E bija e doganierit të vrarë kundër të gjitha hallkave të drejtësisë

Emira Gavazaj ka nisur betejën me zyrtarët të cilët kanë qenë të përfshirë në procedurën penale kundër vrasësit të babait të saj, policit Afrim Basha.




E vetëdijshme se rigjykimi i rastit të vrasjes së babait të saj është i pamundur, ajo duke iu referuar konstatimit të Gjykatës Supreme se ka pasur shkelje nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Themelore, ka vendosur të kërkojë dënime veç e veç të prokurores dhe gjyqtarëve që janë përfshirë në këtë proces, shkruan sot Koha Ditore.

«Unë do të merrem me secilin prej tyre», ka thënë ajo për gazetën, të enjten.

Por Emira e cila po ka deponuar tashmë disa kallëzime penale, një prej tyre kundër prokurores Ervehe Gashi që hetoi vrasësin e babait të saj, po përballet edhe personalisht me një kallëzim penal.

Ajo u mor të martën në pyetje nga Policia, meqë ndaj saj është ngritur kallëzim penal për incizim të paautorizuar të avokates Myrvete Qollaku që është bashkëshortja e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Hashim Qollaku, që vërtetoi dënimin e jashtëligjshëm prej pesë vitesh burg të policit Afrim Basha. Vrasje në tejkalim të nevojshëm, është vepra për të cilën ky u dënua.