Dua Lipa: «Kam një ëndërr»

Për ëndrrat, për Kosovën, luftën, emrin, festivalin në Prishtinë: Këngëtarja kosovare rrëfen në veten e parë për gazetën gjermane «Die Zeit».

Dua Lipa.



«Kosova? Ku i bie tamam?» Kjo është njëra nga pyetjet, të cilat i kam dëgjuar më shpesh gjatë jetës sime se çdo pyetje tjetër, pasuar nga: «Sa rrezik është atje?» Prindërit e mi qenë të detyruar të braktisin vendin kur shpërtheu lufta. Ata u pranuan në Angli, unë jam lindur e rritur në Londër.

Të kesh emrin Dua Lipa për mua si fëmijë nuk ka qenë lezet. Dua është fjalë shqipe dhe domethënë dashuri. Gjyshja ime kishte idenë që unë të kem këtë emër. Në shkollë menjëherë tërhiqja vëmendjen me këtë emër. Atëbotë më shumë do të doja të isha një fëmijë krejt normal anglez, me emrin Jane apo ashtu diçka, nuk dëshiroja të dalloja nga fëmijët e tjerë.

Pothuaj se kurrë nuk më kujtohen ëndrrat e mia të natës, por kur më kujtohen, atëherë shpesh ato kanë të bëjnë me familjen time. Familja ime është gjithçka për mua. Ndoshta kjo ka të bëjë me faktin se për shkak të luftës u shpërnda. Shpesh kam përjetime Déjà-vu, sidomos kur diçka më kujton skenta nga ëndrrat, të cilat në fakt i kam harruar qëmoti. Diku në kokën time janë të memorizuara ëndrrat, por ato dalin nga aty kur ndodhë diçka që ndërlidhet me to.

Së fundi e pashë ëndërr një anëtar të familjes. Në ëndrrën time ne po flisnim për shëndetin, ai më thoshte se nuk është mirë. Kur u zgjova në mëngjes, mësova se ai bash atë natë kishte vdekur.

Si fëmijë jam përpjekur që ëndrrat e mia t’i kujtojë me ndihmën e një ditari të ëndrrave. Por, pastaj nëna ime më tha të mos e bëja këtë. Ajo thoshte se magjia e ëndrrave do të prishej nëse përpiqesh t’i analizosh ato. Pastaj ëndrrat përgjithmonë do të fluturonin nga dritarja dhe nuk do të ëndërroje kurrë. Pastaj unë një kohë përherë e mbyllja derën gjatë natës, që ëndrrat të rrinë me mua.

Kur i postova në YouTube këngët e para, më së shumti komente inkurajuese mora nga Kosova. Njerëzit dëshironin që unë të dukesha mirë në botën e madhe, sepse neve shqiptarëve nga Kosova na bashkon ndjenja se duhet të përkrahim njëri-tjetrin. Shumë prej nesh kanë pësuar humbje të mëdha dhe nga shumë gjëra kanë qenë të shtyrë të heqin dorë. Nëse prindërit e mi atëbotë nuk do të vinin në Londër, unë kurrë nuk do ta kisha bërë këtë karrierë si këngëtare. Së fundi babai im ka organizuar një festival të muzikës në Prishtinë, ku unë mora pjesë. Festivali kishte për qëllim që t’ia bëjë të qartë botës se Kosova nuk është një copë tokë e shkatërruar në fund të botës.

Kur njerëzit dëgjojnë se familja ime vjen nga Kosova, disa ende më shikojnë me keqardhje. Qëllimi im është që të ndikojë në mënyrën se si njerëzit e shikojnë Kosovën. Kosova sot është krejt ndryshe nga koha e luftës, por me sa duket pothuaj askush s’po e vëren këtë. Një ditë ndoshta ia dalim të pranohemi në BE. Edhe kjo do të ishte një ëndërr.

Dua Lipa, 23-vjeçare, u bë e njohur në vitin 2017 me hitin «New Rules». Në pranverë u shpërblye me dy Brit Awards. Më 19 tetor do të dalë në shtije një version i zgjeruar i albumit të saj të parë me tri këngë të reja, mes tyre një koproduksion me grupin jugkorean Blackpink.

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIA TË TJERA