Durrës – Kukës, në dhjetor fillojnë pagesat në rrugën e papërfunduar

Pjesë të tëra të rrugës Durrës-Kukës janë ende të papërfunduara dhe të rrezikshme, por prej dhjetorit kompania që mori në koncesion mirëmbajtjen e saj do të ketë gati vendpagesat, ndërsa qytetarët e Kukësit i tremben izolimit të qytetit që edhe kështu është një ndër më të varfrit në vend.

Autostrada Rrëshen – Kalimash | Foto : Bashkim Shala



Koncesioni i shumëpërfolur i Rrugës së Kombit, autostradës që filloi të ndërtohej një dekadë më parë, ka kushtuar mbi 1 miliardë euro dhe nuk ka përfunduar ende, pritet të fillojë të zbatohet në muajin dhjetor, pasi kompania koncesionmarrëse të përfundojë ndërtimin e traut të pagesave. Megjithatë, pavarësisht se nga dhjetori të gjithë qytetarët përdorues të rrugës do të fillojnë të paguajnë atë, ndërsa pjesa tjetër e qytetarëve do të paguajnë si taksapagues, edhe nëse nuk i bie kurrë rruga nga këto anë, autostrada vijon të jetë efektivisht në të njëjtën gjendje teknike, pjesërisht e papërfunduar, me shpejtësi të lejuar të ulët për një autostradë dhe burim i përhershëm rreziku dhe aksidentesh.

Rreth 30 veta, sipas policisë, kanë humbur jetën në aksidente automobilistike përgjatë rrugës Durrës-Kukës që prej vitit 2009 kur ajo filloi të përdorej edhe pse ende e papërfunduar, ndërsa shpejtësia e lëvizjes në autostradën e pagëzuar si «Rruga e Kombit» u përgjysmua.

Altin Mena, ish-shef i qarkullimit rrugor në qarkun e Kukësit dhe ekspert në këtë fushë i tha BIRN-it se segmenti, të cilin ai e ka studiuar, Tuneli i Kalimashit «është nga më problematikët në vend, me disa hyrje – dalje pa asnjë lloj kriteri». Ai shpjegon se rruga është e rrezikshme pasi ka pjesë të përfunduara me 4 korsi dhe disa ura me vetëm dy korsi dhe po ashtu disa hyrje dalje jashtë kritereve.

E megjithëse rruga është ende e papërfunduar para disa javësh konsorciumi i kompanive «Catalyst Viva Das General Constracting LLC & Salillari shpk» & «BEE Tech» & «Violap Ateve» & «Kastrati» sha, i cili fitoi një vit më parë koncesionin e mirëmbajtjes së rrugës, ka filluar punën për ndërtimin e vendpagesave. Kjo ka nxitur zemërim në Kukës ku qytetarë dhe drejtues lokal thonë se i tremben një izolimi të mëtejshëm të qytetit që sipas tyre është një nga më të varfrit në vend.

Vangert Beqollari, përfaqësues i kompanisë «Salillari» i tha BIRN-it se  punimet për ndërtimin e vendpagesës vazhdojnë me intensitet dhe pritet që të përfundojnë në dhjetor. «Kur të vini në dhjetor do të jetë çdo gjë gati. Në bazë të projektit në këtë shesh do të jenë 10 korsi (5 hyrje dhe 5 dalje) me trarët ku do të kryhet pagesa», tha Beqollari. Sipas tij çdo gjë në vendpagesë do të jetë elektronike, ndërsa do të ketë edhe dy ndërtesa që do të shërbejnë për zyra dhe për personelin e sigurisë.

Koncesioni për mirëmbajtjen e rrugës iu dha kosorciumit «Catalyst Viva Das General Constracting LLC & Salillari shpk» & «BEE Tech» & «Violap Ateve» & «Kastrati» sha, në gusht të vitit 2016 pasi Komisioni i Prokurimit Publik, përmbysi një vendim të Ministrisë së Trasporteve e cila kishte shpallur fitues një kompani tjetër. Që atëherë, sot banorët e Kukësit kundërshtojnë pagesën duke pretenduar se kjo do e varfërojë qytetin dhe dëmtojë biznesin e vogël atje.

Sipas të dhënave publike për koncesionin mesatarisht çdo makinë që do të kalojë në këtë rrugë do të paguaj 5 euro me TVSH, ndërsa koncesionari do të marrë prej vitit të tretë të koncesionit edhe një shtesë prej 5 milion euro në vit (nga viti i tretë deri në atë të 15) si subvencionim të koncesionit.

Sokol Kolgjini, kryetar i shoqatës «BpB» (Biznesi për Biznesin) në emër të biznesmenëve dhe tregtarëve kuksianë  thotë se «derisa autostrada është ndërtuar me fonde publike nuk ka argument për taksë shtesë për çdo mjet». Ai po ashtu thotë se makinat në vend paguajnë taksën e qarkullimit e cila i dedikohet mirëmbajtjes së rrugëve dhe taksimi në autostradë është një taksë mbi këtë taksë.

«Ne tashmë kemi një përvojë negative me një koncension të ngjashëm që bllokoi aeroportin e Kukësit, duke i shkaktuar këtij rajoni një dëm ekonomik, e kështu s’mund të biem dakord me një koncesion tjetër që do na shkaktojë humbje të drejtpërdrejtë», thotë Kolgjini. Ai shpjegon se Kukësi nuk ka një rrugë alternative që e lidh me Tiranën, rruga e vjetër është amortizuar, kjo e bën kalimin në autostradë të detyrueshëm.

Kolgjini thotë se vetëm nga Kukësi çdo ditë në rrugë kalojnë 400 mjete dhe sipas tij kjo përkthehet në një humbje prej «rreth 120.000 euro në muaj ose 1.4 milion euro në vit».

Me shoqatat e biznesit dhe banorët  është solidarizuar edhe kryetari i Bashkisë së Kukësit  Bashkim Shehu, i cili thotë se koncesioni është një tarifë që do ndëshkojë biznesin e vogël në qytet dhe rrezikon mbylljen e mjaft prej këtyre bizneseve. «Tarifa që do paguhet është e papërballueshme për ne. Kam folur me të gjithë bizneset e vogla që operojnë në Kukës. Ka biznese që sjellin tre-katër automjete  në ditë për furnizim. Kostoja e tyre, pas pagesës së detyrueshme, do të shkojë 1200 euro në muaj. Po në vit? Pra një tarifë e papërballueshme për një biznes të vogël që do të sjellë mbylljen e tyre», thotë Shehu.

Kryetari i Bashkisë së Kukësit ka vënë alarmin edhe për largimin e turistëve të cilët sipas tij nuk do përballojnë kostot e kësaj rruge. «Kosovarët janë të vetmit turistë që kemi dhe ata nuk harxhojnë shumë. Kjo pagesë do të rrisë koston e udhëtimit dhe do sjellë largimin e tyre nga Shqipëria, drejt vendeve të tjera», theksoi Bashkim Shehu.

Ndërkohë drejtori për Rininë në  bashkinë e Kukësit Njazi Hoxha e ka cilësuar koncensionin e Rrugës së Kombit si një vjedhje dhe abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë. «Pavarësisht se qeveria tashmë e ka vendosur, ne kemi qenë  kundër dhënies me koncension të Rrugës së Kombit. Kjo përbën një krim për qytetarët shqiptarë dhe ato të qarkut Kukës… Por më e rëndësishmja është që kjo taksë, ky koncension është një vjedhje dhe abuzim madhor ndaj qytetarëve shqiptar dhe në veçanti ndaj atyre kuksianë», tha Njazi Hoxha.

Qytetarë të ndryshëm të kontaktuar nga BIRN thanë se jo vetëm do kundërshtonin pagesën e rrugës, por kërcënuan se do të bllokonin kalimin në tunel. Në një rast madje një i ri që nuk deshi të identifikohej tha se pas taksës Kukësi duhej të kërkonte bashkim me Kosovën.

Shefqet Kastrati drejtues i njërës prej kompanive të konsociumit tha se ky i fundit nuk kishte përgjegjësi për pjesët e papërfunduara të rrugës. Sa i përket çmimit dhe ankesave nga qytetarët dhe biznesi, Kastrati i tha BIRN-i se kompania ka menduar lehtësira duke përfshirë edhe një kartë abonimi për përdoruesit e përditshëm. «Për ato mjete që ka ndjeshmëri sociale kemi menduar që do i jepen bashkisë 100 mijë euro. Këtu përfshihen autobusët e të tjera», tha Kastrati. Ai po ashtu tha se kompania nuk mund ta vononte fillimin e mbledhjes së tarifës. «Ne kemi filluar të paguajmë per mirëmbajtjen. Duhet të kihet parasysh se vetëm energjia është 50 mijë euro në muaj», tha ai. Kastrati tha se megjithëse ishte shqyrtuar nga avokatët dhe kompanitë këshilluese nuk ka asnjë mundësi për të përjashtuar një qytet nga pagesa.

Megjithë kundërshtimet nga Kukësi, kompania «Salillari & Kastrati» që ka marrë me koncesion Rrugën e Kombit ka filluar para dy javësh punën për vënien e trarëve të cilët do të shërbejnë për ndalimin e automjeteve, për të paguar taksën e kalimit në autostradën Durrës- Kukës – Morinë, duke filluar kështu zbatimin në terren për krijimin e infrastrukturës së nevojshme për mbledhjen e kësaj takse.

Projekti sipas punonjësve të kompanisë parashikon zgjerimin e një segmenti të Rrugës së Kombit rreth 4 km në hyrje të Tunelit të Kalimashit, nga katër në gjashtë korsi, ndërsa do të ndërtohen mbi dhe nënkalimet, rrethimi dhe çdo element tjetër sigurie në autostradë si dhe vendosjen e trarëve, që do të shërbejë për vjeljen e taksës së rrugës.

Në të njëjtën kohë vijon edhe procesi i ndërtimit të urave të mbetura përgjysmë në rrugën Kukës – Morinë i zvarritur që prej tetë vitesh për mungesë fondesh. Për vitin 2017 qeveria e Shqipërisë ka vënë në dispozicion 5 milion Euro. Sipas drejtorit teknik të firmës Vega që ka fituar tenderin për përfundimin e urave në rrugën Kukës – Morinë pesë ura duhej të kishin përfunduar në qershor, por nuk kanë përfunduar, ndërsa dy urat e tjera ku përfshihet edhe ajo më e madhja e këtij segmenti në afërsi të ish uzinës së Bakrit në Rexhepaj nuk mendohet se do përfundojnë në afatin e përcaktuar në kontratë.

(https://www.reporter.al/durres-kukes-ne-dhjetor-fillojne-pagesat-ne-rrugen-e-paperfunduar/)