Duke buzëqeshur nga debakli në debakël

Kadri Veseli ka arritur në afat rekord ta shndërrojë PDK-në në parti të hutuar nga paniku. Në zgjedhjet nacionale të provokuara prej tij PDK pësoi disfatë të thellë. Para zgjedhjeve lokale asaj i mungojnë kandidatë seriozë për kryetarë komunash. Taktika e PDK-së tani është ecja pa krye, futja e kokës në zall, dezorientimi.

Foto: Shutterstock



S’ka asgjë më të paqëndrueshme se mitet që i ndërtojnë gënjeshtarët. Nëpër çarshinë e Prishtinës prej vitesh kanë lëvizur sekserë që prezantohen si «gazetarë» e «analistë», «ekspertë» për marrëdhënie me publikun e çka jo tjetër. Misioni i tyre ka qenë të përhapin mitin se Kadri Veseli është një lloj «profeti politik», i cili do të bëjë mrekulli të mëdha sapo të dalë nga nëntoka në sipërfaqe. Atje, në nëntokë, ai, siç thuhej, paskësh qëndruar për të mirën e Kosovës. Dhe me këtë mirësi ai paskësh vendosur ta bekonte Kosovën edhe në sipërfaqe.

Propaganda për Veselin pati marrë përmasa pothuaj religjioze. Natyrisht falë «gazetarëve» që synonin t’ia bënin qejfin me pyetje ledhatuese. «Asgjë nuk ka lozur Hashim Thaçi me protagonistët e skenës politike në krahasim me atë që ju pret kur të vinë Kadria», thoshte njëri nga publicistët atëherë shërbëtor i fshehtë i PDK-së, tani i hapur.

Veseli e mori partinë pa kundërkandidat. U bë kryetar i saj me aklamacion dhe kjo s’qe aspak befasi, sepse ai njëfarë kryetari i PDK-së ishte edhe në kohën e Hashim Thaçit. PDK është mbase partia e vetme në Europën postkomuniste që së paku derisa erdhi në pushtet pati shërbim të sajin sekret. Në mungesë të një hetimi të pavarur nga drejtësia e pavarur për këtë shërbim do të vazhdojnë të tregohen legjenda: krerët e tij përpiqen të bindin opinionin se kanë punuar për të mirën e vendit, për një pjesë të madhe të shoqërisë kosovare shërbimi sekret i PDK-së nuk ishte më shumë se një skuadër për vrasje. Në këso rrethanash ndërtohen mitet, sidomos në Ballkan.

Miti i Kadri Veselit u shemb në afat rekord. Nuk ia përmirësuan imazhin kronikat e porositura, as intervistat me pyetje «të buta», as spotet që synonin të ndërtonin një imazh modern të tij, as «turet» e dëgjimit. Në të vërtetë «turet» e dëgjimit ishin paralajmërim i qartë se shefi i PDK-së nuk kishte çfarë t’i thoshte më popullit, sepse ata që e kishin drejtuar partinë para tij e kishin harxhuar krejt arsenalin e mashtrimeve dhe gënjeshtrave. Tash Veseli u futej njerëzve nëpër zejtari e shtëpi me një kërkesë: «A mund t’ju dëgjoj?» Shqiptarët janë mikpritës, por jo budallenj. Në zgjedhjet e 11 qershorit, të cilat Veseli i provokoi me një fushatë të gjerë të mediave të tij kundër kryeministrit Isa Mustafa, PDK pësoi debakël. Veseli dhe daullexhinjtë e tij thanë se në krye të qeverisë duhej një politikan që merr vendime, sepse, ja, Isa Mustafa s’po merr vendime. Por, vendimet duhej të merreshin nga koalicioni i madh, i cili kishte votat për çdo vendim, por për Veselin dhe tarafin e tij më e rëndësishme ishte ta poshtërojnë edhe njëherë Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila, dorën në zemër, edhe u ka dhënë rast krerëve të PDK-së që ta poshtërojnë.

Por, politika nuk është nëntokë, atje – në nëntokë – s’ka rregulla. Në atë botë është rritur Veseli, andaj në testin e parë të madh politik ai dështoi. Duke nuhatur humbjen drastike më 11 qershor ai hoqi dorë nga ambicia për të qenë kryeministër dhe ia dorëzoi kandidaturën Ramush Haradinajt, i cili me vete e mori edhe Fatmir Limajn, i cili në momente emocionale di të thotë se krejt të zezat që i ka përjetuar pas luftës «m’i ka bërë SHIK-u», domethënë Kadri Veseli. Nuk ishte e befasishme që gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet nacionale Limaj nuk pranonte të dilte në skenë me Veselin dhe për të arritur këtë, Haradinajt i duhej të përdorte forcën e muskujve, aty ku ai është përherë kampion së paku ballkanik.

Tani Veseli ndoshta mund ta mbajë disi në pushtet qendror PDK-në, falë ndonjë vote të blerë nga ndonjë këngëtar i tallavasë, nga ndonjë pinjolle e krimit të organizuar, nga ndonjë kloun politik, i cili pas masakrës ndaj familjes Jashari përpiqej që me porosi të Kremlinit të pengonte angazhimin e diplomacisë amerikane në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Por, kjo do të jetë një qeveri e arnuar, një kabinet i varur nga vullneti i Beogradit, ndërsa në opozitë do të jenë rreth 60 deputetë shqiptarë.

Kadri Veseli ka arritur në afat rekord ta shndërrojë PDK-në në parti të hutuar nga paniku. Para zgjedhjeve lokale asaj i mungojnë kandidatë seriozë për kryetarë komunash. Taktika e PDK-së tani është ecja pa krye, futja e kokës në zall, dezorientimi. Në Prizren gara mund të zhvillohet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së. Në Gjakovë PDK dhe LDK më mirë të mos shfaqen fare. (Atje VV e ka kandidatin përfundimisht më serioz). Në Mitrovicë PDK po përpiqet ta mashtrojë opinionin me një kandidate të shoqërisë civile, e cila me gjasë është e gatshme të ngjitet në një anije politike, e cila po fundoset. Në Gjilan gara do të zhvillohet mes VV-së dhe LDK-së. Në Kamenicë po ashtu. Në Ferizaj ka gjasa të jetë ngjashëm. Në Pejë mes betejës që do të zhvillojnë LDK, VV dhe AAK s’mbetet vend për PDK-në. Në Skenderaj PDK nuk ka kandidat, andaj ka zgjedhur t’i futet në oborr familjes Jashari.

Në Prishtinë PDK më së shumti mund të kërkojë vota që Lirak Çelaj të zgjidhet shef i ndonjë teatri, më shumë s’arrin dhe arsyet dihen: PDK është e diskredituar totalisht në kryeqytet. VV dhe LDK së bashku në zgjedhjet nacionale kanë marrë rreth 80 për qind të votave në Prishtinë. Gara në Prishtinë pritet të zhvillohen mes VV-së dhe LDK-së. VV me Shpend Ahmetin gjatë katër viteve të fundit ka ndryshuar modelin qeverisës, por nuk ka bërë ndonjë punë spektakulare. Por, e arritur e madhe është se janë përmbyllur disa projekte të rëndësishme që ishin nisur nga LDK: furnizimi me ujë, autobusët e rinj urbanë, hapja e çerdheve të reja.

Nëse fiton edhe një mandat, Shpend Ahmeti duhet të gjejë kohë për të realizuar projekte më të mëdha. Parqet dhe publiciteti në Facebook definitivisht nuk mjaftojnë për të kënaqur pritjet e qytetarëve të Prishtinës. Përkundër zhurmës së militantëve të verbër të VV-së, kandidati i LDK-së Arban Abrashi është dëshmuar edhe si ministër në kabinetin Mustafa se është një politikan i zellshëm dhe jopolarizues. Disa palaço të VV-së që e patën gjuajtur me vezë vetëm sa e kanë rritur simpatinë e publikut për të.

Pas zgjedhjeve lokale të tetorit Kadri Veseli do të mbetet duke vëzhguar sukseset e partive të tjera. Edhe atëherë do të vlejë kjo fjali: s’ka asgjë më të paqëndrueshme se mitet që i ndërtojnë gënjeshtarët.