E ardhmja e zbulimeve te «Veliera» varet nga Këshilli Arkeologjik Kombëtar

Arkeologët janë pranë fundit të gërmimeve mbi një sipërfaqe prej 285 metra katrore të rrënojave të zbuluara nga gërmimet e projektit të velës prej betoni. Gërmimet zbuluan një ndërtesë otomane, në të cilën janë përdorur gurë të periudhave shumë më të hershme, bashkë me topa e gjyle guri mesjetare. Këshilli Arkeologjik Kombëtar do të duhet të vendosë se si do të veprohet më tutje.

Zbulimet te Sheshi i Portit në Durrës. Foto: Gëzim Kabashi/BIRN



Gërmimet e arkeologëve në territorin ku do të ndërtohet «Veliera» e Durrësit po i drejtohen fundit, ndërsa specialistët kanë nisur të hartojnë raportin përfundimtar që do tu paraqitet institucioneve të kulturës, arkeologjisë dhe restaurimit. Godina e periudhës otomane, që përbën strukturën kryesore të zbuluar, ndodhet mes dy fortifikimesh që i përkasin kohëve të ndryshme, asaj bizantine afro 30 metra nga veriu dhe një strukture otomane nga ana e detit.

Nëse investitorët do të pranojnë një zgjidhje që i kënaq palët, të dyja strukturat e mureve fortifikues me një dysheme prej qelqi mund të jenë në sytë e publikut, duke mundësuar kështu edhe përfundimin e projektit të velës prej betoni në hyrje të portit.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile ndjejnë se kauza e tyre për ndërprerjen e plotë të projektit 6 milionë dollarësh mund të dështojë. Ata vazhdojnë të thërrasin në protesta të gjithë kundërshtarët e punimeve në zonën e riskut arkeologjik, ku punimet vijojnë.

Reshjet e të shtunës paradite i mbajtën larg nga gërmimi punonjësit e Drejtorisë rajonalë të kulturës kombëtare (DRKK), duke i dhënë mundësinë grupit të tre arkeologëve të vijojnë punën për Raportin në zyrat e Muzeut Arkeologjik të qytetit antik.

Drejtuesi i gërmimit, Prof. As. Dr. Eduard Shehi, tha për BIRN se tashmë duket qartë struktura e ngrehinës otomane. Grupi i punës është në procesin e verifikimit të pranisë së mundshme të një bastioni të së njëjtës periudhë, i cili nuk njihej më parë nga burimet e shkruara historike, dhe mbi të cilin është ngritur ngrehina katërkatëshe.

Në këtë bastion u zbuluan edhe dy topa, gryka zjarri, me përmasa të ndryshme, që shërbenin për mbrojtjen e mureve të qytetit.

Ndërkaq, materialet ndërtimore të mureve të godinës 200-vjeçare vijnë dhe ripërdoren thuajse nga të gjitha anët e qytetit, që në atë kohë numëronte më pak se 10 mijë banorë.

Jo pak prej tyre i përkasin periudhës romake dhe mund të shpjegohen vetëm me grabitjen për motive ndërtimi nga monumente të tjerë të hershëm në qytet, ndërsa gjatë zbulimit janë vërejtur edhe gurë themeli të gdhendur artistikisht.

Fotot e fillimshekullit të kaluar kanë ndihmuar në sqarimin e situatës në të gjithë gërmimin, sipërfaqja e të cilit ka arritur në 285 metra katrore. Arkeologët kanë zbritur edhe nën nivelin e detit, duke vlerësuar se fortifikimi dhe godina e ndërtuar mbi të, edhe 100 vjet më parë ndodheshin shumë pranë detit.

Pranë mureve janë pastruar  edhe dy topat e zjarrit, e bashkë me to në muzeun arkeologjik të Durrësit do të dërgohen edhe 42 gjyle prej guri, shumica me diametër 30 cm, destinacioni i të cilave tashmë është sqaruar. Sipas arkeologëve 100 vjet më parë sferat e gurit të zbuluara javën e kaluar, shërbenin si dekoracion për kolonat që rrethonin një lulishte popullore, mjaft të njohur në qytetin e fillimshekullit të kaluar dhe qartësisht e dokumentuar përmes fotove të shumta.

Një foto ajrore e vitit 1925, e cila iu vu në dispozicion agjencisë BIRN nga studiuesi Kristaq Xhimitiku krijon një ide të qartë edhe mbi godinën e zbuluar, e cila në çerekun e parë të shekullit të kaluar thirrej «Pallati qeveritar», ku princi Wilhelm Wied drejtoi për disa muaj shtetin shqiptar. Xhimitiku, i cili jeton në Itali dhe ka krijuar një arkivë dokumentesh dhe fotosh për qytetin e tij të lindjes shpjegon hollësisht pamjen që ofrohet nga lart. Godina e Bankës së Shtetit dhe Torra janë objektet që kanë mbijetuar edhe 100 vjet më pas.

Fotoja dëshmon qartazi se godina mbështetej ë pjesën e pasme mbi murin bizantin, themelet e të cilit bashkojnë torrën mesjetare me kompleksin «Fly». Ministria e Kulturës ka kërkuar nga Bashkia e Durrësit që fragmentet e këtij muri 1500-vjeçar të ekspozohen për kalimtarët dhe turistët në zonën pedonale.

Arkeologët vlerësojnë se punimet për njohjen e  shtresëzimit të fundit kanë dhënë elementë për kohën e ndërtimit të godinës, si dhe të fortifikimit pranë saj. Sipas tyre materiali përfundimtar, që do tu dorëzohet palëve të interesuara do të vlerësohet nga Këshilli Arkeologjik Kombëtar.

Duket se ky do të jetë moment i së vërtetës për të ardhmen e objektit, që u zbulua pas punimeve për realizimin e projektit të shumëdiskutuar «Veliera».

(https://www.reporter.al/e-ardhmja-e-zbulimeve-te-veliera-varet-nga-keshilli-arkeologjik-kombetar/)