Dy personazhe – një përfundim

Ndër zararet që ka imazhi i keq i shqiptarëve në Zvicër është vështirësia për gjetjen e një vendi pune. Dhe, ndjenja e vlerës së ulët. Inferioriteti. Një kushëri im ma pati dhënë ta shoh dosjen e aplikimeve për punë. Më pati rënë në sy që frëngjishten e kishte dhënë si gjuhë nëne. «Ç’ne kjo, mor çun?!», i them. Nëna e tij frëngjishten e flet vetëm keq. «Si t’u bë ty gjuhë nëne kjo?!», vazhdova me gjysmë shakaje. Kjo qenkësh legjitime, më korrigjon një kushërirë e tij juriste. Nëse një gjuhë e njeh në nivelin e gjuhës së nënës, mund ta japësh si të tillë, arsyeton ajo. Nuk e dija akoma atëbotë. Dhe, vazhdova të lexoj jetëshkrimin e kushëririt të ri. E kthej mbrapsht: Gjuha e vërtetë e nënës nuk figuron askund! «Po shqipen ku e ke, mor?!», i drejtohem gati me qortim. Ai hesht një kohë, pastaj lajmërohet me zë të fikur. E ka hequr më mirë, thotë, që të mos krijojë keqkuptime. «Kam pasur përvoja të këqija me këtë», më drejtohet si fajtor. Shoh nga kushërira se mos ka ndonjë shpjegim edhe për këtë. Por, edhe ajo, që është juriste, nuk e mbron më kushëririn, i cili përndryshe është një alamet djali.

Nuk e di pse habitem kaq shumë. Mohimin e identitetit ma kanë pohuar vetë shumë shqiptarë. Ata, për faj të tij, rrëfejnë, nuk e kanë fituar një banesë, e kanë humbur një mike të dashur dhe histori të tilla. Mjerisht, të vërteta. Varësisht nga situata më pas janë identifikuar si grekë. Jo sepse i adhurojnë më shumë grekët, por sepse ata nuk ishin dëgjuar për të keq dhe gjasat që bashkëbiseduesi i tyre ta njohë greqishten dhe t’i përgënjeshtrojë janë më të vogla. Kriza financiare greke u prishi shumë punë këtyre shqiptarëve. Sepse grekët ranë nga froni, atyre u vinte zor vetë të prezantoheshin si të tillë. Madje akoma nuk e kanë marrë veten. Varësisht nga situatat, këta shqiptarë të ndershëm më me kënaqësi prezantohen si italianë. Ata e kanë imazhin më të mirë. Sidomos te femrat. Kështu mendojnë ca. Por, këta shqiptarë nuk janë as shumë të dinjitetshëm, as shumë të ditur. Sepse përpara shqiptarëve, «delet e zeza» në Zvicër ishin italianët.

Nuk ka më shumë se ndonjë muaj që një artikull i «Aargauer Zeitung» për shqiptarët bëri xhiron e medieve në Zvicër. Ai flet për atë sesi shqiptarët nuk janë më ata që përfliteshin dikur: i japin me tërbim veturës, i aranzhojnë martesat, godasin pa një pa dy… Autori ishte thelluar në temë, artikulli nuk ishte thjesht një shprehje e korrektësisë politike e munguar në raport me shqiptarët në Zvicër. Hulumtimi kishte nxjerrë që, për dallim prej ca viteve më parë, kërkimi në makinat elektronike për shqiptarët sot nuk nxirrte shumë materiale. Tani vendin e shqiptarëve në kronikën e zezë e kanë zënë të tjerët. Në respekt të shqiptarëve, për jehonën që kishte pasur artikulli, gazeta e nxori atë edhe në gjuhën shqipe! Kjo është e rrallë. Para ca kohësh, një gazetë gjermane i ftonte grekët me një artikull prominent në greqisht që të mos votonin për dalje nga eurozona.

Megjithatë, shqiptarët nuk janë përshëndetur përgjithmonë me namin e keq. Këto fenomene kanë këmbë të gjata në kohë. Përveç shërbimit që i kanë bërë ata këtij imazhi, për një gjë të tillë janë kujdesur edhe të tjerët. Nuk janë vetëm shqiptarët që prezantohen si të huaj, ka edhe të huaj që prezantohen si shqiptarë. Kam qenë dëshmitar i një skene të shëmtuar në pedonalen e një qyteti zviceran: Një i ri i rrëfente në maqedonisht shoqërisë së tij për zotësinë që kur bënte ndonjë marifet të keq prezantohej si shqiptar nga Kosova. Nuk mund të thuhet se kjo është reprezentative, por ka forma më subtile të dëmtimit të tjetrit. Në opinionin zviceran ka lënë gjurmë një artikull rrënues për shqiptarët i një bashkatdhetareje të këtij të riu, profesoreshë e historisë në Universitetin e Cyrihut, i botuar në një revistë mjekësh. Një mungesë respekti tej e tej për një popull. Për popullin me të cilin historia e ka caktuar fqinj. Tezat e artikullit kanë bërë pastaj karrierë sidomos në një revistë zvicerane që nuk shquhet për dashamirësi ndaj shqiptarëve. Dhe, ky nuk është i vetmi.

Ka shqiptarë që kanë rënë në kurthin e këtyre abuzuesve. Shqiptarë apo të huaj, njëlloj. Ata nuk e kanë mësuar që nuk ndrydhet vullneti i njerëzve për të çarë me integitet në jetë dhe se ka avancuar statusi i integrimit të shqiptarëve në Zvicër. Kush nuk e ka mësuar këtë ndryshe, i rrëfehet në jetë. Pikërisht këto ditë, kushërira e kushëririt tim më tregoi për një shqiptare që kishte aplikuar për një vend pune në zyrën juridike ku ajo punon. E ngrata e kishte menduar si avantazh, por i kishte dalë ters. Kishte qëlluar në kushërirën, e cila kishte qenë përgjegjëse për trajtimin e dosjes së saj. Ajo e kishte pyetur kandidaten frontalisht, identitetin shqiptar të së cilës e kishin tradhtuar të dhëna të tjera, përse nuk figuron shqipja në listën e gjuhëve që njeh. Dhe, i kishte dhënë një leksion të mirë. Përveç të tjerash, ajo duhej ta dinte që çdo gjuhë është një vlerë e shtuar.