«Dua të vizitoj Pejën»

INTERVISTË - 40 pyetje - 40 përgjigje: Ullmar Qvick, albanolog nga Suedia.

Ullmar Qvick, albanolog nga Suedia.



Në kapërcyell të shekujve XIX/XX në sallonet e Parisit ishte modë që gjatë pritjeve mysafirët të plotësonin një «Questionnaire», një pyetësor. Një të tillë e kishte plotësuar edhe 13-vjeçari Marcel Proust në një festë për nder të ditëlindjes së Antoinette Faure, të bijës së presidentit të mëvonshëm francez Félix Faure.

Në moshën 20-vjeçare Proust ishte përgjigjur edhe njëherë në këtë pyetësor, të cilit ia kishte dhënë titullin: «Marcel Proust par lui-même» («Marcel Proust mbi vetveten»). Që nga atëherë «Questionnaire» u bë i famshëm bashkë me shkrimtarin Marcel Proust (1871-1922).

Traditën e pyetësorit e vazhduan gazetat e revistat deri në ditën e sotme, mes tyre edhe e përditshmja gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» dhe «Vanitiy Fair». Duke e marrë si model dhe inspirim pyetësorin e Proustit dialogplus.ch fillon me botimin e intervistave me 40 pyetje, në të cilat do të përgjigjen personalitete të ndryshme.

Në cilin vend dëshironi të jetoni në hapësirën e banuar me shqiptarë?
Në Shqipëri.

Cilin personalitet të historisë shqiptare do të dëshironit ta takonit sikur të ishe e mundshme?
Skënderbeu, Naim Frashëri, Mid’hat Frashëri , Elena Gjika (Dora d’Istria), Fan Noli, Lasgush Poradeci, Musine Kokalari, Dhimiter Pasko (Mitrush Kuteli), Gjergj Fishta, Anton Harapi, Shote Galica. Sigurisht edhe të tjerë.

Çka do ta pyetnit së pari?
Cila ka qenë dëshira juaj kryesore në jetë?

Cili është personaliteti më i rëndësishëm historik për ju?
Skënderbeu.

A ekziston Zoti?
Prova shkencore nuk ekzistojnë. Besoj se shpirti është i Zotit, trupi i botës sonë materiale, dhe kush sundon në botën materiale? Nesë jemi të bindur se Zoti ekziston dhe gabojmë, nuk do të kemi pasoja. Besimi te Zoti më duket i rrënjosur në shpirtin tonë.

Cilin libër po e lexoni aktualisht?
Afërdita Zaja: Vizioni mistik i universit dhe norvegjishtja. Titull enigmatik, libër me shumë dimensione, më ka dhënë shumë përshtypje nga pikëpamja gjuhësore, historike dhe fetare.

Cilin qytet të ish-Jugosllavisë keni dëshirë ta vizitoni?
Dua të vizitoj Pejën, sepse e kam vizituar vetëm për ndonjë orë gjatë një udhëtimi në të kaluarën. Një arsye e veçantë: Në Pejë u lind bashkëshortja ime Samka në 1955.

Kur keni udhëtuar për herë të parë jashtë shtetit dhe në cilin vend keni qenë?
Në Norvegji në vitin 1946 bashkë me shkollën tonë.

Kur keni qenë për herë të parë në Shqipëri?
Në vitin 1970, duke vizituar mjaft qytete nga Shkodra në veri deri te Saranda dhe Ksamili në jug.

Çfarë do të ishte për ju fatkeqësia më e madhe?
Të humb aftësinë mendore.

Cilin shkrimtar të huaj e pëlqeni më së shumti?
I huaj për mua? Fatos Arapi. I huaj për ju? Gustaf Fröding, poet suedez.

Kultura e cilit vend perëndimor ju pëlqen më së shumti?
Anglia, anglezët janë disi të krisur por gjithmonë me një origjinalitet të veçantë!

Cili emër ju pëlqen më së shumti?
Asnjë emër në Suedi me përparësi për mua. Në botën shqiptare: Arlinda.

A do të merrnit pjesë në dasmën e një çifti homoseksual?
Pa dyshim, por konkretisht besoj se nuk do të ndodh.

A do të ishit i gatshëm të luftoni në rast se rrezikohet liria e vendit?
Jo me armë por me forcat e mia intelektuale.

Cilin person s’do të kishit dëshiruar ta takoni kurrë?
Nuk do të kisha dëshiruar të takohem me Adolf Hitlerin, dhe nëse shpirti i tij më sulmon do të bërtas me forcë!

A duhet të bashkohen Kosova dhe Shqipëria?
Duhet të bashkohen si federatë, si dy shtete.

A është dëmtuar dialekti gegë me standardin gjuhësor të vitit 1972 dhe a duhet të ndryshohet ky standard?
Kriteret për krijimin e gjuhës së njësuar kanë qenë me ngjyrim politik dhe vendimet e varura nga pushteti në Shqipëri. Standardi duhet të ndryshohet por jo të çrrënjoset gjuha e njësuar, por gjuha e njësuar duhet të përmirësohet me forma të variantit gegë, si paskajorja dhe me format e lakimit të foljes dhe të mbiemrit, të lidhura me paskajoren.

Cilit komb dhe cilës kulturë do t’i kishit takuar me qejf?
Vetëm kulturës së shteteve nordike!

Sikur të kishit pushtetin politik çfarë do të ndryshonit së pari?
Pushtetin politik botëror, apo jo? Duke ruajtur sa më shumë të drejtat e individit do të kisha vendosur një pushtet me legjislacion botëror për të siguruar ambientin për gjeneratat e ardhshme, dhe kjo nuk mund të bëhet pa realizimin e një rregullimi të sistemit ekonomik, në të cilin do të aplikohen, me metoda ligjore, mbrojtja e ambientit dhe mbrojtja e individit nga skamja dhe shfrytëzimi, duke mënjanuar dallimet e mëdha midis të varfërve dhe të pasurve. Ekonomia botërore duhet të vazhdojë sa më e lirë por me kufizime ligjore të konkurrencës, që të mos varfërohen shtete dhe njerëz nga falimentime në një sistem të pafrenueshme. Duhet të jetë në plan të parë parakusht për aktorët e ekonomisë të bashkëpunojnë me organet shtetërore dhe botërore për kritere ekonomike, shoqërore, njerëzore dhe morale që të vendosin vetë kufijtë e fitimeve, të investimeve dhe të përcaktojnë nivelet e  tatimit.

Cili është personi më i rëndësishëm për ju?
Personi më i rëndësishëm për mua është bashkëshortja ime, Samka Nimani Qvick.

Cilat media preferoni t’i lexoni?
Mediat e preferuara janë radioja suedeze, programi i parë, disa zëra në mediat shoqërore (Facebook) dhe gazeta rajonale Norrköpings Tidningar. Televizionin gati nuk e përdor fare.

Cila ngjyrë ju pëlqen më së shumti?
Ngjyra e kuqe.

Cila lule ju pëlqen më së shumti?
Trëndafili.

Cilin virtyt tuajin e çmoni më së shumti?
Gatishmëria për të ndihmuar dhe toleranca.

Cilat virtyte i çmoni te një grua?
Kujdesi, qëndrimi përparimtar.

Cilat virtyte i çmoni te një burrë?
Sinqeriteti, fryma demokratike pa paragjykime.

Cilin politikan të kohës së Jugosllavisë e vlerësoni më shumë?
Nuk kam mundësi dhe përvojë për një vlerësim.

Cilin politikan të Kosovës pas vitit 1989 e vlerësoni më shumë?
Nuk kam parakushte për një vlerësim real.

Cilin politikan të Republikës së Shqipërisë në këto 25 vitet e fundit e vlerësoni më shumë?
Shihni përgjigjen 29.

A ka Enver Hoxha ndonjë meritë për Kosovën?
Jo.

A ka Josip Broz Tito ndonjë meritë për zhvillimin politik, arsimor, ekonomik dhe kulturor të Kosovës?
Po, duke parë situatën në sy besoj se me një udhëheqës tjetër jugosllav se Josip Broz Tito gjendja në Kosovë në vitet para vdekjes së tij do të kishte qenë më negative në të gjitha sferat e jetës.

Cili është për ju personaliteti më i urryer historik?
Adolf Hitler.

Sikur të kishit jetuar në Luftën e Dytë Botërore a do t’iu kishit bashkuar lëvizjes partizane në luftë kundër pushtimit nazist?
Duke marrë parasysh se lufta partizane ishte nën drejtimin indirekt të Bashkimit Sovjetik dhe të J.V. Stalinit vetë, besoj se jo.

Cili është intelektuali më i madh i Kosovës?
Më mungojnë parakushtet për një vlerësim real.

Cili është shkrimtari më i madh shqiptar?
Ismail Kadare në fushën e romanit, Ali Podrimja në poezi.

Cili është aktori/aktorja më e madhe shqiptare?
Bekim Fehmiu, në të kaluarën Aleksander Moisiu.

A keni marrë pjesë në ndonjë demonstratë?
Po, në disa demonstrata në Suedi në vitet 1990 për të përkrahur kërkesat e shqiptarëve.

A është toleranca fetare mes shqiptarëve mit apo realitet?
Realitet por me disa kufizime. Në përgjithësi te shqiptari dominon kujdesi për kombin dhe jo për fenë dhe komunitetin fetar.

Cila është ëndrra juaj më e madhe?
Të realizohet një botë pa luftëra dhe pa shkatërrim të ambientit, për brezat që vijnë.