Dyshime për shpërdorime pronash nga zyrtarët komunalë të Fushë-Kosovës

Fushë-Kosovë, 2 tetor - Sekrete të Komunës konsiderohen pronat komunale nga zyrtarë të Fushë-Kosovës.




Ata kanë refuzuar ta bëjnë publike listën e pronave të kësaj komune dhe nëse të njëjtat janë me qira apo të uzurpuara. Për 6 muaj Koda Ditore ka pritur një përgjigje nga zyrtarë të Fushë-Kosovës. Dhe krejt në fund kanë thënë se «nuk ka shans».

KD-ja ka bërë kërkesë për qasje në dokumente publike më 16 prill të këtij viti. Por asnjë përgjigje nuk kishin kthyer në afatin e paraparë me Ligjin nr. 03/L-215 për qasje në dokumente publike.

Zëdhënësi i Komunës, Ali Topalli, pati thënë më 9 qershor se drejtori i Gjeodezisë, Kadastrës dhe Pronës është i gatshëm të lejojë qasjen në materialin e kërkuar.

Këshilltarët komunalë të opozitës në Fushë-Kosovë po dyshojnë se komunarët kanë bërë keqpërdorime të pronave komunale.
«Kur ishte çështja e ndërrimit të ngastrave të Komunës me një biznes privat, ka dalë fakti se afër Komunës ka prona të mjaftueshme për ndërtimin e objektit të Administratës komunale, por ai është ndërtuar në pronë të QKMF-së. Prandaj kanë lindur dyshimet se ato prona janë shpërdoruar dhe dikush ka ndërtuar në to jashtëligjshëm», ka thënë këshilltari Ylber Islami.

Vërejtje ka edhe shefi i GK të PDK-së, Naser Graiçevci. Ai thotë se në shumë takime të Kuvendit Komunal kanë kërkuar që Ekzekutivi i Komunës t’ua sillte listën e ngastrave që janë në pronësi komunale, sa janë të lira dhe sa në shfrytëzim dhe nga kush e si. Por Ekzekutivi asnjëherë nuk ka çarë kokën që t’u përgjigjej pyetjeve të opozitës për këtë çështje, ka theksuar Graiçevci