Dy deputetë dhe një kryebashkiak kapen nga ligji i dekriminalizimit

Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur sot se verifikimet me drejtësinë e huaj zbuluan deputetët Tahiri e Selami si dhe kryebashkiakun Elvis Rroshi si persona që duhet të ndalohen të mbajnë poste publike në bazë të ligjit të dekriminalizimit.

Deputeti Shkëlqim Selami (majtas), kreu i bashkisë Kavajë Elvis Rroshi (qendër), deputeti Dashamir Tahiri (djathtas). Foto nga: LSA



Prokuroria e Përgjithshme deklaroi sot se dy deputetë dhe një kryebashkiak duhet të ndalohen të mbajnë poste publike dhe do të humbasin mandatet që kanë për shkak se nuk kanë deklaruar të dhëna mbi të shkuarën e tyre kriminale.

Drejtoresha e Kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm Fjorida Ballauri deklaroi se deputetët Dashamir Tahiri i Partisë Demokratike dhe Shkëlqim Selami i Lëvizjes Socialiste për Integrim, humbasin mandatin në bazë të ligjit «Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike», pasi nuk kanë deklaruar episodet e tyre penale të së shkuarës. Po kështu, edhe kryebashkiaku i Kavajës Elvis Rroshi, duhet të lërë mandatin për shkak të dënimeve për disa vepra penale të padeklaruara ndërkohë që kryebashkiaku rezulton edhe person i dyshuar për trafik droge me një emër tjetër, deri në vitin 2015.

Prokuroria bëri të ditur se deputeti i Vlorës Dashamir Tahiri është raportuar nga policia italiane në qytetin e Foxhias për falsifikim parash ndërsa në një rast të dytë, është dënuar me 9 muaj burg më 1999 në qytetin e Ravenës për përdorim dokumentesh të falsifikuara. Sipas prokurorisë, Tahiri ka mbrojtur veten duke thënë se qe viktimë e rrethanave të pafat.

Deputeti tjetër po nga Vlora, Shkëlqim Selami, por që i përket partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka pasur një masë sigurie arrest me burg në qytetin e Brindizit në Itali, i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, në një ngjarje të ndodhur në vitin 1994. Por kjo masë sigurie raportohet se është ekzekutuar në vitin 2006.

Elvis Rroshi ka një histori të pasur penale, i dënuar në rininë e tij në Itali e më pas, i përzënë në Zvicër dy herë dhe i dyshuar për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike në vitin 2015.

Rroshi, i cili ka qenë personi simbol i përfshirjes së krimit në skenën politike të vendit, deklaroi dorëheqjen e tij në Facebook pak muaj më parë, gjë që më vonë rezultoi e pavërtetë. Ai u arrestua dhe aktualisht është nën hetim në masën e sigurisë Arrest Shtëpie për mosdeklarim të të shkuarës kriminale.

BIRN raportoi në qershor 2015 se tre kandidatë për kryebashkiakë, mes të cilëve, edhe Rroshi, kishin lidhje me ngjarje kriminale. BIRN arriti të zbulojë në atë kohë episodin e lidhur me trafikun e drogës në Zvicër në vitin 1994.

Ligji për Pastërtinë e Figurës, i njohur gjerësisht si Ligji i Dekriminalizimit, u miratua me konsensus në fund të vitit 2015, ndërkohë që Partia Socialiste, e cila qe e akuzuara kryesore për integrimin e elementëve kriminalë në jetën politike të vendit, këmbëngulte se mes rradhëve të saj nuk kishte të dënuar. Verifikimi i fakteve vërtetoi të kundërtën. Aktualisht, Partia Demokratike, Partia Socialiste, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet si dhe Partia KristianDemokrate rezultojnë se kanë aktualisht apo kanë pasur në të shkuarën së paku një zyrtar me precedentë veprash të rënda penale.

(reporter.al)