Duke kërkuar eshtrat e priftit Shtjefën Kurti

Shtjefën Kurti u pushkatua më 1971, sepse pagëzoi një dëshmitar. Urdhrin për pushkatim e nënshkroi prokurori Hajredin Fuga. Pasi ra regjimi komunist në Shqipëri, Fuga përparoi në karrierë, duke u bërë gjykatës në Gjykatën Kushtetuese. Vdiq në vitin 2012 pa asnjë therë në këmbë. Ndërkohë eshtrat e Shtjefën Kurtit nuk janë gjetur ende, ndërsa qeveria paralajmëron hapjen e dosjeve, por me shumë hile e dredhi. «Në Perëndim u pëlqejnë këto tema që shihen si shenja se diçka e hairit po ndodh në vend», thekson publicisti Fatos Lubonja. «Të huajt nuk duhet ta nxjerrin turpin në shesh. Duhet të dalë në sipërfaqe prej popullit tonë».

Pamje nga Shkodra.



Kur prifti katolik, Shtjefën Kurti, 73 vjeçar, ishte ekzekutuar më 1971 pse e kishte pagëzuar një besimtar, autoritetet komuniste nuk ishin lodhur as ta njoftonin familjen e tij. Dhe vëllai i tij e mori vesh se ia kishin vrarë vëllain vetëm pasi kishte shkuar në burg që t’i çonte bukë. «Mos ejani më», ia kishte pritur vëllait të tij një gardian. «Nuk i duhet më asnjë njeri i gjallë». Rreth gjashtëmijë shqiptarë ishin vrarë prej qeverisë ose prej agjentëve të saj gjatë kohës së komunizmit. Ato vrasje konsiderohen si «zhdukje me detyrim» me gjuhën e të drejtës humanitare ndërkombëtare.

Prej të gjitha vendeve të ish-bllokut lindor, Shqipëria kishte regjimin më të ashpër dhe më të izoluar. Enver Hoxha, stalinist i regjur, kishte krijuar aparatin represiv që kishte vazhduar edhe pas vdekjes së tij më 1985 dhe ra vetëm më 1991. Megjithëse në një rajon ku drejtësia për krimet e kohës komuniste vazhdon të jetë bishtnuese, Shqipëria vazhdon të mbetet një prej vendeve të pakta që nuk ka krijuar institucione që qytetarët të kenë qasje në dosje të policisë sekrete, qysh ka ndodhur në Rumani dhe në ish-Gjermaninë Lindore.

Dhe kjo qasje duket se do të ndryshojë: një komision i ri është ngarkuar me hapjen e dosjeve të Sigurimit. Shqipëria i frikësohej policisë sekrete shtetërore të kohës së komunizmit dhe verifikimit të personave për poste publike, të cilët kishin lidhje me makinerinë e regjimit të dikurshëm komunist. Kryeministri Edi Rama, 52 vjeç, ka thënë se përpjekja, rezultat i ligjit të vitit 2015 që e kishte mbështetur, do të ndihmojë që të zbardhen rastet e dyshimta dhe të mos mund të përfitojnë zyrtarët që kanë pasur lidhje me kohën komuniste. Por kritikët e ligjit thonë se legjislacioni nuk ofron kurrfarë substance dhe se në përgjithësi është miratuar sa për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë jashtë vendit. Ata thonë se shumica e dosjeve janë shkatërruar shumë kohë më parë dhe se nuk ka proces të qartë për mënyrën e menaxhimit të ish-bashkëpunëtorëve.

Shqipëria, një vend që ka territor sa Massachusettsi me rreth tre milionë banorë, është anëtarësuar në NATO më 2009 dhe më 2014 ka marrë statusin e kandidatit të Bashkimit Europian. Por ky vend malor e kodrinor, që shpalli pavarësinë prej Perandorisë Osmane në rënie para një shekulli, ende është vendi më i varfër i Europës. Shumë shqiptarë ia kanë kthyer shpinën vendit për të kërkuar punë në shtete europiane, si Greqia, Italia dhe Gjermania.

Aq avash shkojnë punët në këtë shtet, saqë Komisioni që është themeluar para dy vitesh në Kuvend, ende nuk e ka nisur punën. Duke qenë se u ka ardhur në majë të hundës prej indiferencës prej dekadash për të vepruar shteti, disa të afërm të viktimave kanë nisur të marrin punët në duar të veta. Më 2010, Nikolin Kurti, nip i atit Kurti dhe kimist i pensionuar, ka marrë me qira një buldozer dhe ka nisur gërmimet private në një lagje në periferi të Tiranës në Malin Dajti. Ka punuar për muaj me radhë, duke kryer gërmime amatore me shpresë se do t’ia gjente eshtrat klerikut të ndjerë.

Nipi Kurti, 66 vjeç, ka bërë të ditur se ka gjetur 21 skelete, i ka vendosur në qese të zeza dhe i ka dërguar në zyrat e mjekësisë ligjore në Tiranë, ku po qëndrojnë ende. Ai ka paguar testin e ADN-së së një skeleti me këmbë të deformuara – xhaxhai kishte telashe shëndetësore me një gjymtyrë – por nuk përputheshin me ADN-në e të afërmve. Dhe vetëm dy vite më vonë siguroi një dokument në të cilin thuhej se eshtrat e klerikut Kurti i ishin dhuruar fakultetit të mjekësisë për nevoja studimore universitare.

«Kjo duhet të ketë ndodhur 25 vite më parë», thekson Kurti. «Shumica prej atyre njerëzve që kanë ditur diçka, kanë vdekur, kanë harruar ose janë larguar nga Shqipëria». Kurti nuk e ka ndërmend të kërkojë dosjen e tij sekrete policore. «Ka kaluar aq kohë e gjatë, saqë më nuk ka kurrfarë rëndësie», thekson ai.

Kurti ka thënë se Hajredin Fuga, prokurori që kishte nënshkruar urdhrin për ekzekutim të xhaxhait për shkeljen e rëndë të «propagandës fetare», më vonë ishte avancuar në gjykatës në Gjykatën Kushtetuese. «Nëse këto dosje do të hapeshin më 1992, ai kurrë nuk do të emërohej gjykatës», ka shtuar Kurti. (Gjykatësi Fuga ka vdekur më 2012.) Ligji i ri nuk e detyron qeverinë të publikojë të dhënat kërkimore ose të shkarkojë zyrtarët nga detyrat e larta nëse mësohet se ishin pjesëmarrës të represionit të kohës komuniste.

«Hapja e dosjeve do të ndihmonte të luftohej mohimi i asaj që ka ndodhur gjatë komunizmit», ka deklaruar Gentjana Sula, ish-zëvendësministre për punë sociale, e cila drejton komisionin e ri. «Njerëzit thonë: <Komunizmi nuk ishte shumë i keq. Kishte siguri dhe nuk kishte drogë e krime>», ka theksuar Sula, 47 vjeçe, gjyshi i së cilës vdiq në burg më 1952 në moshën 45-vjeçare. «Njerëzit kanë prirje të harrojnë ose mohojnë vuajtjet».

Shumica e dosjeve të Sigurimit janë në arkivin e Ministrisë së Brendshme. Ish-drejtori i arkivit, Kastriot Dervishi, 45 vjeç, ka thënë se nuk shpreson se mund të ketë të dhëna të thukëta për atë periudhë. Gjatë kohës komuniste, 90 për qind e dosjeve shkatërroheshin çdo pesë vjet si praktikë rutinore, ka shtuar ai. Dhe pjesa më e rëndësishme e atyre që ishin arkivuar ishin shkatërruar në fund të periudhës komuniste prej funksionarëve që druanin se një ditë mund të jepnin llogari për krimet e tyre. Ata kanë shlyer shumicën e dëshmive.

Dervishi ngulmon se dokumentet e arkivuara janë mostra të rëndomta prej 12 mijë dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit – apo rreth dhjetë për qind e shifrës së përgjithshme – ndërmjet vitit 1944, kur Hoxha mori pushtetin, dhe vitit 1991. Dhe shumica prej tyre janë të periudhës fillestare të marrjes së pushtetit komunist.

«Njerëzve u intereson vetëm një gjë: <Kush ishte bashkëpunëtor?>», ka deklaruar Dervishi. Ai ka thënë se në to nuk mund të gjendet asnjë emër që është ende gjallë. Një emër që shfaqet në listën e informatorëve nuk është e thënë se ai person kishte ndihmuar represionin ose se i kishte shkaktuar dëme dikujt tjetër, ka shtuar Dervishi. Pothuajse gjysma e informatorëve asnjëherë nuk kishin dhënë informacione të rëndësishme. Dhe shumë prej tyre ishin detyruar të bashkëpunonin si pasojë e shantazheve ose kërcënimeve edhe kundër familjarëve të tyre.

«Shqipëria po kalon nëpër një evolucion të avashtë, hap pas hapi, të braktisjes së të kaluarës së saj», ka deklaruar Henrikas Mickevicius, anëtar i Kombeve të Bashkuara që është pjesë e grupit punues për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Ai ka vizituar në dhjetor Shqipërinë në kuadër të punës së tij. Ai vjen nga Lituania, shtet ish-komunist që ka pasur përvojën e saj të konfrontimit me të kaluarën e saj sovjetike. Detyra e gjetjes së eshtrave të viktimave vështirësohet edhe më shumë se në vendet e tjera në Europën Lindore, sepse Shqipëria komuniste nuk kaloi nëpër procesin e «destalinizimit».

Josip Broz Tito, lideri i Jugosllavisë fqinje, kishte nisur zbatimin e një socializmi më liberal pas ndarjes me Stalinin më 1948. Hoxha i preu marrëdhëniet me Moskën më 1961, duke e akuzuar pasardhësin e Stalinit, Nikita Hrushçovin për tradhti ndaj parimeve marksiste. Disa dekada pas prishjes së gulageve stalinistë, Shqipëria po vazhdonte të ndërtonte kampe, ku torturoheshin, burgoseshin e vriteshin shqiptarë. Kjo ndodhi deri më 1991. Përveç hapjes së dosjeve dhe gjetjes së dëshmive për bashkëpunim, Shqipëria planifikon të nënshkruajë një marrëveshje me Komisionin Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur që do të hapte rrugën për një përpjekje zyrtare për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të personave të zhdukur. Po zhvillohen negociata për të kryer një projekt njëvjeçar në dy zona varresh, Ballsh dhe Dajt, ku do të mblidhen eshtrat dhe do të kryhen teste me ADN-në e familjarëve të viktimave.

Financuar prej Bashkimit Europian, projekti do të jetë përpjekja e parë zyrtare e Shqipërisë për gjetjen dhe identifikimin e të zhdukurve. Bashkëpunimi kërkon marrëveshje të ndërlikuar qeveritare me përfshirje të ndihmës për çështje diplomatike dhe shkencore; vendosjen e një sistemi për ruajtjen e sigurt të dëshmive fizike dhe për lejimin e qasjes në databazën konfidenciale qeveritare të të mbijetuarve. Secila zonë do të konsiderohet si skenë e mundshme krimi. «Nuk jam optimist», thekson Fatos Lubonja, 66 vjeç, që ka shkruar memoaret e 17 viteve të kaluara nëpër burgjet dhe kampet komuniste të punës. Ishte ndëshkuar për shkak se policia sekrete e kishte zbuluar se ai kishte kritikuar Hoxhën në ditarin e tij privat.

Lubonja thekson se nëse qeveria e ka ndërmend përnjëmend të zbardhë të kaluarën, do të duhej të ofronte amnisti për dëshmitarët, ose edhe për ushtruesit e dhunës politike, në këmbim të informacioneve për zbulimin e vendeve ku i kishin varrosur viktimat.Lubonja mendon se në vend të kësaj, deputetët e dy partive më të mëdha – Partia Socialiste e Edi Ramës (që ndërroi emrin prej Partisë Komuniste) dhe Partia Demokratike antikomuniste – ishin komprometuar gjatë kohës së komunizmit. Në vend se të përdoren dosjet si instrumente për të krijuar të vërteta apo u shfrytëzuan për t’i akuzuar kundërshtarët politikë si bashkëpunëtorë ose që të shtiren si viktima në sytë e përkrahësve.

«Kjo është thjesht luftë ndërmjet bandave të rrugaçëve që përdorin çdo armë të mundshme kundër njëri-tjetrit», ka deklaruar Lubonja. Përpjekjet mund t’ia bëjnë qejfin qeverive perëndimore, por zbardhja e së vërtetës për të kaluarën duhet të zbardhet prej vetë shqiptarëve, thekson ai. «Në Perëndim u pëlqejnë këto tema që shihen si shenja se diçka e hairit po ndodh në vend», thekson Lubonja. «Të huajt nuk duhet ta nxjerrin turpin në shesh. Duhet të dalë në sipërfaqe prej popullit tonë».

(New York Times)