Dy gazetarë dhe një president cungojnë historinë e Kosovës

Gazetarët Roger Boyes dhe Suzy Jagger kanë shkruar një biografi për glamurin e të qenmit revolucionar. Protagonisti i tyre Hashim Thaçi përshkruhet si pronar i historisë së Kosovës dhe i UÇK-së, si njeri që vuri në lëvizje NATO-n, pastaj si figura e vetme e të gjitha zhvillimeve të pasluftës. Libri përmban retushime të vrazhda të historisë dhe një tendencë për të hedhur baltë mbi tërë lëvizjen paqësore dhe mbi Ibrahim Rugovën. Ja dy shembuj: kur flitet për paraqitjen e UÇK-së më 1997 duket se qëllimisht nuk përmenden emrat e Rexhep Selimit, Mujë Krasniqit e Daut Haradinajt si protagonistët e asaj dite të shënuar, ndërsa fotografia nga ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambouillet tregon Thaçin dhe Rugovën të ulur në tavolinë, por lë jashtë saj Rexhep Qosjen dhe Veton Surroin. Burimet e librit janë çuditërisht tepër të mangëta, ndërsa anekdotat gojore, përveç prej Thaçit, vijnë ose nga Enver Hoxhaj ose nga Bekim Çollaku.

Dikur me shokë, në biografinë e sapo botuar pa shokë: Hashim Thaçi në një tubim në vitin 1999.



Pse shkruhet një biografi? Çka e shtyn autorin t’ia dedikojë një libër të tërë zbërthimit dhe përshkrimit të jetës së një personi? Prej nga vjen frymëzimi, vullneti, energjia për t’ia përkushtuar rreth dy vjet jete biografisë së një personi tjetër? Por nëse autorit i mungon frymëzimi për të bëmat e heroit, atëherë çka e nxitë atë t’i hyjë kësaj pune? Me fjalë të tjera, sa të holla duhen për të shkruar libër për dikë tjetër? Se siç i thonë një fjale, çdokush e ka çmimin e vet. Rrjedhimisht, sa kushton një autor për të shkruar një biografi? Këto janë disa nga pyetjet që sillen nëpër mend derisa lexon biografinë e sapo publikuar të Roger Boyes dhe Suzy Jagger të titulluar «New State, Modern Statesman: Hashim Thaçi – A Biography» (Shtet i ri, burrështetas modern: Hashim Thaçi – biografi). Autorët janë gazetarë shumëvjeçarë në shtypin britanik. Kanë punuar kryesisht për të përditshmen «The Times».

Derisa Suzy Jagger ka raportuar kryesisht mbi ngjarjet në Lindjen e Mesme, Roger Boyes ka botuar artikuj e libra për Europën Lindore, mes tjerash edhe një biografi për revolucionarin polak Lech Wałęsa. Se çka i shtyri këta dy gazetarë të shkruajnë një biografi për presidentin e Kosovës, mbetet ndoshta të sqarohet nga ata që mund ta dinë këtë. U motivuan nga ngritja fenomenale e një djaloshi i cili nga viset rurale të Kosovës arriti të bëhej faktor kyç bisedimesh ndërkombëtare, apo u frymëzuan nga faktorë më të prekshëm, monetarë ndoshta? Dhe, në fund, kjo biografi, a është e autorizuar apo jo? A e gëzon bekimin e protagonistit kryesor? Do të ishte me interes që presidenti të prononcohej për këtë.

Shumë është shkruar e vazhdon të shkruhet për Kosovën nga autorë të huaj që mund të jenë gjithçka tjetër por jo edhe «ekspertë» të rajonit. Të paktë janë ata që posedojnë njohuri të bollshme për rajonin për të shkruar me kredibilitet për politikën, kulturën e historinë e tij dhe për t’i qëndruar besnik të vërtetës. Shkrimtarë, akademikë, doktorantë, gazetarë, hulumtues OJQ-sh nga më të ndryshmet kanë bërë karriera duke proklamuar narrativa të llojllojshme për Kosovën dhe Ballkanin, secili me një të vërtetë më tendencioze se tjetri. Kryesisht, artikujt dhe librat që janë shkruar për Kosovën mund të ndahen në dy grupe: ato të cilat qartazi janë të motivuara nga paragjykimet dhe një injorancë e theksuar për kulturën e popullit të Kosovës, dhe të cilat rezultojnë të japin tablo të shfytyruara të historikut të tij. Në to, UÇK-ja dhe lufta në Kosovë vrojtohen me skepticizëm, për të mos thënë armiqësi. Në përgjithësi proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova, bashkë me pavarësinë, paraqiten si një anomali që nuk do të duhej të ndodhte.

Në grupin tjetër janë ata autorë të huaj të cilët qartazi tregojnë një simpati për kauzën dhe aspiratat e popullit shqiptar në Kosovë, rezistencën paqësore të tij, pastaj luftën e UÇK-së dhe çdo gjë që pasoi deri në pavarësi e pas saj. Por problemi kryesor me këtë grup autorësh është njëanshmëria e tyre, si dhe një tendencë për të zbukuruar ngjarjet e për të lartësuar figurat publike të saj, sidomos luftën dhe udhëheqësit e saj. Duket se në këtë kategori të dytë hyjnë edhe autorët e lartëshënuar me biografinë për Hashim Thaçin.

E vërteta – pak a shumë

Parathënia është e shkruar nga ish-senatori Bob Dole. Kjo duket impresive kur kemi parasysh se Dole ka qenë një nga përkrahësit kryesorë të rezistencës shqiptare në Kosovë. «Rrugëtimi i Thaçit është rrugëtimi i Kosovës», thotë ai. Në një anë, e kuptueshme kjo thënie, por në anën tjetër edhe klaustrofobike të mendosh se si shtet, si popull, fati yt dhe ardhmëria jote janë përherë të lidhur me atë të një individi, kushdo qoftë ai. «Kosova ka pasur një rrugëtim të jashtëzakonshëm», vazhdon Dole, «dhe një njeri me rol kyç në zhvillimin e këtij bastioni të demokracisë në Ballkan është presidenti Hashim Thaçi». Mos t’ia zëmë për të madhe ish-senatorit të nderuar, por t’i referohesh Kosovës si bastion demokracie, në kohën kur ende orvatemi të shkëputemi nga tendencat e një qeverisjeje autokratike, është qesharake. Dhe për këtë, natyrisht, përgjegjësinë më të madhe e ka lidershipi politik, duke filluar nga presidenti.

Autorët fillojnë biografinë me glorifikim marramendës të heroit të librit. «Thaçi ka drejtuar Kosovën nga të qenmit një koloni e shtypur nën thundrën e një prej diktatorëve më të egër të Evropës, në një demokraci shkëlqimtare». Janë disa shtresa ekzagjerimesh në këtë fjali: së pari, Kosova fatkeqësisht është larg të qenmit demokraci që t’i merr sytë nga shkëlqimi. Së dyti, centralizimi i meritave në një person të vetëm, duke mos përmendur kontributin e figurave tjera udhëheqëse, nuk i bën nder as protagonistit e as të vërtetës. Është e qartë se fokusi i librit do të bie mbi një person të vetëm (është biografi!), por kur njerëzit rreth tij nuk përmenden për rolin e tyre në luftë dhe pas saj, atëherë e vërteta duket e cunguar dhe mbase edhe e manipuluar. Përgjatë gjithë librit vërehet një tendencë e qartë e autorëve që, për shembull, të minimizojnë figurën dhe rolin e Ibrahim Rugovës, i portretizuar këtu si rivali kryesor i Thaçit, i dërrmuar e i nënshtruar nga frika e pasiguria për të vepruar. Thaçi, në anën tjetër, është djaloshi që do ta shkundte popullin nga amullia mbytëse duke qenë i bindur se Sllobodan Millosheviqi kuptonte vetëm gjuhën e armëve. Pikërisht kjo është edhe një nga pikat e dobëta të biografisë: një tendencë për të hedhur baltë mbi gjithë lëvizjen paqësore vetëm e vetëm për të lartësuar Thaçin dhe, bashkë me të, edhe UÇK-në si projekt pothuaj personal i tij. Ky është një kurth në të cilin, me apo pa vetëdije, kanë rënë edhe shumë autorë tjerë, të cilët nuk shohin se në esencë edhe lëvizja paqësore, por edhe rezistenca e armatosur, kanë luajtur rol vendimtar për çlirimin e Kosovës. Larg së përjashtuari, ato kanë plotësuar njëra-tjetrën. Rrjedhimisht, kjo tendencë për të përlbaltur figurën e Rugovës dhe rezistencën paqësore është meskine dhe e pakuptimtë.

Po ashtu, është e paarsyetueshme dhe komike edhe një përpjekje e qartë për retushim të vrazhdë të historisë sonë të vonshme. Për shembill, libri përmend vetëm shkarazi daljen e parë publike të UÇK-së në fund të vitit 1997, por duket se qëllimisht nuk përmenden emrat e Rexhep Selimit, Mujë Krasniqit e Daut Haradinajt si protagonistët e asaj dite të shënuar. Mungojnë edhe emrat e shumë prej protagonistëve kryesorë të luftës pa të cilët UÇK-ja dhe zanafilla e saj as nuk mund të konceptualizohen. Lihet thuajse plotësisht anash lidershipi i hershëm i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK-së) të cilët luajtën rol determinues në themelimin e UÇK-së, po aq sa nuk përmenden shokët e vjetër të luftës, rruga e të cilëve tashmë është ndarë nga ajo e Thaçit, si Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi, Nait Hasani etj. Fotografia nga ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambouillet tregon Thaçin dhe Rugovën të ulur në tavolinë, por lë jashtë saj Rexhep Qosjen dhe Veton Surroin, të cilët ishin bashkënënshkrues të atij dokumenti. Përmenden, dhe atë kalimthi, vetëm ata njerëz të cilët vazhdojnë të kenë raporte të afërta me të, si Kadri Veseli e Xhavit Haliti. Marrëdhëniet e Thaçit me Adem Jasharin përshkruhen si tejet të ngrohta dhe vëllazërore. Të jepet përshtypja se përderisa Adem Jashari ishte ideatori i rezistencës së armatosur, Hashim Thaçi ishte protezheu i tij, në supet e të cilit kishte rënë barra e krijimit të një ushtrie të tërë prej zeros.

Kur flitet për episode të caktuara historike, është evidente se si autorët mbështeten në perfiditetin e gjuhës angleze për t’i bërë bisht të vërtetës së plotë, apo për të folur në mes rreshtash dhe në gjuhë diplomatike. Derisa flet për Rambouillet, Thaçi deklaron: «Delegacioni më nominoi për të udhëhequr bisedimet». E vërtetë, por po ashtu është e vërtetë se ky nominim erdhi tek pas një periudhe tensionimi të marrëdhënieve ndërmjet LDK-së dhe Rugovës, dhe UÇK-së. Në fund ky nominim më shumë dukej si imponim për shkak të rrethanave në terren ku forca e armëve kishte heshtur rezistencën paqësore.

Shihet se autorët janë larg të qenmit ekspertë të rajonit, e aq më pak të kenë njohuri të thella të raporteve socio-politike brenda Kosovës dhe më gjerë në rajon. Për të kompensuar këtë mungesë njohurish, autorët mbështeten në përdorimin e një arsenali ekzotik fjalësh nga fushat e marrëdhënieve ndërkombëtare, siguria kombëtare, historia, antropologjia etj. Në fund, mbesim me një tekst që nuk është se i takon një zhanri të caktuar, përveç një gazetarie me sajime të herëpashershme hiperbolizuese. (Është për t’u çuditur se, me sa e pashë, as një herë të vetme autorët nuk flasin për shqiptarë të Kosovës, por për kosovarë: UÇK-ja i mbrojti kosovarët, kosovarët luftuan për pavarësi, Thaçi përfaqësoi ekipin kosovar etj.). Burimet janë çuditërisht tepër të mangëta, ndërsa anekdotat gojore, përveç prej Thaçit, vijnë ose nga Enver Hoxhaj ose nga Bekim Çollaku. Çdo kapitull nuk ka më shumë se dy-tri burime si referencë, gjë e jashtëzakonshme kjo që tregon për një dembeli nonshalante për të hulumtuar literaturë.

Sa i përket krahasimeve që i bëhen Thaçit me figura të tjera (Churchill, de Gaulle, Mandela, Havel), është jashtëzakonisht e vështirë, për të mos thënë e pamundshme, që kjo të bëhet në dy-tri faqe të librit. Këto krahasime më shumë duket se bëhen për konsumim afatshkurtë politik, sesa që kanë të bëjnë me një analizë të mirëfilltë. Për shembull, është e vërtetë se Mandela ishte gjithashtu udhëheqës i një krahu ushtarak – atij të Kongresit Kombëtar Afrikan («African National Congress») – por ai po ashtu i kaloi gati 30 vjet në burgje të aparteidit jugafrikan. Në këtë aspekt, ndoshta ngjashmëria është më e përafërt me Adem Demaçin. Apo Vaclav Haveli i Çekosllovakisë dhe disidenca e tij paqësore, që duket më e ngjashme me atë të Ibrahim Rugovës. Me fjalë tjera, nuk është që nuk ka krahasime me Thaçin, por ato nuk janë determinuese për peshën dhe rolin historik të tij në kontekstin e Kosovës. Por një gjë duket e sigurt: Thaçi nuk dëshiron të krahasohet me Gerry Adams, ish-komandantin misterioz dhe liderin politik të IRA-s së Irlandës Veriore. «UÇK-ja kurrë nuk ka qenë si IRA. Kjo u bë e qartë në momentin kur republikanët filluan fushatën e bombardimeve në Angli. Ne kurrë nuk do të vepronim si terroristë në Serbi – ne vepronim brenda Kosovës dhe kundër një ushtrie okupuese». Kjo duket të ketë qenë e vërtetë. Nuk ishte e rastësishme që luftimet bëheshin brenda Kosovës dhe nuk kishte sulme në Serbi, pasi që kjo ishte praktikë e vetëdijshme e udhëheqësisë së UÇK-së.

Autorët nuk përtojnë të përdorin edhe gjuhë ekzotike për rrethanat në të cilat u ngrit rezistenca e armatosur. Përshkrim plot glamur për luftën e aktivitetet klandestine të Thaçit, saqë lexuesit i mbetet pikë që nuk ka qenë i pranishëm. Por lufta, e bashkë me të edhe aktivitetet e protagonistit të librit, nuk ishin film hollivudian. Për popullin që e përjetoi atë në lëkurën e vet, ajo ishte e rëndë si shkëmbi. Po ashtu, në të morën pjesë, apo u afektuan, të gjithë në njëfarë mënyre. Por libri është përplot me shprehje personalizuese mbi luftën dhe proceset e fundit politike. «Lufta e tij për pavarësi». Apo «dy muaj para se të zgjedhej president nga Kuvendi, Thaçi tha se konsideronte që ta ndërrojë Kushtetutën e vendit në mënyrë që të kandidojë për president për herë të dytë – por këtë herë i zgjedhur nga populli.» Apo «para së gjithash, Thaçi do të kujtohet […] si njeriu që e bindi aleancën më të fuqishme të botës që ta ndihmojë ushtrinë e tij të lodhur». Por lufta nuk është dhe as ka qenë prone e një personi të vetëm. As Kushtetuta nuk është pronë private që të ndërrohet me tekat e një individi, president apo jo. Ndërsa, sa i përket efektit që paskemi pasur mbi NATO-n, ndoshta është më mirë që të jemi më realistë me vetveten dhe të mos proklamojmë aq zëshëm se paskemi ndryshuar kursin e ardhmërisë së aleancës më të fuqishme botërore. Aleanca sigurisht nuk do të pajtohej se si pahiri ka hyrë në lojën tonë, e joshur nga intuita jonë e parezistueshme për «proceset globale gjeo-strategjike».

Mesazhi dhe audienca?

Kur shkruhet një vepër, autorët e kanë një ide pak a shumë të qartë se cila është audienca e shënjestruar nga libri. Cili është qëllimi, mesazhi që mëtohet të arrihet? Në këtë rast, s’do mend se kjo biografi i është dedikuar një audience të jashtme, qarqeve politikëbërëse, akademike e më gjerë. Duke na e personalizuar figurën e Thaçit, duke na njoftuar me të kaluarën e tij modeste në katund, me familjen e tij, dobësitë e trillet, autorët përpiqen të ndikojnë në përmirësimin e imazhit të presidentit në rrafsh global. Sigurisht se tentohet që të arrihet edhe një baraspeshë nga dëmi që iu bë atij personalisht pas publikimit të raportit të Dick Marty-it për krimet e supozuara nga pjesëtarë të UÇK-së që, siç e dimë, rezultoi në krijimin e Gjykatës Speciale. Mirëpo, pengesa më e madhe e kësaj biografie për t’u pranuar nga audienca e jashtme është kredibiliteti i asaj që thuhet në të. Mungesa e kritikës nga ana e autorëve, hiperbolizimi i figurës së Thaçit dhe lënia në harresë e figurave të tjera të rëndësishme të kohës, si dhe burimet e cekëta e të njëanshme informative, s’do mend do të ndikojnë që kjo biografi të mos merret me seriozitetin e mëtuar.

Armend Bekaj merret me hulumtime në fushën e demokratizimit dhe sigurisë, me fokus të veçantë në rolin e ish-ushtarakëve në politiken e pasluftës. Më 2010 Bekaj botoi një studimin «The KLA and the Kosovo war: from intra-state conflict to independent country» të botuar nga Instituti Berghof Conflict Research në Berlin.