimane» është thjeshtë «qenie e nënshtruar», e cila kulmin e arritjeve të saj e ka shtëpinë dhe burrin. Edhe këtu mungojnë krahasime që diferencojnë! Tani që Gjermania po e përjeton një ngritje të ksenophobisë dhe racizmit, këto pohime veçse i bëjnë dëm imazhit tonë edhe më shumë.

Cilat mund të jenë arsyet që Zana Ramadani sillet kështu siç po sillet? I mungon perspektiva? Partia në të cilën ishte anëtarësuar, CDU, është distancuar prej saj për shkak të sjelljeve joparimore në shoqëri. Zana Ramadani me gjasë ka nevojë të mbajë këtë nivel skandali në publik dhe të nxit emocione negative kundër një feje të tërë dhe një populli të tërë, në këtë rast shqiptarëve. Po të mos e bënte këtë s’do të kishte as të ardhura, as nuk do të gëzonte këtë vëmendje publike. Ajo e ka marrë rolin e një marionete të qarqeve të djathta ekstreme në Gjermani, të cilat realisht fshihen pas gjoksit te saj dhe gëzohen për fjalët e saj urrejtëse.

Unë si grua që jetoj dhe punoj në perëndim asnjëherë nuk e kam pasur problemin se «nuk më ka dëgjuar askush» si grua, por gjithnjë e kam pasur problem të «dëgjohem» e të merrem parasysh si e huaj dhe si migrante. Pavarësisht shkollimit dhe integrimit tim në shoqëri. Këto lloj stereotipash më përcjellin ende.
Në këtë frymë të djathtë dhe radikale që e ka kapluar botën perëndimore këto vitet e fundit, gratë që mbështesin stereotipa dhe përgjithësojnë në këtë mënyrë si ajo, janë helm si për gratë, ashtu edhe për burrat.

Ne të gjithë dëshirojmë barazi, por jo në emër të racizmit dhe stigmatizimit të popujve të tërë. Asnjë kritikë e Zana Ramadanit nuk do të ishte problematike dhe në disa aspekte madje do të ishte plotësisht e pranueshme po mos të ishte fakti se ajo nuk bën kurrë diferencime. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për shkrimin dhe intervistën e saj të fundit, ku flet për të huajt «dështakë», por në shumë paraqitje të saj në media. Është e dukshme përvoja e saj. Përjetimet gjatë fëmijërisë ajo i përgjithëson për çdo migrant që jeton në Gjermani. Sipas saj integrimi i të huajve është iluzion – ashtu siç e thonë edhe racistët, por ajo nuk është raciste, është vetëm «feministe», siç thotë vetë. Shtrohet pyetja: a lind dhe rritë çdo nënë myslimane «fëmijë dështakë» apo dështakët janë të prirë të nxisin urrejtje?

(Kaltrina Ademi është rritur në Gjermani. Jeton në Londër, ku punon si specialiste e projekteve digjitale në Europë)