«E bekoftë Perëndia carin dhe e mbajtë sa ma larg nesh!»

INTERVISTË - 40 pyetje - 40 përgjigje: Getoar Mjeku, avokat në Texas (SHBA) dhe në Kosovë.

Getoar Mjeku, avokat.



Në kapërcyell të shekujve XIX/XX në sallonet e Parisit ishte modë që gjatë pritjeve mysafirët të plotësonin një «Questionnaire», një pyetësor. Një të tillë e kishte plotësuar edhe 13-vjeçari Marcel Proust në një festë për nder të ditëlindjes së Antoinette Faure, të bijës së presidentit të mëvonshëm francez Félix Faure. Në moshën 20-vjeçare Proust ishte përgjigjur edhe njëherë në këtë pyetësor, të cilit ia kishte dhënë titullin: «Marcel Proust par lui-même» («Marcel Proust mbi vetveten»). Që nga atëherë «Questionnaire» u bë i famshëm bashkë me shkrimtarin Marcel Proust (1871-1922). Traditën e pyetësorit e vazhduan gazetat e revistat deri në ditën e sotme, mes tyre edhe e përditshmja gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» dhe «Vanity Fair». Duke e marrë si model dhe inspirim pyetësorin e Proustit dialogplus.ch fillon me botimin e intervistave me 40 pyetje, në të cilat do të përgjigjen personalitete të ndryshme.

  1. Në cilin vend dëshironi të jetoni në hapësirën e banuar me shqiptarë?

Gjithandej asaj hapësire, dhe kudo ku ka diell. Një vit në Vlorë, motin tjetër në Strugë, e kështu me radhë. Por lejomëni me lëvizë.

  1. Cilin personalitet të historisë shqiptare do të dëshironit ta takonit sikur të ishe e mundshme?

Ndonjërin prej vëllerëzve Frashëri, Abdylin, Samiun, ose Naimin. Por dhe Frashërijtë e brezit të dytë, Mehdiun ose Mithatin.

  1. Çka do ta pyetnit së pari?

Se ku e ka marrë fuqinë mos me u dorëzu, sado që punët e kombit shkonin keq në të gjallë të tyre.

  1. Cili është personaliteti më i rëndësishëm historik për ju?

Gjergj Kastriotin, prijësin përparimtar e liridashës të Arbnit. Ai i ka hedhë themelet e kombit tonë. Ndonëse shteti ynë nuk qëndroi gjatë pas vdekjes së tij, trashëgimia e Skënderbeut bëri që shqiptarët të mos treten por ta rujnë vetvetësinë e tyre dhe të ringjallen si komb modern në shekullin XIX.

  1. A ekziston Zoti?

Nuk e di. Por ëndërroj për Zotin. Zoti im është i hirshëm, por na lë ta luftojmë vetë të keqen që të krenohemi me mbërritjet tona pastaj. Nëse ky perëndi nuk ekziston, ne duhet ta krijojmë vetë. Hegeli parashikonte kështu diçka.

  1. Cilin libër po e lexoni aktualisht?

Lexoj disa njëherësh. Ka tre muaj që s’e kam kry një libër për skllavërinë në Amerikë, The Slave Community. Po mahnitem me fuqinë shpirtërore të të robëruarve, me kulturën e tyre, jetën familjare, ndikimin e tyre te pronarët, dhe ëndrrën e rrugëtimin drejt lirisë.

  1. Cilin qytet të ish-Jugosllavisë keni dëshirë ta vizitoni?

S’e kam mendu. Po e zgjedh Zarën. Një udhë e tri punë: me taku arbneshë, me kuptu ç’i veçon kroatët nga popujt e tjerë, dhe me e përjetu bregdetin, historinë, e kulturën dalmate.

  1. Kur keni udhëtuar për herë të parë jashtë shtetit dhe në cilin vend keni qenë?

Në fillimvitet 90, si fëmijë i vogël. Shkonim për pushime në Ulqin, Mal të Zi, e në Banjë të Sijarinës, që ndodhet në Sërbi. Por mund të kem vajtë së pari herë në Maqedoni, me e pa një kushëri që ish arratisë atje, se Sërbia e kërkonte për ushtri. Në pranverën e tri nëntësheve, gjatë luftës, kam qenë refugjat në Francë.

  1. Kur keni qenë për herë të parë në Shqipëri?

Më 2002, kur sapo e pata kry klasën e tetë. Mos gabofsha, ka qenë pushimi i parë i pasluftës për familjen time. Prindët punonin jashtëzakonisht shumë në atë kohë.

  1. Çfarë do të ishte për ju fatkeqësia më e madhe?

Mos me pasë me kend me folë shqip. Ose ma keq, mos me pasë me kend me folë fare.

  1. Cilin shkrimtar të huaj e pëlqeni më së shumti?

Jam tejet i pavendosur. Por po e përmend tani anglezin George Orwell. Më pëlqen sa e çmon çiltërsinë dhe gjuhën e thjeshtë të popullit. I kam përkthy disa ese të tij dhe një dromcë nga Ferma e kafshëve, që gegnisht e kam titullu Ferma e gjâve. Më pëlqejnë dhe amerikani Jack London, anglezi Charles Dickensi, nigeriani Chinua Achebe, e peruani Mario Vargas Llosa. Por nuk mund ta harroj Platonin, ani pse e mendojmë si filozof në radhë të parë.

  1. Kultura e cilit vend perëndimor ju pëlqen më së shumti?

E veçoj kulturën angloamerikane, meqë e njoh ma së miri prej kulturave perëndimore. Amerikanët e britanikët janë njerëz të thjeshtë, bujarë, e të hapur ndaj të huajve. Ata nuk ngurrojnë me mësu prej të tjerëve, andaj janë aq të fuqishëm.

  1. Cili emër ju pëlqen më së shumti?

Arbën. Por po më pyete ma vonë, do ta them një emër tjetër njëlloj të bukur.

  1. A do të merrnit pjesë në dasmën e një çifti homoseksual?

Jo veç me shku në darsëm, por edhe me e regjë vallen, qoftë dhe me kambë të thyeme.

  1. A do të ishit i gatshëm të luftoni në rast se rrezikohet liria e vendit?

Po. Por druj në do kisha fatin me luftu, edhe nëse plas lufta. Shumë njerëz njoh që ishin të gatshëm ta rrokin pushkën për liri, por nuk u priu fati t’i bashkohen Ushtrisë Çlirimtare.

  1. Cilin person s’do të kishit dëshiruar ta takoni kurrë?

Mbase s’e kam mendu atë person asnjëherë, prandaj s’ia them dot emrin. Njeriu mëson nga cilido, qoftë dhe të këqijtë. Por kuptohet që kurrë s’kemi kohë me i taku të gjithë.

  1. A duhet të bashkohen Kosova dhe Shqipëria?

Patjetër. Janë dy shtete të vogla që i përkasin një kombi dhe që flasin të njëjtën gjuhë. Bashkimi i tyre është cak sa i natyrshëm aq dhe i domosdoshëm shoqërisht, politikisht, dhe ekonomikisht. Por duhet me punu prajshëm, duke e rujtë paqen dhe tue synu bashkimin e mirëfilltë kombëtar, jo thjesht shkrirjen e shteteve. Bashkimi duhet t’u shërbejë qytetarëve, jo pushtetarëve. Një besëlidhje apo federatë e shteteve tona, me institucione mbarëkombëtare, do ishte zgjidhje e duhur.

  1. A është dëmtuar dialekti gegë me standardin gjuhësor të vitit 1972 dhe a duhet të ndryshohet ky standard?

Kongresi i Drejtshkrimit i 1972-s dhe disa vendime të mëhershme rreth dialektit standard e kanë pengu mendimin e lirë dhe e kanë robëru gjuhën shqipe në përgjithësi. Shqipja — në daç gjuha, në daç shpendi — nuk e duron robërinë. Shqiptarët patën kriju një gjuhë standarde qysh më 1917, tue u mbështetë në mesin e artë, të folmen e Elbasanit. Diktatura komuniste në Tiranë e zëvendësoi atë standard dhunshëm e arbitrarisht me një dialekt të skajshëm. Kështu e shpërfilli porosinë e rilindasve dhe e keqpërdori vullnetin e shqiptarëve në ish-Jugosllavi për një gjuhë të përbashkët. Por një shoqëri demokratike sot duhet me komuniku në gjuhë të thjeshtë të popullit — pra, shkurt e shqip. Gjuha e thjeshtë na detyron me dalë jashtë kallëpit të dialektit standard 72 dhe me e pranu pasurinë gjuhësore që e kemi damkosë padrejtësisht: veçmas me e përqafu paskajoren dhe shumë fjalë e shprehje të bukura e të domosdoshme. Nuk ka arsye me e kundërshtu këtë. Standardi duhet dhe mundet me e lehtësu komunikimin dhe bashkimin kombëtar.

  1. Cilit komb dhe cilës kulturë do t’i kishit takuar me qejf?

Cilido komb e cilësdo kulturë. Të gjithë kanë pasuritë e tyre. Por jam i lumtur që jam shqiptar, dhe ndihem krenar që flas, shkruj e këndoj shqip dhe punoj e jetoj në mesin e shqiptarëve.

  1. Sikur të kishit pushtetin politik çfarë do të ndryshonit së pari?

Njëherë i pata shkru pesë gjëra që do i ndryshoja që në fillim. Ma përmbajtjesorja ka qenë me përkrahë softverin e lirë — «të lirë» si Dardania, e jo si dardhat në pazar! Pajisjet tona rëndom përdorin programe si Windowsi e Wordi, që nuk janë të lira, sepse prodhuesi nuk na lë ta shohim e ta ndryshojmë kodin burimor. Pa e pa se ç’ka brenda, ne s’mund ta dijmë se softveri nuk po na shpiunon ose nuk po na detyron me ble produkte të panevojshme. Unë prej kohësh në kompjuter përdor sistemin Linux dhe programin LibreOffice Writer për me shkru. Nuk është aq vështirë sa e bëjnë. Për ma shumë informata, vizitojeni sajtin FSF.org.

  1. Cili është personi më i rëndësishëm për ju?

Vëllai im Jetmiri. Sepse më përkrah e më sfidon dashamirësisht.

  1. Cilat media preferoni t’i lexoni?

Ato që shkrujnë shkurt e shqip, qoftë dhe në gjuhë të huaja! Që janë falas, serioze, e që s’e fyjnë lexuesin. Anglisht e ndjek Radion Kombëtare të Amerikës, NPR, që ka dhe sajtin me artikuj të shkruar. BBC-në e do botime tjera britanike gjithashtu i vlerësoj. Aty-këtu lexoj në gjuhë tjera. Shqip e çmoj Evropën e Lirë, Zërin e Amerikës, dhe DialogPlusin për seriozitet e besueshmëri. Koha Ditore ka vlera si gazetë, por për arsye praktike nuk e blej ma. Të ashtuquajturat portale më acarojnë, edhe pse detyrohem me i ndjekë.

  1. Cila ngjyrë ju pëlqen më së shumti?

E kuqja ndoshta. Por prapë jam i pavendosur.

  1. Cila lule ju pëlqen më së shumti?

Hëm! Më bëjnë me zukatë këto pyetjet në shkallë siprore. Pse duhet me dallu lulëkuqen nga zambaku ose zambakun nga trëndafili i egër? Ja krejt, ja hiç!

  1. Cilin virtyt tuajin e çmoni më së shumti?

Përpjekjen me qenë i hapur dhe i sinqertë. Por dhe tjera, sidomos kur vijnë në shprehje.

  1. Cilat virtyte i çmoni te një grua?

Ato që çmoj te vetja.

  1. Cilat virtyte i çmoni te një burrë?

Ato që çmoj te një grua.

  1. Cilin politikan të kohës së Jugosllavisë e vlerësoni më shumë?

Ndoshta Mahmut Bakallin. Ishte intelektual që punoi për me ngritë pozitën kushtetuese të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. E udhëhoqi Kosovën gjatë një periudhe të zhvillimit të hovshëm ekonomik e kulturor, ndonëse nuk ishim plotësisht të lirë. Kur Jugosllavia përdori dhunë ndaj studentëve në demonstratat e 81-tës, Bakalli dha dorëheqje.

29. Cilin politikan të Kosovës pas vitit 1989 e vlerësoni më shumë?

Prijësit themelues të shtetit modern të Dardanisë, dr. Ibrahim Rugovën. Ai e udhëhoqi vendin në kohë të vështira, e rujti popullin kur i kanosej gjenocidi, dhe e bindi botën se pavarësia jonë është zgjidhja e duhur për paqe dhe stabilitet në Europë. Ai punoi për paqe, por ishte institucionalist, i përgatitur dhe për luftë. Fliste pak, por thoshte shumë. I shmangej polemikës, por s’lëkundej përballë trysnive. Përherë bashkëpunonte me miqtë ndërkombëtarë, por nuk hiqte dorë nga qëllimi i shenjtë i pavarësisë, qoftë dhe atëherë kur askush nuk pajtohej me ne.

30. Cilin politikan të Republikës së Shqipërisë në këto 25 vitet e fundit e vlerësoni më shumë?

E kam vlerësu Pandeli Majkon që si 30-vjeçar u bë kryeministër dhe e udhëhoqi vendin gjatë Luftës së Kosovës. Republika e Shqipërisë formalisht nuk hyri në luftë, por e përjetoi luftën edhe në territorin e vet dhe priti mbi gjysmë milioni refugjatë kur ishte vetë e dërrmuar nga varfëria dhe trazirat. Sot i veçoj zakonisht ata politikanë që gëzojnë përkrahjen e miqve të mi në Shqipërinë Londinare dhe që kujdesen mos me folë në emër të Kosovës me Sërbinë. Meqë nuk kemi ende institucione dhe udhëheqës mbarëkombëtarë, na duhen njerëz të matur që kuptojnë kapacitetin e njërit shtet shqiptar përballë tjetrit.

  1. A ka Enver Hoxha ndonjë meritë për Kosovën?

Njeriu që e shkatërroi Shqipërinë Londinare nuk mund të ketë meritë për Kosovën, edhe nëse nuk ka përgjegjësi që ajo nuk i mbeti shtetit shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria Londinare, si vëllai i madh i Dardanisë, kaloi gati gjysmë shekulli në burg dhe ende s’ka ardhë në vete. Këtë na e bëri Enveri i historisë sonë. Por çuditërisht, shqiptarët në ish-Jugosllavi krijunë një Enver mit, që një intelektual e qunte «mi­sh­nimi i të gjitha virtyteve po­zitive të të gjitha fi­gu­ra­ve his­torike që kemi pasë». Ky Enveri i Kosovës, që është vetë populli shqiptar në të gjitha trojet tona, ka meritë për çdo të mirë që gëzon sot Dardania jonë.

  1. A ka Josip Broz Tito ndonjë meritë për zhvillimin politik, arsimor, ekonomik dhe kulturor të Kosovës?

Në radhë të parë, meritat u takojnë shqiptarëve që pununë për Kosovën në atë kohë — qoftë si pjesë e sistemit, e qoftë si opozitë e përndjekur. Titoja është figurë e ndërlikuar. Është vështirë me thënë sa ka dashë dhe sa ka mujtë me iu ndihmu shqiptarëve. Por ai qe udhëheqës kur Jugosllavia kreu masakrën e Tivarit, shkeli vullnetin tonë për bashkim me Shqipërinë, dhe vrau e përzuri mija shqiptarë në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore. Titoja s’i njohu shqiptarët kurrë si komb, por si kombësi. Shqipja ishte gjuha e dytë ma e folur në Jugosllavi, por sërbokroatishtja, sllovenishtja, e maqedonishtja ishin zyrtare në nivel federativ. Kosova fitoi vetëqeverisjen tek pasi Titoja hoqi qafe Rankoviqin dhe e shqendërsoi pushtetin në fundvitet 60 për motive që s’kishin të bëjnë me shqiptarët. Adem Demaçi u dënu me burg më 1975. Një rabin jahudi uron te mjuziklin Qemanxhiu mbi çati: «E bekoftë Perëndia carin dhe e mbajtë sa ma larg nesh!». Andaj, nëse Titos i duhet njehë meritë, është që kah fundi i jetës ka qëndru larg, por s’e ka lënë as Sërbinë të na afrohet.

  1. Cili është për ju personaliteti më i urryer historik?

Fjala urrejtje më bën me u ndi sikur kam humbë betejën me të keqen. Unë flas për personalitete të papëlqyera. Ma së paku i ndjej diktatorët keqdashës. Nëse duhet veçu ndonjërin, them sulltani osman Abdylhamiti II. E ndaloi dhe Kuranin në gjuhën shqipe.

  1. Sikur të kishit jetuar në Luftën e Dytë Botërore a do t’iu kishit bashkuar lëvizjes partizane në luftë kundër pushtimit nazist?

Është lehtë me ba mend pas Kuvendit, me folë në prapavështrim. Por dorën në zemër, druj se do isha mik i Bedri Pejanit, një revolucionari komunist që u bë ballist, sepse partizanët hoqën dorë prej bashkimit kombëtar. Natyrisht, shumë lehtë do mund të përfundoja në kampe naziste të përqendrimit, si njeri që ndihmon romët e jahudijtë e që kundërshton dënimin me vdekje. Ose do më zinin komunistët, meqë do mendoja se s’kam bë gjë të keqe dhe do ngelesha duke i pritë britanikët për ta ndërtu bashkë një demokraci shqiptare.

  1. Cili është intelektuali më i madh i Kosovës?

Edhe kjo pyetje në siprore. Me thënë Martin Segoni, diplomat i Skënderbeut? Pjetër Bogdani që nisi letërsinë origjinale shqip dhe i priu popullit në kryengritje? Shtjefën Gjeçovi që i shkroi ligjet dokesore dhe i mbrumi me atdhedashuri fëmijët shqiptarë pa dallim feje? Apo Anton Çetta që e njohu aq mirë shpirtin e popullit dhe mbërrijti me i pajtu gjaqet, duke ia besu shtetit detyrën e përndjekësit të krimeve? Intelektuali ma i madh nuk ekziston.

  1. Cili është shkrimtari më i madh shqiptar?

Ismail Kadareja është shkrimtari ynë ma i madhi, gjyku objektivisht. Por mu më pëlqen njëlloj Petro Markoja, që shkrun me zemër dhe që vujti shumë padrejtësi gjatë diktaturës.

  1. Cili është aktori/aktorja më e madhe shqiptare?

Bekim Fehmiu në botë, Robert Ndrenika në skenën shqiptare.

  1. A keni marrë pjesë në ndonjë demonstratë?

Po. Në demonstratat në prag të luftës, kur solidarizoheshim me Drenicën, për aq sa mundeshim. Por dhe në protestat për demokraci pas lufte, si në tubimin kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit kryetar shteti.

  1. A është toleranca fetare mes shqiptarëve mit apo realitet?

Edhe mit edhe realitet. Mit, jo pse nuk është i vërtetë, por pse ka tipare që s’ia dëshifrojnë dot me studime empirike. Realitet sepse është i vërtetë. Duhet ta rujmë dhe ta përsosim.

  1. Cila është ëndrra juaj më e madhe?

Me pa që shqiptarët nuk dojnë ma me u largu prej trojeve të veta, por që rrojnë aty të lumtur — me nder, të barabartë, të lirë, e me besë, dhe pa smirë për të kaluarën e për dallimet krahinore.