Dy profesorë kundër një vendimi skandaloz të kabinetit H.

Profesorët Lul Raka dhe Blerim Rexha kundërshtojnë me argumente të fuqishme vendimin e qeverisë për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (Bordit) të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Shoqëria kosovare nuk duhet të vëzhgojë në heshtje skandalin e fundit të kabinetit H.

Ilustrimi: Shutterstock



Pa ndonjë debat publik, me një paralajmërim skandaloz kryeministri Ramush Haradinaj dha urdhër që ministri i Arsimit të shkarkojë Këshillin Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Dhe ministri, i cili më 22 tetor do të bëhet kryetar i Prishtinës (në ndonjë emision humoristik), menjëherë zbatoi urdhrin e ish-komandantit të UÇK-së, ish-Smajlit, ish-gjeneralit të TMK-së. Këshilli merr vendime të rëndësishme: cilat programe të studimit lejohen dhe cilat jo, cilat kolegje private i plotësojnë kushtet për të pranuar studentë dhe cilat jo, cilat degë mund të studiohen vetëm në Universitetin (publik) të Prishtinës.

Qeveria nuk ofroi asnjë argument valid për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit, përveç disa formulimeve nebuloze mbi ekzistimin e gjoja «parregullsive serioze» dhe faktin se puna e këtij këshilli paskësh qenë «objekt i diskutimit publik». Ndoshta për këshillin është debatuar në një botë paralele të Ramush Haradinajt, por në mediat e Kosovës së paku së fundi jo. Një kabinet serioz do të duhej të numëronte faktet përse u shkarkua bordi. A u shkarkuan anëtarët e bordit për shkak se mbrojtën disa parime elementare dhe nuk lejuan që kaosi në fushën e arsimit kosovar të thellohet?

Dy anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim – Lul Raka dhe Blerim Rexha – kanë reaguar ashpër pasi kanë mësuar nga mediat mbi shkarkimin e tyre. Kosova ka pak njerëz që janë zot të punës së tyre, siç janë profesorët Raka dhe Rexha. Andaj, reagimi i tyre duhet ta alarmojë shoqërinë dhe mediat për të kërkuar sqarime dhe për të hulumtuar arsyet se përse Ramush Haradinaj merr këso vendimesh.

Doktor Lul Raka, të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë e dërgoi në Liberi të Afrikës si ekspert për të luftuar epideminë Ebola, tregoi se ka qenë kategorikisht kundër hapjes së drejtimeve të mjekësisë së përgjithshme në cilindo institucion privat të arsimit të lartë të Kosovës. Një qëndrim dinjitoz i një profesionisti! Duhet të jetë e qartë që tani: nëse kolegjet që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut lejohen të «arsimojnë» edhe mjekë, atëherë bëhuni gati për lajme të reja tragjike: pacientë që vdesin në duar të «bolničar-ëve» me diploma të qymezeve pseudoakademike. Kësaj punës së shkarkimit të Bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim po i vjen një duhmë e rëndë.

Raka ka shkruar se nuk është «pajtuar që arsimi i lartë në shëndetësi të duket si një biznes qebaptoresh». Ai ka treguar se si disa nga kolegjet kërkuan rritjen e menjëhershme të numrit të studentëve në drejtimet e Stomatologjisë dhe Farmacisë. Nga letra e Lul Rakës duhet cituar edhe këto detaje: «Kolegji AAB kërkoi që në vend të 25 studentëve në Stomatologji t’i regjistrojë 120 sosh. Kurse, në Radiologji në vend të 30 studentëve t’i regjistrojë 120. Kolegji UBT kërkoi që në vend të kuotave të votuara në Farmaci prej 20 studentësh ta rrisë numrin në 50; në Stomatologji në vend të 20 studentëve në 50 dhe infermieri në vend të 50 studentëve të regjistrojë 300 studentë. Kam votuar kundër rritjes edhe për një student të vetëm. Kolegji AAB vetëm në infermieri për një vit ka regjistruar mbi një mijë studentë! Rregullsi se jo mahi! Në periudhën sa kam qenë në Agjenci janë mbyllur 140 programe në të gjitha institucionet publike e private në Kosovë».

Pas kësaj letre qeveria heshti, heshtën këshilltarë e zëdhënës, shefa të informacionit dhe dezinformatës, llafologë dhe «mashqi» të akomoduar në zyra pushteti. Pas dr. Lul Rakës reagoi edhe dr. Blerim Rexha. Ai e akuzoi kryeministrin se vendimin e ka marrë pa qenë i informuar mbi punën e bordit. «Meqenëse ju nuk gjetët kohë të na vizitoni apo edhe të na ftoni në ndonjë takim informues për situatën dhe vizionin tuaj për arsimin e lartë, më lejoni të ju informoj për «parregullsitë serioze» të prodhuara gjatë dy viteve që unë po udhëheqë Agjencinë».

Pastaj dr. Rexha rendit faktet: sipas tij është zvogëluar numri i programeve të studimit nga 486 në vitin 2015 në 346 programe ne vitin 2017 si pasojë e mosplotësimit të kërkesave minimale të cilësisë sipas kornizës ligjore në fuqi; janë pezulluar mbi 140 programe të studimeve për mungesë të stafit akademik; janë mbyllur 8 institucione private të arsimit të lartë për shkak të mos plotësimit të kritereve minimale të cilësisë të përcaktuara sipas kornizës ligjore në fuqi; në mbledhjen e fundit të Bordit, të mbajtur me 22 shtator 2017, është vendosur të bëhet edhe tërheqja e akreditimit për disa programe që tentuan të mashtrojnë Agjencinë – me profesor që nuk janë në Kosovë; u ndalua puna e mbi 60 profesorëve nga rajoni (Maqedonia, Shqipëria, dhe vendet tjera) vetëm për letra në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.

Këta 60 «profesorë», sipas dr. Rexhës, kanë ofruar deklarime të rrejshme në Agjenci për qëllime të akreditimit, madje disa prej tyre «as nuk ishin në dijeni që emri i tyre përdorej nga institucionet e arsimit në Kosovë, e disa nuk kanë qenë asnjëherë në Kosovë; ndaluam punën e të gjithë profesorëve në Kosovë me dy e më shumë vende të punës me orar të plotë; vendosëm për herë të parë kufizimin në numër të studentëve të regjistruar, në pajtim me infrastrukturën që institucionet e arsimit kanë në dispozicion; bëmë publike listën e të gjithë profesorëve (bartësve) të programeve të studimeve; kthyem imazhin e lënduar të Agjencisë në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe kemi marr konfirmim për punën e mirë edhe nga miqtë ndërkombëtarë edhe nga Komisioni Europian, siç e kanë shprehur në raportin e progresit të Kosovës për vitin 2016, sepse sigurisht ndajmë mendimin dhe parimet e njëjta për sa i përket zbatimit të ligjshmërisë dhe sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë».

Dr. Blerim Rexha në letrën e tij mbron edhe dinjitetin profesional dhe njerëzor të tij dhe kolegëve të tij, duke ia përkujtuar kryeministrit se nuk ka të drejtë t’i ofendojë shkencëtarët: «…të na ofendoni për mungesë kompetence dhe profesionalizmi është ofendim dhe përulje që bëni jo vetëm shkollimit tonë në universitete europiane e botërore, por edhe institucioneve të shtetit të Kosovës! Është ofendim dhe përulje edhe për dy anëtarët ndërkombëtar, që kaluan pothuajse një jetë në arsimin e lartë dhe majat e shkencës në ShBA dhe Gjermani!»

Çfarë na pret në të ardhmen? Një spital i zemrës në rrugën që çon për Ferizaj? Një spital i vëllezërve Haradinaj? Një spital ku shefa kirurgjie emërohen «mashqit» e uritur? Të gjithë kemi qenë dëshmitarë viteve të fundit mbi skandalet në mjekësinë kosovare – private dhe publike. Vdesin njerëz gjatë trajtimit ose në mungesë trajtimi dhe pothuaj askush nuk jep përgjegjësi. Mjekë që kanë shkelur etikën qëmoti bëjnë biznes me pacientë të sëmurë nga zemra. Kryhen operime të panevojshme dhe shtyhen ose nuk kryhen kurrë operimet e domosdoshme. Miliona euro kosovarët për çdo vit i harxhojnë në Shkup, Beograd e Tiranë dhe gjetiu në botë për të trajtuar edhe problemet më të vogla shëndetësore. Tash me gjasë qeveria dëshiron t’i bëjë «një shërbim» kolegjeve private në vend se disa fusha të arsimit t’i mbajë nën kontroll të rreptë. Sepse nuk mund të derregullohet gjithçka. Sepse nuk e rregullon çdo gjë «tregu i lirë». Sepse zemrat, veshkët dhe gjymtyrët e kosovarëve nuk janë mall për treg të lirë.