Dy vrojtime dhe një anekdotë

Rrjetet sociale janë platforma të komunikimit masiv, në të cilat nuk abuzojnë vetëm laikët, por edhe elitat. Politikanët shqiptarë ngatërrohen shpesh me postimet e tyre në Facebook. Një urtësi thotë nuk mund të mos komunikosh, një prapësi thotë nuk mund të pushosh.

Foto: iconspro / Shutterstock



I.

Një pjesë e ligjërimit politik shqiptar është zhvendosur në rrjetet sociale. «Nuk mund të mos komunikosh», thotë një ndër aksiomat e komunikimit. Dhe, rrjetet sociale shkojnë përtej kësaj; ato ngërthejnë një dimension të fuqishëm të komunikimit masiv. Një ndër mendjet më brilante të kohëve moderne, Umberto Eco, është i keqardhur se këto platforma u krijojnë hapësirë të artikulohen edhe atyre që nuk kanë kompetenca të tilla, dhe më keq. Kjo është një e vërtetë e hidhur, ndonëse këto rrjete nuk janë menduar në radhë të parë për elitat. Megjithatë, edhe këtu, primatin e kanë marrë elitat, sidomos ato politike. Te shqiptarët, këto platforma më intensivisht i shfrytëzon Sali Berisha, i cili është bërë përrallë me informatat e ‹qytetarit digjital›. Nuk janë më pasivë as Lulzim Basha e Hashim Thaçi. Por, të paredaktuar, elitat nuk abuzojnë më pak se laikët me rrjetet sociale. Me ato, masat kanë fituar një zë, kurse elitat edhe një zë.

Më së shpeshti në rrjetet sociale është ngatërruar Edi Rama. Në fillim e komprometoi apeli në Facebook për ta burgosur një ish-ministër, të cilin më pas ia mveshi stafit të tij, edhe pse thuhet se ai i harton vetë edhe dorëheqjet e zyrtarëve të tij. Së fundmi, mediet shqiptare kanë fokusuar vazhdimisht sesi kryeministri Rama e fton për negociata shefin e opozitës nëpërmjet Facebookut. Platforma sociale po e zëvendëson komunikimin zyrtar të Kryeministrit për ta larë gojën publikisht. Një postim këto ditë ia rrëzoi Ramës sqimën e kompetencës drejtshkrimore, kur e shkruan gabimisht «konkurron» me një «r», kurse «gërhet» me dy! Aq më keq, duke i mbajtur një leksion për këtë një politikaneje lokale të opozitës.

II.

Në Shqipëri ka ndryshuar spektri i gjinive mediatike. Mozaiku i formateve televizive është pasuruar, falë kryeministrit Rama. Fjala është për komunikimin e tij javor nëpërmjet një videofjalimi në fundjavë në Facebook: ERTV! Domethënë: Edi Rama Television. Është e vërteta e tij e gjërave në Shqipëri. Në thelb, kjo është një trajtë kreative e komunikimit publik, ndonëse jo një zbulim i tij. Diçka të ngjashme bënte ish-presidenti amerikan Barak Obama me fjalimin e tij javor në radio. Te shqiptarët, kjo të kujton konferencat e së premtes të ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, të cilat, megjithatë, ishin interaktive.

Në Shqipëri ka ndryshuar edhe struktura e formateve informative të televizioneve. Rubrikave fikse si «Sporti» dhe «Moti» tani u janë shtuar, sado jo në mënyrë eksplicite, edhe rubrikat «Edi Rama» dhe «Erion Veliaj». Sidomos në kanalet e mëdha kombëtare e satelitore, ku ata stilizohen në të gjitha perspektivat e mundshme të njeriut në krye të detyrës. Kryeministri disi mund edhe të mirëkuptohet, sepse faktikisht është i pari i vendit dhe me shpresë i fundit nga radhët e plejadës së vjetër. Por, ky i dyti, që po ia kalon ustait me ambicien e tij për publicitet, duhet të shihet pak më nga afër.

III.

Së fundmi, në Facebook është shfaqur edhe Ali Ahmeti. Ndonëse debati politik në Maqedoni momentalisht zhvillohet në parlament. Nuk mund të ndalosh të komunikosh. Kështu do të mund të përshkruhej ethja që e ka kapluar partinë e Nikola Gruevskit në kuvend. Sipas disa përllogaritjeve, me këtë avaz, ky debat do të zgjasë pesë muaj. Dhe, kjo është vetëm pika e parë e rendit të ditës së seancës për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri. Zgjedhja vetë është pika e tretë a e katërt e seancës. Lëndë të parë për debat u ofron Deklarata e partive shqiptare, me demonizimin e së cilës ata i kanë marrë përpara si partitë shqiptare në parlament, ashtu edhe atë maqedonase që mendohet të jetë bartësja e qeverisë së re. Taktika e tyre është demoralizimi i kundërshtarit dhe detyrimi t’u dorëzohet kërkesave të tyre.

Në këtë moment, më kujtohet një anekdotë: Dy shoferë gjenden përballë njëri-tjetrit në mes të një rruge të gjatë njëkahëshe. Njëri duhet të kthehet mbrapsht, që tjetri të kalojë. Ai më intoleranti, i cili gjendet edhe në kundërvajtje, hap të lexojë një libër. Synimi: demoralizimi i tjetrit dhe lëshimi pe i tij. Ky e sheh nga pozitat epërsinë morale dhe i drejtohet me ironi: Lexo, lexo. Kur ta mbarosh, ma kalo mua, se më bëre kureshtar!

Thjesht, mendoj se nuk duhet lëshuar pe ndaj këtij agresioni verbal të partisë së Gruevskit. Nuk duhet tërhequr nga Platforma e partive shqiptare, që tani kanë filluar ta quajnë Deklaratë, e cila është identiteti politik i shqiptarëve të Maqedonisë. Ajo do afirmuar dhe maqedonasit duhet ta respektojnë atë. Nuk bën të kalojë vullneti i ksenofobëve, vetëm sepse janë destruktivë. Ata, pavarësisht se mundohen ta krijojnë përshtypjen se janë në ofensivë, duhet ta ndiejnë mirë se në të vërtetë nuk janë në të drejtën, dhe për më tepër janë pakicë. Më të humbur se kaq nuk ka.