Duke pritur në radhë për lajme të rrejshme

Publikimi i lajmeve të rrejshme në mediat tona tani për tani nuk duket se është shqetësim shumë i madh, megjithatë ato janë të pranishme. Por ashtu siç arritën shumica e gazetave online dhe portalet - të detyruara edhe nga ligji – që t’i ndalin komentet shpifëse, edhe ndërprerja e lajmeve të rrejshme do të ishte në shërbim të gazetarisë profesionale, nëse portalet nuk bien në nivelin e komenteve që ua kanë ndaluar lexuesve. Se çfarë bëhet me një shoqëri që bombardohet me gënjeshtra na tregon filozofia Hannah Arendt.

Foto: Shutterstock



Arkani është gjallë, thuhet se është arrestuar në Kroaci. Aktori Robert Ndrenika duke pritur në radhë në spital. Kush është aktori shqiptar që luan në serialin e famshëm «Game of Thrones»? Nëse analizojmë lajmin për Arkanin, ai është disa rreshta i gjatë dhe me burime të pabesueshme, i ilustruar nga një fotografi që lehtë e gjejmë të publikuar para dy vitesh nga një media tjetër. Lajmi për aktorin Ndrenika, ndërkaq, u hodh poshtë si i pavërtetë mënjëherë. Rezultoi se aktori ishte shëndosh e mirë duke pritur të luajë në shfaqjen e radhës. Këto janë vetëm disa nga lajmet e paverifikuara, rrjedhimisht, në këtë fazë të pavërteta, të cilat kanë qarkulluar në portalet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë vetëm në dy javët e fundit. Bazuar në reagime, pëlqime dhe klikime – njerëzit i kanë besuar këto lajme, ndonëse ato nuk i plotësojnë kriteret e një artikulli të mirëfilltë gazetarie. Mënyra se si shpërndahen në internet lajme të kësaj natyre është fare e thjeshtë. Ato publikohen në ndonjërin nga portalet apo rrjetet sociale, pa emër autori, fitojnë klikueshmëri dhe shpërndarje, në disa rast mbase edhe gjenerojnë të hyra financiare (ky duket të jetë motivi kryesor i shpërndarësve të lajmeve të tilla), pastaj – këto lajme – kopjohen nga portalet e tjera simotra dhe postohen pa iu nënshtruar as edhe një ndryshimi apo verifikimi të informacionit. Janë pikërisht këta shembuj të lajmeve të rrejshme, «Fake News», të cilët i servohen opinionit jo nga faqe lajmesh fantome për qëllime marketingu, por nga portale të fuqishme në Kosovë dhe në Shqipëri. Padyshim, rrjetet sociale siç janë Facebooku, Tëitteri apo të tjera luajnë një rol të rëndësishëm në përhapjen e lajmeve të rrejshme. Facebooku lancoi një plan për të parandaluar deri në një masë fenomenin pas shumë kritikave që mori, madje edhe nga ish-presidenti amerikan Barack Obama, i cili e akuzoi kompaninë e njoftimeve të shkurtra se ka lejuar shpërndarjen e lajmeve të rrejshme sidomos gjatë procesit zgjedhor në Amerikë.

Si të mbrohemi nga orteku i lajmeve të rrejshme? Përdoruesit rekomandohen të verifikojnë vetë vertëtësinë e artikullit që lexojnë, për shembull duke kontrolluar nëse për të njëjtën temë kanë shkruar edhe mediat e tjera. Hapi tjetër është raportimi i lajmeve të rrejshme në Facebook duke klikuar në dritaren «report post» dhe duke zgjedhur arsyen e raportimit, «It’s a fake news story» (ose në gjuhët përkatëse që përdoret nga shfrytëzuesi i shërbimeve të Facebookut). Gjithsesi kjo procedurë do të duhej të ndiqej nëse – ta zëmë – në mediat tona publikohet lajmi: «Presidenti i Kosovës duke pritur në radhë në spital», madje edhe nëse është me pikëpyetje në fund.

Në vizitën e fundit zyrtare si president i SHBA-ve Obama kritikoi mediat, në veçanti ato sociale, se u kanë dhënë hapësirë lajmeve të rrejshme duke rrezikuar kështu seriozisht demokracinë. Edhe për mediat e fuqishme dhe profesionale në perëndim, prania e lajmeve të rrejshme është e dëmshme, sepse ato dezinformojnë opinionin dhe shkaktojnë huti në opinion. Gazeta britanike «The Times» së fundi realizoi një hulumtim sipas të cilit tatimpaguesit dhe kompanitë e regjistruara për qëllime bamirësie në Britani nxisin lajmet e rrejshme duke paguar reklama në dhjetëra websajte false dhe fyese. Edhe reklamat e programeve të financuara nga qeveria siç është International Citizen Service figurojnë në faqe që prodhojnë lajme të rrejshme.

Shpërndarja e lajmeve të rrejshme dhe reagimi i vonshëm nga rrjetet sociale për ndalimin e tyre, mund të jetë me pasoja për individë dhe shoqërinë. Një 19 vjeçar nga Siria, Anas Modamani, së fundi paditi Facebookun pasi ishte shndërruar në viktimë të lajmeve të rrejshme. Ka mjaftuar postimi i fotografisë së tij me kancelaren gjermane Angela Merkel në Facebook, që mediat t’ia ngatërrojnë identitetin me atë të sulmuesit të Brukselit Najim Laachraoui dhe kështu gabimisht fotografia të bëjë xhiron e botës. I freskët për këdo mund të jetë lajmi se «sulmuesi në Bruksel, para se ta kryente sulmin vetvrasës ishte fotografuar me kancelaren Merkel». Pikërisht ky lajm rezultoi se ishte i pavërtetë dhe «Facebook» shpejt do të gjendet në bankën e të akuzuarve, sepse nuk e ndaloi shpërndarjen me kohë.
Publikimi i lajmeve të rrejshme në mediat tona tani për tani nuk duket se është shqetësim shumë i madh, megjithatë ato janë të pranishme. Por ashtu siç arritën shumica e gazetave online dhe portalet – të detyruara edhe nga ligji – që t’i ndalin komentet shpifëse, edhe ndërprerja e lajmeve të rrejshme do të ishte në shërbim të gazetarisë profesionale, nëse portalet nuk bien në nivelin e komenteve që ua kanë ndaluar lexuesve. Për fat të keq jo pak portale atë që e bënin dikur «lexuesit» anonimë, tash e bëjnë vetë, duke e maskuar rrenën si lajm. Ndoshta raportimi profesional, mbrojtja dhe ruajtja e parimeve profesionale të gazetarisë nuk sjellin klikime sa një «Fake News» me Arkanin, Ndrenikën në spital dhe «aktorin shqiptar» të «Game of Thrones», por së paku nuk e fyejnë opinionin për qëllime përfitimi pa meritë.

Lajmet e rrejshme dhe mediat joprofesionale, propaganda e ulët nuk janë fenomen i ri. Para disa dekadave filozofia Hannah Arendt në lidhje me gënjeshtrën shkruante: «Në çastin kur nuk kemi më liri të shtypit, gjithçka mund të ndodhë. Totalitarizimi apo çdo lloj tjetër i diktaturës bëhet i mundshëm kur njerëzit heqin dorë nga të qenmit të informuar; si mund të keni mendim për diçka nëse s’jeni i informuar? Nëse çdokush përherë ju gënjen, pasojë e kësaj nuk është se ju u besoni rrenave, por askush nuk beson më në asgjë. Kjo bën vaki për shkak se rrenat për nga përmbajtja duhet të ndryshojnë dhe qeveria që gënjen duhet vazhdimisht të shkruajë historinë e saj. Kështu do të keni jo vetëm një gënjeshtër, me të cilën do të jetoni deri në fund të jetës, por ju do të keni një numër të madh gënjeshtrash – varësisht se si fryn era politike. Populli që nuk mund t’i besojë më askujt, nuk mund të marrë vendime. Atij nuk i shkurtohet vetëm kapaciteti për çfarëdo aksioni, por po ashtu edhe kapaciteti për të menduar dhe gjykuar. Me popuj të tillë mund të bëni çfarë të doni». A është Kosova dhe shoqëria e saj në këtë situatë si pasojë e mediave të papërgjegjshme?