Dy raportet për Tahirin, mazhoranca thotë se Prokuroria ka sfond politik

Kuvendi i Shqipërisë publikoi të martën dy raportet paralele të Këshillit mbi Imunitetin, ku mazhoranca pranon se parlamenti nuk ka të drejtë të gjykojë në themel kërkesën e prokurorisë, por argumenton se kërkesa duhet rrëzuar sepse sipas tyre ajo është «e motivuar politikisht». Deputetët e opozitës: Barriera ligjore për Tahirin kompromenton imazhin e Kuvendit.

Saimir Tahiri në mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve në Kuvendin e Shqipërisë më 20 tetor 2017. Foto: Gent Shkullaku/LSA



Deputetët e Partisë Socialiste në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin argumentuan rekomandimin e tyre për seancë plenare rreth rrëzimit të kërkesës së prokurorisë për heqjen e lirisë dhe kontrollin e banesës së Saimir Tahirit me argumentin se shihnin «motive politike» në kërkesën e prokurorisë. Ndërkohë që pranojnë se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka të drejtë të gjykojë as provat dhe as procedimin penal si të tillë.

Në raportin 22 faqësh të publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, të pesë deputetët e Partisë Socialiste Vasilika Hysi, Ulsi Banja, Klotilda Bushka, Bledar Çuçi dhe Gramoz Ruçi kërkuan rrëzimin e kërkesës së prokurorisë për arrestimin e Tahirit, por lejimin e prokurorisë që të merrte masa të tjera kufizuese për Tahirin, përfshirë autorizimin për kontroll personal dhe të banesës. Ata e argumentuan vendimin e tyre me nevojën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe me argumentin se shihnin «motive politike» te kërkesa e prokurorisë, por pa dhënë prova apo fakte dhe as nuk shpjeguan se cilat qenë arsyet që i shtynin të mendonin se prokuroria ka një axhendë politike në këtë rast.

Mazhoranca citon një raport të vitit 2014 të Komisionit Europian për Demokraci Përmes Ligjit, njohur më së shumti si Komisioni i Venecias, në të cilin shpjegohen kushtet dhe kriteret Europiane të imunitetit parlamentar dhe të heqjes së këtij imuniteti. [Link raporti i Komisionit të Venecias].

Deputetët e mazhorancës pranojnë se parimi kushtetues i ndarjes së pushteteve e detyron parlamentin të mos gjykojë provat apo themelin e kërkesës së prokurorisë, referuar këtu edhe raportit të Komisionit të Venecias. Duke cituar këtë raport, deputetët e mazhorancës thonë: «Komisioni i Venecias vlerëson për më tepër që organi parlamentar që shqyrton kërkesën për heqjen e imunitetit nuk duhet të bëjë një vlerësim ligjor të çështjes si e tillë. Në veçanti, ky organ nuk duhet në asnjë rrethanë të japë qëndrimin e tij për fajësinë ose jo të deputetit përkatës apo të bazueshmërisë së procedimit penal».

Nisur nga ky citim, parlamenti duket se nuk do të kishte rrugë tjetër veçse të miratonte kërkesën e prokurorisë, ndaj edhe deputetët e mazhorancës kanë shtuar dyshimet e tyre për motivime politike si arsyen kryesore të votës kundër arrestimit të Tahirit.

Pas deklarimit publik të deputetëve të mazhorancës kundër arrestimit të Tahirit, Prokuroria e Krimeve të Rënda publikoi një deklaratë të hënën ku akuzonte kryeministrin Edi Rama se kishte shkelur kushtetutën duke i dhënë të drejtë vetes të gjykonte provat e prokurorisë, duke e kthyer parlamentin efektivisht në gjykatë. Mospranimi i kërkesës së prokurorisë nga ana e kuvendit pranohet nga të gjithë se do të përbëjë një precedent në Shqipëri, për shkak se në të shkuarën, Kuvendi është detyruar të veprojë ndryshe, përfshirë rastet e hetimeve kundër Lulzim Bashës e Fatmir Mediut si dhe rastet më të freskëta të arrestimeve të deputetëve Mark Frroku e Tom Doshi.

Por deputetët e mazhorancës kanë gjetur një argument tjetër po nga Komisioni i Venecias. Ata shkruajnë duke cituar nga raporti në fjalë: «Komisioni i Venecias në përgjithësi vlerëson se duhet të ekzistojë një prezumim themelor që imuniteti duhet të hiqet në të gjitha rastet, kur nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se akuzat ndaj deputetit përkatës janë të motivuara politikisht».

Ky është paragrafi 162 i raportit të Komisionit të Venecias dhe mosdhënia e miratimit nga parlamenti konsiderohet si përjashtim nga rregulli. Në të gjithë raportin 22 faqësh, deputetët e mazhorancës nuk argumentojnë se pse ata besojnë se ka motive politike në kërkesën e prokurorisë. [Link raporti i maxhorancës]

Duke u përpjekur për të sulmuar provën kryesore publike të prokurorisë, shitjen dhe pastaj ripërdorimin e makinës Audi A8, deputetët e mazhorancës thonë se prokuroria nuk ka provuar që blerësi i makinës Artan Habilaj, një nga vëllezërit Habilaj, të jetë nën hetim penal. Artan Habilaj në fakt nuk është në listën e personave mbi të cilët është kërkuar arrestimi nga ana e drejtësisë italiane, ndërsa prokuroria shqiptare i referohet atij si «i dyshuar»

Nga ana e tyre, deputetët e opozitës në Këshill mbështetën kërkesën e prokurorisë me argumentin bazë se të dhënat e dala nga përgjimet në Itali, (anëtarët e bandës kriminale komentuan për dhënien e dhuratave apo shumave të parave për Tahirin), vërtetohen «në praktikë» për shkak se gjatë kohës që Tahiri qe Ministër i Brendshëm, policia shqiptare nuk ka vepruar kundër kësaj organizate kriminale.

Duke përdorur të njëjtin raport nga Komisioni i Venecias, deputetët e opozitës argumentojnë se «motivi politik» sipas kuptimit të këtij raporti, shkeljet e pretenduara duhet të jenë qartazi dhe haptazi të pabaza apo kur pretendimet e paraqitura kanë qartazi shqetësimin ose frikësimin e deputetit dhe ndikimin mbi mandatin e tij.

Argumenti kryesor i deputetëve të opozitës është që mosdhënia e lejes do të përbëjë një barrierë ligjore dhe kompromenton imazhin e Kuvendit të Shqipërisë. Duke huazuar një argument po nga raporti i Venecias, deputetët e opozitës shkruajnë: «Maksima»sado lart që ti të jesh, ligji është gjithnjë mbi ty» përmbyset duke u shndërruar në «nëse je anëtar i Parlamentit, ligji nuk mund të të prekë». Raporti i opozitës u firmos nga deputetët Dhurata Çupi, Eduard Halimi, Gent Strazimiri, Enkelejd Alibeaj dhe Nasip Naço. [Link raporti i opozitës]

Në një zhvillim të veçantë, Saimir Tahiri deklaroi në një konferencë për shtyp se ka siguruar një certifikatë penale të pastër nga Gjykata e Katanias në Itali.

(https://www.reporter.al/dy-raportet-per-tahirin-maxhoranca-thote-se-prokuroria-ka-sfond-politik/)