Drogën dhe alltinë tonë të përditshme – jepna sot!

Dallimi i madh: mbi djemtë e pushtetarëve kosovarë dhe djalin e ministrit të Financave të Zvicrës.




Djemtë e një politikani të PDK-së rrahën një polic. E rrahën pa asnjë shkak, vetëm pse zyrtari i shtetit disi «u doli në rrugë». Gjyqësia e korruptuar dhe e manipuluar kosovare djemtë e politikanit i dënoi me nga gjashtë muaj burg. Me kërkesë të mbrojtjes dënimi «u konvertua» në gjobë. Djemtë u gjobitën me nga 3 mijë euro. Çfarë janë 3 mijë euro, kur e ke krahun e fortë, babën e fortë, partinë e fortë, shtetin në shërbim, gjyqtarin, prokurorin, policin hetues, inspektorin po se po. Me një fjalë: 3 mijë euro janë një shumë qesharake, aq sa kushton një udhëtim i djemve të politikanëve të Kosovës në Ulqin apo Budvë apo Davos të Zvicrës.

Tani është bërë e ditur se djali i shefit të shërbimit sekret të Kosovës dyshohet të jetë «pronar» i disa gjërave të palejueshme – allti, thikë e drogë. Policia është ngutur të njoftojë se alltia e prodhuesit serb «Zastava» të Kragujevcit nuk ka qenë e djalit të shefit të shërbimit sekret, por e një personi tjetër. Pas kontrollit të veturës në periferi të Prishtinës dhe konfiskimit të armës dhe substancave narkotike, policia nuk i kishte dorëzuar provat në prokurori. Tek pas insistimit të gazetës policia kishte kryer punën e saj. Kjo tregon, për të satën herë, se policia e Kosovës, përkundër imazhit nganjëherë pozitiv, nuk është polici profesionale, sidomos jo atëherë kur të dyshuarit janë djem, dajë e nipa të funksionarëve me ndikim të madh.

Shefi i shërbimit sekret të Kosovës (AKI) pa dyshim është njëri me ndikim: ka qenë me vite të tëra shef i policisë dhe pas skandalit të kidnapimit të disa shtetasve turq dhe ekstradimit të tyre në Turqi, ky zyrtar u bë shef i AKI-së – domethënë nuk u ndëshkua, por përparoi në karrierë, duke marrë drejtimin e një institucioni tepër delikat dhe të rëndësishëm për sigurinë e vendit. Kur ndodhi skandali i rrëmbimit të turqve, kryeministri bëri sikur ishte i nervozuar, u ndie i fyer se ia kishin punuar pas shpinës presidenti me argatët e tij në qeveri, polici dhe AKI, andaj largoi nga postet ministrin e Brendshëm dhe shefin e AKI. Por, prapë kryeministri e pranoi kanakarin e presidentit në postin e shefit të ri të AKI-së. Kështu shkojnë punët e politikës në Kosovës: pazar pas pazari. «Ti mua rehatoma atë djalin aty, unë ty ta rehatojë këtë djalin atje. Ti mua rehatoma atë djalin në postin e shefit të AKI-së, unë ty ta rehatojë këtë djalin në atë postin në diplomaci». Kjo është një rehati që çdo ditë e shkatërron shtetin, çdo ditë e dëmton besimin e qytetarëve në shtet, çdo ditë e shton dëshpërimin, çdo ditë e rrit mllefin dhe çdo ditë e shton numrin e atyre që duan të ikin nga Kosova.

Nuk është ndonjë konstatim origjinal nëse themi se Kosova dallon nga Zvicra. Megjithatë, në rastet e sundimit të ligjit ia vlen të sillet në vëmendjen e lexuesve dallimi mes dy shteteve: ndërsa në Kosovë të rrahësh policin të kushton një shumë qesharake prej 3 mijë eurosh dhe kur kapesh me drogë policia vrapon të sqarojë se së paku arma nuk ishte e të dyshuarit, në Zvicër për delikte të ngjashme apo afërsisht të ngjashme s’ka pardon. Këtë javë një gjykatë zvicerane dënoi me 16 muaj burg (me kusht) djalin e ministrit të Financave të Zvicrës. Ai u dënua për plaçkitje, përpjekje për shantazh, dëmtim prone, përpjekje për ushtrim dhune, kërcënim kundër autoriteteve dhe zyrtarëve, fyerje të shumëfishtë, pengim i personit zyrtar në ushtrimin e funksionit të tij dhe shkelje e shumëfishtë e rregullave të trafikut.

Në shoqërinë kosovare shpeshherë ka reagime histerike kur zbulohet se djali apo vëllai apo nipi i ndokujt ka kryer ndonjë krim. Mendësia fisnore përpiqet që me krimin e djalit qëmoti të moshës madhore të njolloset edhe babai. Në rastin e djalit të ministrit të Financave të Zvicrës ky debat as që është bërë. Por, ka një arsye përse nuk është bërë. Sepse në një shtet funksional si Zvicra as ministri, as qeveria, as parlamenti nuk mund të ushtrojnë ndikim mbi gjyqësinë. Megjithatë, kishte disa zhvillime të çuditshme edhe në rastin e djalit të ministrit zviceran. Fillimisht avokati u përpoq ta fshehë të vërtetën, t’ua ndalojë gazetarëve të raportojnë, i kërcënoi ata me padi. Edhe gjykatësi i rastit fillimisht ia mbajti anën avokatit me argumentin e zbehtë se bëhej fjalë për mbrojtjen e të dhënave të të dyshuarit. Por, meqë nuk bëhej fjalë për vogëlsira, por për delikte serioze, drejtësia vendosi për transparencë të plotë dhe hodhi poshtë vendosjen e drejtësisë në rrethana jotransparente. Funksionimi i drejtësisë më së miri shihet në sjelljen e saj ndaj pushtetarëve apo njerëzve të afërt me pushtetarët. Djemtë e pushtetarëve të Kosovës mund të thonë: «Drogën dhe alltinë e përditshme – jepna sot!» dhe gjasat që të shpëtojnë lehtë apo të mos preken fare nga drejtësia janë të mëdha. Moshatarët e tyre në Zvicër, ndërkaq, i hanë nga 16 muaj burg – dhe afër 5000 franga gjobë.