«Duhet t’i gjunjëzojmë serbët»: një përkujtim me rastin e vdekjes së ish-kryediplomatit gjerman Klaus Kinkel

Ministri shumëvjeçar i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Klaus Kinkel, ka vdekur në moshën 82-vjeçar. Ai ka qenë një përkrahës konsekuent i integrimit të Kosovës dhe Shqipërisë në strukturat euroatlantike. Gjatë një vizite në Tiranë në fillim të shkurtit 1998 ai tha se europianët kanë detyrime të veçanta ndaj Kosovës dhe shtoi se gjermanët dhe europianët e tjerë nuk do të lejojnë që shumica shqiptare në Kosovë të «keqtrajtohet e shtypet» nga një pakicë prej 10 për qind. Kinkel i njihte mirë anët e errëta të Jugosllavisë së Titos: kur në Gjermani u vranë Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, Kinkel ishte shef i Shërbimit Sekret Gjerman (BND).

Klaus Kinkel në një ceremoni festive me rastin e 80-vjetorit të tij të lindjes.



Njëri prej politikanëve më të rëndësishëm të Gjermanisë të dekadave të fundit, ministri shumëvjeçar i Jashtëm, Klaus Kinkel, ka vdekur të hënën, bëjnë të ditur mediat gjermane. Kinkel ka qenë shef i diplomacisë gjermane dhe nënkancelar mes viteve 1992 dhe 1998, kur Ballkani si pasojë e agresionit serb u fundos në kaos dhe luftëra. Kinkel ka qenë më parë ministër i Drejtësisë i Gjermanisë dhe shef i Shërbimit të jashtëm Sekret Gjerman (Bundesnachrichtendienst, BND). Ai i përkiste partisë së vogël liberale, FDP, të cilës i priu si kryetar mes viteve 1993-1995. Kinkel është përshkruar si nxënës i Hans-Dietrich Genscherit, ministrit shumëvjeçar të Jashtëm gjerman. Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas shkroi me rastin e vdekjes së Kinkel: «Vendi ynë humbi një liberal të madh dhe luftëtar për shtetin ligjor dhe demokracinë. Ai dha kontribut të madh që Gjermania e ribashkaur të gjejë vendin e vet në botë dhe të jetojë në paqe dhe respekt me fqinjtë e vet».

Kinkel i përkiste diplomatëve europianë që ishin kritikë ndaj politikës hegjemoniste të Sllobodan Millosheviqit në fillim të viteve ’90. Më 24 maj 1992, kur në Kosovë Ibrahim Rugova u zgjodh president në një referendum të organizuar nga alternativa kosovare, Kinkel deklaroi: «Duhet t’i gjunjëzojmë serbët». Kjo deklaratë e dhënë atë ditë mund të ketë qenë rastësi, por gjithsesi ajo tregonte qëndrimet e qarta të Kinkelit, i cili bënte dallimin mes agresorit dhe viktimave në konfliktet e Ballkanit, gjë që jo përherë e bënin shtete të tjera të mëdha europiane. Në shtypin gjerman kishte gazetarë, të cilët nuk e miratuan fjalinë e Kinkelit «Duhet t’i gjunjëzojmë serbët», madje disa bënë edhe një krahasim historik: në vitin 1914, pas atentatit në Sarajevë, perandori gjerman Wilhelmi II i kishte shkruar ambasadorit të tij në Vjenë: «Duhet t’i lajmë hesapet me serbët, madje shumë shpejt».

Kinkel ishte i «bindur se burimi kryesor i së keqes» ishte në Beograd, andaj në një letër dërguar shteteve anëtare të BE-së të cilat ishin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (Britania e Madhe, Franca dhe Belgjika) kryediplomati gjerman kërkonte që të angazhoheshin për sanksione gjithëpërfshirëse kundër Jugosllavisë. Paraardhësi i Kinkelit në postin e ministrit të Jashtëm, Hans-Dietrich Genscher, në fillim të viteve ‘90 kishte bërë presion ndaj vendeve të tjera të BE-së për ta pranuar pavarësinë e Kroacisë dhe Sllovenisë. Në një bisedë me kryetarin e Tanzanisë, Julius Nyerere, në korrik 1995, Kinkel, sipas revistës «Der Spiegel», e cila u referohej dokumenteve diplomatike gjermane, kishte thënë se «NATO-ja teorikisht është në gjendje që ish-Jugosllavinë ta bëjë hi e pluhur brenda një nate». Më tutje Kinkel kishte shpjeguar se të gjithë, përveç serbëve të Bosnjës në «kryeqytetin» e tyre Pale, janë të gatshëm të arrijnë një zgjidhje politike: «Kjo na shpie te ky rezultat: Pale me një milion njerëz dhe me një politikan të çmendur në krye janë në gjendje të terrorizojnë botën».

Kinkel i njihte mirë anët e errëta të Jugosllavisë. Kur në vitin 1982 në Gjermani u vranë Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, Kinkel ishte shef i Shërbimit Sekret Gjerman. Vrasësit dhe ndihmësit nuk u arrestuan kurrë dhe me vdekjen e Kinkel është shuar edhe një zë që ndoshta do të mund të ofronte informata të vlefshme për organizatorët e këtij krimi. Mes viteve 1979 dhe 1982, kur Kinkel drejtoi BND-në, shërbimi sekret jugosllav ishte mjaft aktiv në Perëndim dhe sidomos në Gjermani, ku kreu dhjetëra vrasje. Ndërsa politikanët e dy partive të mëdha në Gjermani (kristiandemokratët e CDU-së dhe socialdemokratët e SPD-së) refuzonin të konfrontoheshin me regjimin e Josip Broz Titos, për të cilin kishin nevojë si partner në ballafaqimin me Bashkimin Sovjetik, liberalët (FDP) e Genscherit dhe Kinkelit janë treguar së paku të sinqertë, duke pranuar më vonë se pala gjermane heshtte ndaj krimeve të UDB-së për arsye të ftohta pragmatike. Ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Gerhart Baum, një koleg partiak i Genscherit dhe Kinkelit, më 2014, i deklaroi radios publike gjermane: «Ky ishte sulm kundër sovranitetit tonë (fjalën e ka për vrasjet që i kryenin agjentët e Titos në Gjermani, v.j.). Një shtet tjetër kryen apo urdhëron vrasjen e kundërshtarëve të tij në territorin tonë. Këtë nuk është dashur ta lejojmë. Por çfarë të bënim?»

Në njërën prej intervistave të fundit që ia dha radio publike gjermane Kinkel foli në vitin 2016 mbi aktgjykimin kundër Radovan Karaxhiqit në Hagë. Sipas Kinkelit, Karaxhiqi e ka merituar dënimin për shkak të fajit të tij të tmerrshëm. «Kam pritur se do të dënohet me burgim të përjetshëm», fundja ai, sipas Kinkel, ishte përgjegjës për 100 mijë viktima në Bosnjë. Kinkel tregoi se në një takim me rastin e arritjes së Marrëveshjes së Daytonit qëllimisht nuk ia kishte dhënë dorën Karaxhiqit. Por Kinkel ishte edhe vetëkritik, kur theksoi se mbrojtja e Srebrenicës nga ana e OKB-së ishte krejtësisht e pamjaftueshme. «Ishte dështim total i bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi, i Kombeve të Bashkuara, i NATO-s, i europianëve – edhe i imi».

Sa i përket Kosovës kancelari Helmut Kohl dhe zëvendësi i tij dhe ministri i Jashtëm Klaus Kinkel një kohë të gjatë u angazhuan për kthimin e autonomisë së suprimuar nga Serbia. Në qershor të vitit 1998, kur në Kosovë po eskalonte konflikti, Kohl (bashkë me ministrin Klaus Kinkel) priti në Bonn liderin e atëhershëm kosovar, Ibrahim Rugova, dhe shefin e qeverisë në ekzil, Bujar Bukoshi. Sipas revistës «Der Spiegel» kancelari ia kishte bërë të qartë palës shqiptare se ai mbështet një autonomi të gjerë për Kosovën, por jo pavarësinë. Bukoshi citohej të ketë thënë se gjatë takimit Kohl kishte shprehur një ndjenjë parimore të solidaritetit me shqiptarët e Kosovës. Këtë ndjenjë Gjermania e shprehu sidomos në pranimin e mijëra refugjatëve kosovarë, të cilët iknin nga terrori i regjimit serb. Në Gjermani u lejua të veprojë qeveria në ekzil, e cila përmes fondit të trepërqindëshit financoi jetën paralele në Kosovë.

Kinkel ka qenë një përkrahës konsekuent i integrimit të Kosovës dhe Shqipërisë në strukturat euroatlantike. Gjatë një vizite në Tiranë në fillim të shkurtit 1998 ai tha se europianët kanë detyrime të veçanta ndaj Kosovës dhe shtoi se gjermanët dhe europianët e tjerë nuk do të lejojnë që shumica shqiptare në Kosovë të «keqtrajtohet e shtypet» nga një pakicë prej 10 për qind. Në Tiranë Kinkel takoi kryeministrin e atëhershëm Fatos Nano, ministrin e Jashtëm Pandeli Majko dhe ish-presidentin Sali Berisha. Kinkel u bëri apel socialistëve dhe demokratëve të pajtohen – një apel që europianët po e përsërisin edhe tani, 20 vjet më vonë. Gjatë qëndrimit në Tiranë më 1998 Kinkel tha se në 10 vitet e fundit Shqipëria ka marrë mbi një miliard marka gjermane mbështetje financiare nga Gjermania. Për kokë të banorit kjo ishte atëbotë ndihma më e lartë zhvillimore për një vend.

Në korrik 1998 Kinkel vizitoi bashkë me ministrin e Jashtëm shqiptar Paskal Milo refugjatët e Kosovës në Bajram Curr. Krahas 5 mijë banorëve të qytezës aty tani jetonin edhe 12 mijë shqiptarë të Kosovës të përndjekur nga forcat (para)militare serbe. Gjatë takimit me një familje të madhe që kishte ikur nga Kosova dhe gjetur strehim në Bajram Curr, Kinkel – duke ledhatuar kokën e një fëmije – tha: «Bota është aq e padrejtë». Një refugjat i tha atëbotë kryediplomatit gjerman se «qetësi do të ketë tek atëherë kur Kosova do të jetë e pavarur». Kinkel u përgjigj: «Duhet të keni besim ndaj nesh. Do të përpiqemi të gjejmë zgjidhjen më të mirë për ju». Që Kosova është sot e pavarur, merita ka edhe Klaus Kinkel.