Duheshin

Foto: Shutterstock

Vuanin për dritë, me buzë të kaltra në agim
Me buzë që dilnin nga nata e ngrydhët
Me buzë të ndara, me gjak, çfarë gjaku?
Duheshin në një shtrat anijeje, gjysmë natë gjysmë ditë.

Duheshin si lulet gjembgjata
Me atë xhevahirin e dashuruar të së verdhës së re,
Kur fytyrat vërtiten melankolikisht
Si lulehëna që vetëtin nën puthje.

Duheshin natën, kur qentë e thellë
Lehin nën tokë dhe lugjet shtriqen
Si shpatulla arkaike që e ndiejnë veten të përshkuara,
Si ledhatim, mëndafsh, dorë që vjen e prek.

Duheshin dashurisht në mes të mëngjesit
Në mes të gurëve të fortë e të mbyllur të natës,
Të fortë si trupat e ngrirë prej orëve,
Të fortë si puthja dhëmb më dhëmb.

Duheshin ditën si plazh që rritet e rritet,
Si valë që ngjitej këmbëve e kofshët ledhatojnë,
Si trupa që ngrihen nga toka duke pluskuar…
Duheshin ditën, mbi det, nën qiell.

Përktheu: Aurel Plasari