Duartrokitje për ambasadorin jodiplomatik

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairí O’Connell, është ndër diplomatët e rrallë në Prishtinë që sinqerisht angazhohet për një të ardhme më të mirë të Kosovës. Apeli i tij për të mos votuar partitë e kriminalizuara është dramatik, i vërtetë dhe qortues njëkohësisht.

Ruairí O’Connell.



Janë pesë ambasadorë në Prishtinë që kanë ndikim të madh në politikën e Kosovës, shpesh madje ata kanë më shumë ndikim se qeveria, parlamenti dhe presidenti së bashku. Kjo pesëshe në anglisht quhet «Quint» dhe përbëhet nga ambasadorët e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë. Opinioni kosovar ka përjetuar ambasadorë me temperamente të ndryshme.

Christopher Dell do të mbahet në mend për hendekun e madh mes asaj që predikonte dhe asaj që bënte. Angazhohej për transparencë dhe thoshte se kontrata për ndërtimin e autostradës nuk mund të publikohet, sepse bëhet fjalë për biznes privat. Një ambasador i Francës e kishte qortuar hapur një shërbëtor vendor, sepse nuk ishte i kënaqur me përkthimin. Një ambasador italian u përfol në lidhje me skandalin e shitjes së vizave nga përfaqësia diplomatike e vendit të tij në Prishtinë. Diplomatët gjermanë kryesisht janë të heshtur, por ka pasur edhe të tillë që për hir të stabilitetit kanë mbështetur parti e grupe politike që në Gjermani do t’i shpallnin të jashtëligjshme. Edhe britanikët kanë pasur ambasadorë jokonvencionalë, madje ekstravagantë në Prishtinë. Njëri prej tyre fliste shqip dhe në dimër shkonte në punë me ski. Në të vërtetë gati të gjithë ambasadorët britanikë në Prishtinë dhe Tiranë flasin shqip dhe për këtë fajet i ka gjuhëtari Agim Morina, kurset e të cilit i ndjekin diplomatët britanikë para se të zbresin nga Londra në viset e Ilirisë.

Nëse tani do të zgjidhej ambasadori më i mirë i Quintit në Prishtinë, atëherë vendi i parë do t’i takonte Ruairí O’Connell. Ambasadori i Britanisë së Madhe jo vetëm që flet shqip, por si gati asnjë diplomat ka arritur të kuptojë se cilat janë problemet e mëdha të vendit. Duke e njohur gjuhën lokale ai me siguri ka një ndjeshmëri më të madhe për hallet e qytetarëve, por rol më të rëndësishëm në qëndrimet e tij luan edhe identifikimi me vendin, njohja me njerëzit, dëshira për të dhënë një kontribut të sinqertë që gjendja në Kosovë të përmirësohet.

Tani Ruairí O’Connell ka dhënë një deklaratë dramatike, të vërtetë dhe qortuese njëkohësisht. Dramatike për shkak se i kapërcen këshillat e zakonshme diplomatike. Të vërtetë për shkak se e përshkruan realitetin politik në Kosovë. Qortuese për shkak se i drejtohet qytetarëve të paralizuar në apatinë e tyre ballkanike. Në deklaratën e tij mungon vetëm akronimi PDK.

Ja çfarë tha ambasadori: «Si votoj unë në Britani? Para zgjedhjeve unë mendoj: Filozofia e cilës parti përshtatet me filozofinë time? A i besoj unë premtimeve të tyre apo mendoj që ato janë qesharake? Kur ishin në pozitë, a bënë atë që premtuan që do të bënin? A mendoj që janë të gatshëm të kryejnë punën që kërkohet nga ta? (…) Unë kurrë nuk do të votoja për një parti e cila ka përkrahur kriminelët ose ka përfshirë kriminelët në listat e tyre».

Kjo deklaratë e tij mund të tingëllojë jodiplomatike, me gjasë edhe është e tillë. Në një vend tjetër kjo deklaratë do të përjetohej si fyerje, si mungesë respekti për vendin. Në Kosovë kjo është deklaratë e domosdoshme për të treguar sa e rëndë është situata. Ndërsa shumë ambasadorë dyshohet se ditën predikojnë ujë dhe natën pinë verë me sundimtarët votëvjedhës të Kosovës, Ruairí O’Connell ka braktisur këtë valle. Ai është pjesë e shoqërisë kosovare. Dhe këtë rol ai e kishte paralajmëruar para se të merrte detyrën e ambasadorit në Kosovë në pranverë 2015: «Jam i nderuar dhe i gëzuar që jam emëruar Ambasador i Britanisë së Madhe në Republikën e Kosovës. Përgjatë historisë së fundit të vështirë, Britania dhe Kosova kanë zhvilluar marrëdhënie të fuqishme dhe jetëgjata. Mezi pres të kthehem në Kosovë dhe të punoj sërish me miqtë e mi, të vjetër dhe të rinj, nga të gjitha komunitetet për të ndërtuar ura të fuqishme dhe ta mbështesim Kosovën në rrugën drejt integrimeve europiane».

Ruairí O’Connell ka shtyrë përpara projektin për depolitizimin e bordeve të ndërmarrjeve publike. Që nga fundi i luftës partitë politike (sidomos PDK dhe LDK) kanë futur në borde militantë partiakë dhe kështu kanë siguruar të mira materiale dhe vende pune për njerëz të paaftë. Ambasada britanike ka qenë prijëse në mbrojtjen e doganave nga përpjekja sidomos e PDK-së për ta futur nën kontroll këtë institucion të rëndësishëm. Në lidhje me demarkacionin me Malin e Zi Ruairí O’Connell ka deklaruar: «Çështja e demarkacionit të kufirit është çështje bilaterale në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Askush nuk i ka kërkuar Kosovës të ndryshojë kufirin e saj me Malin e Zi. Askush nuk e ka detyruar Kosovën të jap tokë. Marrëveshja konfirmon kufijtë aktualë; demarkacioni përcakton ku ndodhet kufiri, jo ku <duhet> të jetë. Por, Kosova është shtet sovran, i pavarur dhe është e drejtë që Kuvendi i Kosovës të vendosë a duhet ta ratifikojë marrëveshjen. Është përgjegjësi e juaja».

O’Connell është ndër diplomatët e paktë që flet me gjuhë të qartë. Për të korrupsioni dhe nepotizmi në Kosovë janë kancer që e shkatërrojnë Kosovën. Por ka edhe diçka tjetër që e shkatërron Kosovën: shpallja e tjetrit tradhtar vetëm pse nuk pajtoheni me të. «Kosovarëve me siguri ju kujtohet, më mirë se mua, dhuna politike dhe vrasjet e pasluftës, si dhe kaosi dhe frika që ishte shkaktuar në Kosovë. Duke i deklaruar njerëzit tradhtarë dhe armiq të shtetit sepse ata nuk pajtohen me ju, do të dëmtojë diskursin politik. Do të dëmtojë liritë për të cilat Kosova luftoi për aq kohë. Duke kërcënuar dhe duke përdorur dhunë do ta kthej Kosovën prapa në ditët e errëta të vrasjeve politike». Nuk duhet fantazi e madhe për të kuptuar se cilës parti i drejtohej ambasadori britanik. Kosova proeuropiane edhe në të ardhmen do të ketë shumë nevojë për zëra të tillë jodiplomatikë.