E ardhmja

Foto: Shutterstock

E di fare mirë se nuk do jesh.
Nuk do jesh tek rruga,
në mërmërimën që zien natën
nga shtyllat ndriçuese,
as në përzgjedhjen e menysë,
a në buzëqeshjen q’e bën më të lehtë
atë «mbushur rrafsh» të metrove,
as tek librat e huajtur,
as tek ajo «pafshim nesër».
Në ëndrrat e mia do mungosh,
në fatin fillestar
të fjalëve t’mia,
as në një numër telefoni s’do jesh
a në ngjyrën e një palë dorezave,
të një bluze.
Xhind do bëhem, zemra ime,
por s’do jetë faji yt,
ëmbëlsira do blej
por jo për ty,
në qoshen e rrugës do ndalem
nga ku s’do shfaqesh
dhe do them fjalët që thuhen
dhe do ha ato çka hahen
dhe do ëndërroj ëndrrat që ëndërrohen
dhe e di fare mirë se nuk do jesh,
as këtu brenda, në burgun
ku ende të mbaj prangosur,
as atje jashtë, në atë lumë rrugësh
e urash.
Për dreq s’do jesh,
madje as kujtim s’do jesh,
dhe kur do mendoj për ty,
do mendoj një mendim që mjegullt
përpiqet të t’mbajë mend.

Përktheu: Beti Njuma