Dy komuna bashkohen për asfaltimin e një rruge

Zyrtarët e Komunës së Prishtinës dhe ata të Obiliqit kanë realizuar një projekt të përbashkët në vlerë rreth 300 mijë eurosh për asfaltimin e një rruge.




Në një njoftim të Komunës së Obiliqit thuhet se ky projekt ka bërë Zonën Industriale me rrugë të asfaltuar, shkruan sot Koha Ditore.

«Përfundon asfaltimi i rrugës që lidh fshatin Mazgit të Komunës së Obiliqit me fshatin Bërnicë e Ulët të Komunës së Prishtinës. Kjo rrugë e përshkon pjesën që është e destinuar si Zonë Industriale nga Komuna e Obiliqit. Asfaltimi i kësaj rruge krijon lehtësi në ushtrimin e aktivitetit biznesor për të gjithë afaristët që operojnë në atë zonë. Vlera e këtij projekti është 296,000.00 euro», thuhet në këtë njoftim.

Ky projekt është realizuar pasi më 25 mars të këtij viti, kryetarët e të dyja komunave kishin nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi. Në nenin 1 të këtij memorandumi shkruhej se palët sipas marrëveshjes janë pajtuar që së bashku ta realizojnë projektin e rrugës në fshatin Breznicë të Komunës së Obiliqit dhe fshatit Barilevë të Komunës së Prishtinës.

«Komuna e Prishtinës përkujdeset për shpronësimin eventual nëse atakohen pronat e qytetarëve gjatë realizimit të projektit në territorin e Komunë së Prishtinës. Komuna e Prishtinës merr përsipër inicimin e procedurave të tenderimit dhe financimin e ndërtimit të rrugës Barilevë-Breznicë», thuhet në nenin 2. Ndërsa, neni pasues përcakton përgjegjësitë e Komunës së Obiliqit. Sipas nenit 3 thuhet se Komuna e Obiliqit përkujdeset për shpronësimin venetual nëse atakohen pronat e qytetarëve gjatë realizimit të projektit në territorin e Komunës së Obikliqit dhe se Komuna e Obiliqit merr përsipër shpenzimet e kompanisë projektuese të kontraktuar nga Komuna e Prishtinës për projektin e rrugës. «Palët janë të obliguara që bashkërisht të bëjnë mbikëqyrjen dhe zbatimin e kësaj marrëveshje», thuhej në nenin 4.