Dy kufijtë e Murat Mehës




Murat Meha nuk i njeh ata kufij që, në kapacitetin prej shkencëtari, ia kishte përshkruar Kosovës para luftës. Tash si zyrtar ia njeh shtetit një territor më të tkurrur.

 

Meha është autor i hartës së Kosovës që është botuar nga «Rilindja» në vitin 1998. Harta është në shkallën 1:200,000 dhe me bazë topografike me izohipse. Ajo ka kufijtë e Kosovës shumë të dallueshëm dhe në përputhje me kufijtë e hartave topografike dhe enciklopedive të hartuara nga Lufta e Dytë Botërore e deri në përfundim të luftës në Kosovë, në qershor të 1999-s, shkruan sot «Koha Ditore».

Florim Isufi dhe Shpejtim Bulliqi, profesorë të Universitetit të Prishtinës të profilizuar në gjeoinformatikë dhe hartografi, kanë dhënë vlerësime të larta për hartën e Mehës. Kanë thënë të jetë «njëra ndër hartat më të sakta për territorin e Kosovës». Vlerësimin e kanë dhënë në pjesën e tretë të studimit bërë kufirit me Malin e Zi, në të cilin kanë sjellë argumente shtesë se si me demarkacionin e fundit Kosovës i tkurret territori.