Duke «pirë kafe» dhe duke gënjyer publikun

Në një demokraci funksionale dhe në një shoqëri të emancipuar, sabotimi i demokracisë është sjellje e papranueshme. Transparenca ndaj zgjedhësve nuk është një mundësi që politikanët nuk dëshirojnë ta shfrytëzojnë, por një obligim publik. Shoqëria që e ka të çrregulluar raportin ndaj të vërtetës vështirë të gjejë rrugën drejt një ardhmërie të mirë. Për ndryshime cilësore duhet një qeveri ndryshe nga qeveritë e deritanishme – dhe një angazhim i shtuar i njerëzve të diasporës, të cilët jetojnë në vende të avancuara në aspektin ekonomik, social, politik, kulturor.

Foto: Shutterstock



Si në të kaluarën edhe sot ne shqiptarët kemi paguar një çmim shumë të lartë për shkak të tabuizimit të temave dhe shpalljes si të shenjta të disa vlerave dhe personaliteteve. Njëkohësisht nuk u kemi dhënë vendin e duhur vlerave si sinqeriteti, toleranca, përgjegjësia, me të cilat shoqëritë e emancipuara kanë arritur nivel të lartë zhvillimi.

Së fundi është publikuar një letër, e cila dëshmon që shkrimtari Ismail Kadare ka qenë shumë më pak «disident» se sa që pretendohej deri më tani. Në këtë rast jo që bëhet për një analizë serioze publike nga profesionistë të fushave të ndryshme, por ka edhe gazetarë dhe persona të ndryshëm publikë që e kritikojnë publikimin e një letre të tillë.

Pse për ne gënjeshtra e ka një vlerë më të madhe se sa e vërteta? Pse të frikësohemi prej të vërtetës? Pse të mos e pranojë Kadare arsyen e vërtetë të shkrimit të asaj letre? Pranimi i gabimeve dhe kërkimfalja vetëm sa do e bënte më të madh si njeri dhe do të shtonte besimin në të. Edhe po ta pranojë një gjë të tillë, Kadare prapë do të mbetet një shkrimtar i madh, por jo një njeri i përkryer, ngase askush prej nesh nuk është i tillë. Vetëkuptohet se ai nuk mund ta bëjë këtë hap, sepse socializimin e tij e ka përjetuar në një kohë kur e vërteta si vlerë konsiderohej e «rrezikshme» dhe gënjeshtra dhe vetëmashtrimi pjesë thelbësore e sistemit. Kësisoj, Kadare e ka të vështirë të dalë nga kjo kornizë, të dalë nga «lëkura», siç thuhet. Rrjedhimisht, më «mirë» të jetohet me një fasadë, me diçka që nuk je se sa me të vërtetën.

Në situatën aktuale në Kosovë mund të konstatojmë me dhjetëra raste në ditë të gënjeshtrave nga persona me përgjegjësi të rëndësishme publike dhe kjo i lë pak kujt përshtypje. Takohen, «pinë kafe» dhe telefonojnë kryetarë partish për të biseduar për koalicione të mundshme për qeverisje edhe nëse pyeten se për çka u takuan shpeshherë përgjigja është – «u pamë për një kafe». Kështu kafja është shndërruar në një lloj benzine për prodhimin e gënjeshtrave nga ana e makinës politike.

Parti të vetëquajtura «shtetformuese» ftohen në seancë konstituive të Kuvendit të Kosovës, nuk shkojnë, në të njëjtën kohë mbajnë mbledhje të kryesisë të partisë dhe përgjigjja në këtë rast është: «biseduam për zgjedhjet lokale». Një përgjigje e tillë absurde tregon se çfarë respekti kanë ata për zgjedhësit dhe në këtë kuptim për shefin e tyre që i ka punësuar. Edhe po të ishte ashtu se kanë biseduar për zgjedhjet lokale, kjo do të tregonte se sa seriozisht e marrin ata situatën në të cilën gjendet vendi. Në një demokraci funksionale dhe në një shoqëri të emancipuar, një sjellje e tillë është e papranueshme. Ata bëhen sikur nuk e dinë se transparenca ndaj zgjedhësve nuk është një mundësi që ata nuk dëshirojnë ta shfrytëzojnë, por një obligim publik.

Me javë të tëra gënjehet publiku me informatën se i «kemi numrat» dhe del se nuk i kanë. Sistemi, të cilin e kanë ndërtuar (në të vërtetë shkatërruar) vetë, formalisht e mundëson dhënien e përgjegjësisë për këto veprime, por ata kalojnë në sulm: seanca nuk është dashur të mbyllet, por të ndërpritet, thonë ata. Ky na qenkësh një veprim arbitrar dhe për shkak të tij ata nuk do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës. Plaçkitja e shtetit, kapja dhe rrënimi i tij, vjedhja e ardhmërisë së fëmijëve tanë nuk janë asgjë në krahasim me këtë «krim të rëndë» të mbylljes e jo të ndërprerjes së seancës.

Një shembull i ngjashëm ishte me vajzën e ish-kryetarit të Kosovës, Ibrahim Rugovës. Ajo ishte kandiduar dhe është zgjedhur deputete në listën e LDK-së. Nëse analizohen rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Kosovë shihet qartë që zgjedhësit votuan për ndryshim rrënjësor. Kandidatë që kanë qenë kritik edhe ndaj partisë së tyre si Vjosa Osmani, morën më së shumti vota. Sapo u zgjodh Teuta Rugova «ndërroi mendje» dhe si duket do të votojë ndryshe nga partia e saj. Në mëngjes ajo apelon për ta përkrahur Ramush Haradinajn si kryeministër, pasdite e demanton veten dhe deklaron se ajo në votim do të jetë lojale ndaj partisë, për ta bërë pastaj të kundërtën në mbledhjen konstituive të Kuvendit. Një sjellje e tillë është jashtë çdo etike politike dhe njerëzore, mirëpo si duket për realitetin e Kosovës kjo nuk është diçka e veçantë. Pastaj kjo e ka edhe një bonus special si vajzë e ish-presidentit. Në shumë  shoqëri, të qenmit vajzë e një personaliteti të rëndësishëm politik domethënë të kesh një obligim më të madh ndaj publikut dhe një përgjegjësi të veçantë. Te ne si duket është e kundërta. Abuzo sa të duash, ngase të mbron miti gjoja i paprekshëm i babait.

Të gjithë ne e dimë se UÇK ka bërë luftë çlirimtare për Kosovën. Po ashtu të gjithë ne e dimë që disa pjesëtarë të saj kanë bërë veprime të jashtëligjshme për të cilat në një sistem funksional duhet të dënohesh. Por kush e ka guximin te ne ta bëjë këtë. Vetëm nëse flet për këto fenomene mund të kërcënohesh. Mund të merret me mend si ndihen ata që janë të obliguar me ligj të ndërmarrin hapa për sundimin e ligjit, pra prokurorët dhe policia. Lëngata e shoqërisë vërehet sidomos kur një deputet i sapozgjedhur kërcënohet: mos flisni për dyshimet për krime të ndryshme nga ana e Kadri Veselit se «ai e kallë Kosovën». Kjo tregon më së miri se me çfarë strategjie e kanë katandisur në këtë gjendje vendin tonë këta matrapazë. Fatkeqësisht një kohë të gjatë me përkrahjen direkte apo indirekte edhe të bashkësisë ndërkombëtare. Por fatmirësisht si duket edhe kësaj përkrahje i ka ardhur fundi.

Për shkak të mungesës së guximit apo edhe për shkak të mendimit naiv se konstruktet e krijuara nga gënjeshtrat janë më të mira për kombin se sa ballafaqimi me të vërtetën, krejt vendi po e paguan një çmim të lartë. Fenomene të tilla na përcjellin gjithandej dhe tani ka ardhur koha që të merremi seriozisht me to dhe të ecim përpara më shpejtë ngase kemi humbur shumë kohë.

Shpresa mbetet që së shpejti të formohet një qeveri ndryshe nga qeveritë e deritanishme të pasluftës dhe të fillojë krijimi dhe sidomos ambientimi me disa vlera shoqërore dhe politike, me të cilat do të mundësohej ndërtimi i një shteti juridik dhe forcimi i shoqërisë në përgjithësi. Në këto procese të emancipimit edhe diaspora e ka një potencial dhe do ta japë një kontribut të rëndësishëm. Diaspora kosovare jeton në vende të avancuara në aspektin ekonomik, social, politik, kulturor dhe në shumë lëmi të tjera. Në forma të ndryshme do të barten eksperiencat dhe ekspertizat nga diaspora në Kosovë. Debatet kundërthënëse të zhvilluara ditëve të fundit mbi diasporën janë treguesi më i mirë se kujt i pengon ndikimi i diasporës në Kosovë: atyre që e rrënuan shtetin dhe e dinë që diaspora ata nuk i përkrah dhe nuk i voton. Prandaj edhe nëse ndonjë gruaje të ndonjë ministri në shkuarje i «vjen me vjellë» prej diasporës, kjo duhet perceptohet me qetësi dhe përçmim dhe të kuptohet si kompliment indirekt, ngase ndikimi i diasporës asaj ia rrezikon ekzistencën e siguruar nga një sistem i kalbur politik, që hajninë e ka mënyrë të jetesës dhe të të menduarit.