Dy deputetë zviceranë në krah të shqiptarëve – këtu, atje, gjithkund!

Deputetët prominentë zviceranë, Ueli Leuenberger dhe Andreas Gross, braktisin parlamentin pas një angazhimi shumëvjeçar në favor të shqiptarëve. Për këtë ata meritojnë një shenjë publike falënderimi nga institucionet e Kosovës.



Derisa dhjetëra shqiptarë të shtyrë kryesisht nga entuziazmi i tepërt kanë shpallur kandidaturat për deputetë në parlamentin e Zvicrës, dy figura të njohura politike të Zvicrës nuk do të jenë më pjesë e këshillit nacional, siç quhet parlamenti i konfederatës helvetike. Ueli Leuenberger nga Partia e Gjelbër dhe Andreas Gross nga Partia Socialdemokrate në të ardhmen do të vazhdojnë të merren me politikë jashtë parlamentit. Leuenberger ka qenë pjesë e parlamentit për 12 vjet, ndërsa Gross 24 vjet. Që të dy gjatë gjithë karrierës së tyre aktive politike kanë dhënë kontribut të madh në avancimin e të drejtave të komunitetit shqiptar në Zvicër, që supozohet se numëron rreth 200 mijë veta. Leuenberger dhe Gross po ashtu kanë qenë në krah të kauzës së Kosovës për pavarësi, shtet funksional, demokraci dhe orientim drejt vlerave perëndimore.

Leuenberger, i cili ka lindur në pjesën gjermane të Zvicrës, shkoi në Gjenevë në vitin 1972. Ishte 20-vjeçar atëbotë dhe dëshironte të mësonte frëngjisht. Shpejt e kuptoi se frëngjishtja nuk mund të mësohet për një vit, andaj qëndroi dy vite, tri vite, katër vite… Dhe mbeti në Gjenevë. Ueli, siç e thërrasin të gjithë ata që e njohin mirë dhe jo aq mirë, u bë kuzhinier, punëtor metali – dhe sindikalist. Pastaj: punëtor social, sekretar sindikate, punëtor në një organizatë për ndihma sociale të Qendrës Sociale Protestante. Këtu i njohu shqiptarët, në fakt zbuloi se në Zvicër jetonin edhe shqiptarët: punëtorë krahu, aktivistë politikë, patriotë dhe – po! – edhe ca «intelektualë» që thoshin se janë marksistë pa e lexuar kurrë Karl Marxin. Ueli, majtisti i madh, qeshte me ta – dhe i mbështeste për t’i zgjidhur hallet e tyre. U ndihmoi kudo ku ishte e mundshme, shkroi letra për ta dhe plotësoi formularë, protestoi për ta te autoritetet zvicerane, mori pjesë në demonstrata kundër shtypjes së shqiptarëve në Kosovë nga Serbia kriminale e Sllobodan Millosheviqit, kërkoi pavarësi për Kosovën.

Për mediumet e Zvicrës franceze ai ishte «Ueli Lojenberzhe», që shpjegonte problemet e emigracionit dhe që kërkonte integrim të të huajve. Për mediumet e Zvicrës gjermane ai ishte aktivisti që mbronte shqiptarët, madje një gazetë e përjavshme e Zürichut e pati quajtur jo pa të drejtë: «Shtëpiaku i shqiptarëve».

Bashkë me gazetarin Alain Maillard ai shkroi një libër për integrimin e vështirë të shqiptarëve në Zvicër dhe kundër statusit të punëtorit sezonal, i cili i mbante njerëzit pezull – 9 muaj punë në Zvicër, tre muaj pritje në Kosovë dhe shpresë nëse firma ndërtimore apo restoranti në Zvicër do të kishte punë edhe vitin tjetër. Për shkak të këtij sistemi shumica e punëtorëve shqiptarë, por edhe të tjerë nga Ballkani relativisht vonë qenë në gjendje t’i sjellin familjet e tyre në Zvicër. Disa edhe kur i kishin mundësitë t’i sillnin familjet, nuk e bënin këtë, sepse jetonin me bindjen se së shpejti do të kthehen – fundja a nuk thoshte regjimi komunist se bëhet fjalë për «punëtor të punësuar përkohësisht në botën e jashtme»?

Leuenberger dhe Maillard theksojnë se një kohë të gjatë shqiptarët në Zvicër kanë jetuar «si në një sallë pritjeje». Si rrallëkush në Zvicër Ueli Leuenberger e njeh këtë botë të burrave shqiptarë, të cilët që nga vitet 60-të filluan të vijnë në Zvicër nga viset shqiptare të Jugosllavisë së atëhershme. Ishin kryesisht bujq nga zonat rurale të Kosovës, Maqedonisë, Preshevës, nga ato zona që regjimi komunist i kishte harruar apo lënë nën mëshirën e fatit. Ata punon në sektorin e ndërtimtarisë, hotelerisë dhe në bujqësi. Kur njëri prej tyre pas 4, 5 apo 6 vitesh punë, më në fund, merrte lejen e qëndrimit (të famshmen «vizë B»), vitin tjetër si punëtor sezonal vinte në vend të tij dikush tjetër nga farefisi apo ndonjë shok. Kështu rrjeti i fisit vazhdoi të shtrihet edhe në Zvicër. Ata banonin së bashku, përgatisnin ushqimin së bashku, pinin çaj e duhan së bashku, kalonin kohën e lirë së bashku, diskutonin për të njëjtat probleme. Kjo mënyrë e të jetuarit kishte një përparësi: kontrolli social ishte më i madh. Kush devijonte, kush nuk dërgonte para në shtëpi, kush merrej me aktivitete të jashtëligjshme dëbohej nga rrethi.

Situata ndryshoi kur në vitet 90-të filluan të vijnë në Zvicër mijëra të rinj si pasojë e represionit serb në Kosovë. Leuenberger është i bindur se autoritetet zvicerane kanë gabuar kur një të ri kosovar e kanë vendosur në një qendër të refugjatëve në St. Gallen dhe jo në Gjenevë, ku ai, për shembull, kishte dikë nga familja. Të mbetur pa kontroll social, pa familje, të rinj me shpirt aventurier dhe nganjëherë edhe me ambicie për karrierë kriminale, kjo kategori për ca vite bëri mjaft kërdi në Zvicër, duke e shkatërruar tërësisht imazhin e shqiptarëve.

Leuenberger nuk u dorëzua. Në vitin 1996 ai themeloi «Universitetin Popullor Shqiptar» (UPSH) në Gjenevë, një qendër takimi, mësimi, shkëmbimi dhe informimi. Në UPSH gratë e mërgimtarëve mësojnë frëngjisht, fëmijët me nota jo aq të mira vijojnë kurse plotësuese, kamerierët mësojnë zanatin, ata që kanë talent teknik mësojnë si duhet ndrequr një televizor apo aparat tjetër elektrik. Të punosh me shqiptarë kërkon shumë durim. Leuenberger në këtë drejtim mund të quhet elefant. Në vitin 2002 ai u largua nga udhëheqja e UPSH-së dhe një vit më vonë u zgjodh deputet nacional nga radhët e Partisë së Gjelbër. Vetë Leuenberger atëbotë deklaronte se është «i kuq, që është pjekur mjaft për të qenë i gjelbër». Për 12 vjet si anëtar parlamenti ai u angazhua për një Zvicër sociale, ku të gjithë – vendorë e të huaj – të kenë shanse të barabarta zhvillimi. Në një bisedë me gazetën «Neue Zürcher Zeitung» Leuenberger ka deklaruar se tani është në kërkim të një vendi të ri të punës. Derisa në vende të tjera të jesh deputet domethënë të kesh një rrogë të plotë, Zvicra mban një të ashtuquajtur «Milizparlament», që domethënë: deputetët përfaqësojnë popullin krahas profesionit të tyre, të cilin e ushtrojnë. Për rrethanat zvicerane rroga e një parlamentari nuk është e mirë: 77 mijë franga në vit. Natyrisht edhe në mesin e parlamentarëve zviceranë ka mjeshtër të mëditjeve. Leuenberger shtoi se në të ardhmen dëshiron të kalojë më shumë kohë me nipër e mbesa dhe të lexojë edhe më shumë.

Të lexojë edhe më shumë! Këtë me siguri do e bëjë edhe Andreas Gross, i cili po ashtu do t’ia kthejë shpinën parlamentit – pas 24 vitesh. Ky politolog nga radhët e Partisë Socialdemokrate ka përfaqësuar kantonin e Zürichut në parlament, duke u angazhuar përherë për një Zvicër të hapur dhe të integruar në Europë, për një Zvicër ku garantohen të drejtat e qytetarëve dhe demokracia e drejtpërdrejtë, një e arrirë e jashtëzakonshme e shtetit zviceran. Në bisedë me gazetën «Neue Zürcher Zeitung» me rastin e përfundimit të mandatit të tij Gross deklaroi se viteve të fundit po vërehet një ndikim në rritje i kapitalit mbi politikën dhe mendimin publik. Ai tha se për pakicat politike praktikisht nuk ka shans të sigurojnë shumicën. Po ashtu, sipas tij, në parlament ka rënë niveli i debatit. Në të kaluarën, thotë ai, kishte zhvilluar tamam beteja nga foltorja, sot shumica e deputetëve nuk flasin pa u mbështetur në fjalimet e shkruara. Në të ardhmen Gross nuk dëshiron vetëm të lexojë, por edhe të shkruajë. Dhe për këtë ka një projekt konkret: do të udhëtojë me një gazetar slloven nga Strassburgu në Moskë dhe në çdo 50 kilometra do të ndalen në një restorant dhe do të flasin me njerëzit e atjeshëm për demokraci. Nga këto biseda pritet të dalë një libër.

Si anëtar i delegacionit zviceran në Këshillin e Europës ai ishte ndër kritikët më të mëdhenj të represionit serb në Kosovë në vitet 90-të. Disa prej aktivistëve politikë shqiptarë të diasporës Gross i njeh personalisht, por respekti për ta është zbehur qëkurse arti i tyre i qeverisjes në Kosovë dhe Maqedoni më shumë është frikësues sesa inspirues. Si deputet Gross ka qenë i interesuar sidomos për politikën e jashtme dhe ndoshta nuk ka vend në Europën Lindore ku nuk ka qenë si vëzhgues zgjedhjesh. Ai ka mbrojtur edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Zvicra për dallim nga deputetë të tjerë: «Pranimi i Kosovës është bërë në kohë paqeje dhe i shërben pikërisht paqes; Zvicra, krahas Kosovës, është atdheu më i madh i kosovarëve dhe bash për këtë është dashur ta bëjë këtë». Gross ka një mendim të qartë edhe sa i përket Këshillit të Sigurimit të OKB-së: «Problemi i Këshillit të Sigurimit është përfaqësimi i mangët i botës dhe funksionimi i tij jodemokratik». Është e pakuptimtë që vende si Gjermania, India, Brazili apo ndonjë vend afrikan nuk janë pjesë e Këshillit të Sigurimit – ndërkohë që Këshilli i Sigurimit paraqitet si ruajtës i paqes në botë. Në Këshillin e Europës Gross ishte kritik i zëshëm i presidentit rus Vladimir Putin dhe mbështetës i shoqërisë civile në Rusi.

Në nivelin nacional Gross është bërë i njohur në të gjithë Zvicrën si bashkëthemelues i Grupit për një Zvicër pa Ushtri (GSoA), i cili angazhohej për shpërbërjen e ushtrisë së Zvicrës. Referendumi u mbajt më 25 dhe 26 nëntor 1989. Me një pjesëmarrje të lartë prej 69,18 për qind të votuesve 35,6 për qind votuan për shpërbërjen e armatës. Megjithatë, shumica ishte kundër. Gross mbeti luftëtar i paepur dhe adhurues i madh i Rosa Luxemburgut, majtistes legjendare europiane. «Liria është përherë liri e atyre që mendojnë ndryshe» – kësaj fjalie të Rosa Luxemburgut ai i qëndroi besnik gjatë tërë karrierës politike si deputet. Dhe u angazhua me sukses që në qytetin e Zürichut të vendoset një pllakë me këtë citat të revolucionares së njohur.

Për komunitetin shqiptar në Zvicër, shqiptarët në Kosovë dhe në viset e tjera të banuara me shqiptarë me largimin e Ueli Leuenberger dhe Andreas Gross nga parlamenti mbyllet një kapitull i rëndësishëm i historisë së emigracionit. Të dy i kanë shoqëruar dhe mbështetur shqiptarët që nga vitet 80-të. Tash ka ardhur koha që komuniteti shqiptar të provojë të ecën vetë edhe në politikë në Zvicër. Kjo rrugë do të jetë e gjatë, e mundimshme, e shoqëruar me shumë animozitete personale, padurim, entuziazëm pa mbulesë, padituri. Shumica, në mos të gjithë kandidatët shqiptarë që po kandidojnë për të hyrë në parlamentin zviceran do të dëshpërohen më 18 tetor. Për ngushëllim të gjithë është mirë t’i shikojnë karrierat politike të Ueli Leuenberger dhe Andreas Gross si leksion. Shteti i Kosovës dhe komuniteti shqiptar në Zvicër, ndërkaq, tani kanë kohë të mendojnë se cila do të ishte shenja më e mirë mirënjohëse për këta dy politikanë dhe njerëz të mirë, të cilët ndoshta as vetë nuk kanë mundur ta marrin me mend se në vitin 2015 Kosova do të jetë e pavarur dhe gjysma e kombëtares zvicerane të futbollit do të jetë e përbërë me djem të Kosovës dhe Tetovës. Cili do të ishte mesazhi më i mirë për Andreas Gross dhe Ueli Leuenberger nga pala shqiptare sot? Ndoshta ky: «Miq të dashur, siç e dini: shqiptarët jetojnë të shpërndarë në shumë shtete. Dhe duhet ta dini: shqiptarët më të lumtur dhe më të mirëqenë në Evropë jetojnë – përkundër të gjitha vështirësive – në Zvicër. Për këtë realitet keni kontribuar ju. Faleminderit».