Drogë në karrigen e invalidit: në Zvicër arresohet një diler kreativ

Një shqiptar ishte shtirur si invalid dhe në karrocën e tij kishte fshehur tetë kilogramë mariuanë. Ai është arrestuar nga doganierët zviceranë.

Ilustrimi: Shutterstock



Kur bëhet fjalë për transportimin e drogës, jo pak dilerë janë tejet kreativë. Disa arrijnë në mënyrë të përsosur të fshehin «mallin» në veturë, të tjerët e sjellin «miellin» me kamionë apo autobusë – nga Ballkani në Zvicër, për shembull.

Një shqiptar ishte përpjekur në fund të nëntorit të tregohet tejet kreativ në kontrabandimin e drogës. Siç ka njoftuar këtë javë Dogana e Zvicrës, 22-vjeçari ishte shtirur si invalid dhe ishte përpjekur t’i fus nga Italia në Zvicër tetë kilogramë mariuanë. Drogën ai e kishte fshehur në një jastëk në karrocën e invalidit.

Doganierët zviceranët e ndaluan të dyshuarin në stacionin e trenit në qytetin Brig dhe në karrigen e tij gjetën nëntë pako me drogë. Shqiptari i arrestuar shoqërohej nga një bashkëvendas. Rasti i është dorëzuar policisë kantonale të Wallsit për trajtim të mëtejmë. (-lli)