Drenusha Shala kthehet nga Zvicra në Kosovë me firmën e saj

Gazeta «SonntagsZeitung» portreton ndërmarrësen e re Drenusha Shala, e cila në Prishtinë ka themeluar një «Callcenter» (qendër thirrjesh telefonike). Qeveria zvicerane financon të kthyerit.

Foto: Presidentja Jahjaga gjatë vizitës së paradokohëshme në Zvicër/ Dashnim HEBIBI



Ata duan të largohen. Gjithsejtë 50 mijë kosovarë e kanë braktisur vendin e tyre këtë dimër. Në drejtim të Europës, edhe në drejtim të Zvicrës. Ata ishin në kërkim të perspektivave të reja, sepse të tilla ka pak në ekonominë kosovare. Vlerësohet se 75 për qind e të rinjve nën moshën 25-vjeçare janë të papunë. Të diplomuarit në fakultet përfundojnë si kamerierë ose drejtojnë taksie në Prishtinë, kryeqytetin e vendit. Kosova është vendi më i varfër i Europës. Për t’i dhënë hov të ri ekonomisë private presidentja Atifete Jahjaga i bën thirrje diasporës të bëjë më shumë për vendlindjen.

Drenusha Shala e ka bërë një hap të tillë dhe ka themeluar në Prishtinë firmën e saj, ndonëse ajo deri më tani e njihte Kosovën vetëm nga tregimet dhe vizitat. Tani kjo 25-vjeçare gjysmën e kohës banon në Prishtinë, gjysmën tjetër në Greifensee të Kantonit të Zürichut – aty ku është rritur. Bashkë me dy shokë, po ashtu shqiptarë, Drenusha Shala ka ngritur një «Callcenter» (qendër thirrjesh telefonike). Nga Kosova ata kryejnë shërbime telefonike për klientë zviceranë dhe gjermanë, për shembull për institutin për hulumtimin e tregut GFK apo për Postën Gjermane (Deutsche Post). Gjuha nuk është problem, sepse në Kosovë mijëra njerëz flasin gjermanisht. «Ky është një potencial i madh», thotë Shala.

Firma e saj quhet Baruti – lëndë plasëse. «Dikur baruti nga na mbrojtur nga sulmet. Sot barut është puna dhe arsimimi ynë». Me firmën e saj Baruti Shala e ka zbuluar një terren të pashkelur të ekonomisë. Kosova ka rrogat më të ulëta në Europë, raporti me rrogat në Zvicër është 1 me 20. Në të vërtetë nuk është thjeshtë të depërtosh në ekonominë kosovare, por rrethanat strukturore, sipas Shalës, ofrojnë edhe përparësi: «Në Zvicër i ke të gjitha. Në Kosovë me pak mjete mund të bëhesh i madh dhe i suksesshëm dhe të kesh famë».

Nepotizëm, klientelizëm dhe burokraci e mërzitshme

Në fund të marsit Shala foli në një konferencë në Winterthur, të organizuar nga qeveria zvicerane dhe Republika e Kosovës. Qëllimi: të nxiten kosovarët e ftuar – të gjithë të kualifikuar shumë mirë, të rinj dhe shqipfolës – që të investojnë në vendlindjen e tyre. Për përfaqësuesit e qeverisë Shala është shembull prijës. Kryetarja Jahjaga u bëri thirrje bashkëkombësve të mërguar të ndjekin shembullin e saj. Shumë prej tyre janë të interesuar, pohojnë me kokë dhe mbajnë shënime. Por, kur mërgimtarët nisën të shtrojnë pyetje për Jahjagën dhe ministrat e ardhur me të situata u bë pakëndshme. Diaspora nuk është vetëm e arsimuar në Zvicër dhe flet dialektin zviceran, ajo është edhe e mësuar ta shikoje shtetin në sy kritik. Shumë zotërinj ankohen. Ata tregojnë për nepotizëm, klientelizëm dhe pengesa nga ana e autoriteteve kosovare; thonë mallrat konfiskohen pa arsye ose duhet të presin dy vite për të marrë një leje.

Edhe Shala nuk hesht sa i përket kushteve të vështira: vendi është joefikas, thotë ajo, burokracia e mërzitshme. Dhe ekonomia private e pazhvilluar: «Ndërmarrjet kanë imazh shumë të keq. Deri para pak kohësh në Kosovë ke studiuar për të marrë një vend pune në administratën shtetërore. Diçka tjetër nuk ka qenë e njohur». Ajo thotë se ka kaluar shumë net pa gjumë. Nga zhgënjimi se asgjë nuk do të ecte si duhet dhe nga frika: çka nëse diçka dështon?

«Kushtet janë të vështira, para së gjithash infrastruktura dhe mungesa e sigurisë nga sistemi i drejtësisë». Furnizimi me rrymë po ashtu është absolutisht i pamjaftueshëm, tregon Shala. Për këtë arsye Baruti është siguruar trefish me bateri dhe gjeneratorë rryme. Të njëjtën e ka bërë edhe me lidhjen e internetit. Shala është e shqetësuar sa i përket sistemit të pasigurt të drejtësisë. Është vështirë të realizohen kontratat, proceset gjyqësore dhe mosmarrëveshjet nuk zgjidhen me kohë.

Në investimet në vendlindje pritet të ofrojë ndihmë një fond për ndërmarrjet e sapothemeluara, i cili financohet nga Sekretariati Shtetëror për Ekonomi (Seco). Ky fond u prezantua në Winterthur. «Qëllimi është që të stimulohet ekonomia private dhe të krijohen vende të punës. Kështu do të nxirreshin në shesh shembujt e mirë se në Kosovë mund të jesh i suksesshëm», thotë Andreas Ragaz, i cili drejton projektin. Prej vitesh Seco ndan kredi të lira për Kosovën, por deri më tani vetëm katër projekteve u është dhënë kredi. Dhe vetëm dy prej tyre ende janë të suksesshme: një fabrikë për prodhimin e thasëve të letrës dhe një ndërmarrje për materiale ndërtimore nga byku i drurit. «Që një projekt dështon nuk ka të bëjë patjetër me kushtet në Kosovë, por më shumë me atë se ndërmarrësit janë të paaftë», thotë Ragaz. Fondi, sipas tij, është i paraparë për ndërmarrjes që nuk mund ta financojnë vete startin e ndërmarrjes së tyre. Për bankat është e rrezikshme të japin kredi për një ndërmarrje të sapothemeluar në Kosovë. Seco, ndërkaq, thotë Ragaz, ka kapacitete që të qëndrojë pas si këshillëdhënës dhe t’i vizitojë projektet lokale.

«Diaspora nuk duhet të dërgojë më para në Kosovë»

Zvicra tashmë është kombi i katërt donator për Kosovën. Për çdo vit harxhohen mbi 65 milionë franga për programet e zhvillimit dhe për angazhimin e kompanisë zvicerane në kuadër të KFOR-it për ruajtjen e paqes. Krahas tyre janë milionat që dërgohen në vendlindje nga 170 mijë kosovarë që jetojnë në Zvicër. Kjo shumë përbën 17 për qind të prodhimit vendor bruto – dhe është në dëm të ekonomisë vendore. «Në Kosovë shumë njerëz llogarisin se diaspora do të financojë edhe më tutje», thotë ndërmarrja Shala. Për këtë arsye krejt paratë shkojnë në konsum në vend të investimeve: «Kjo i ka bërë njerëzit dembelë. Ata nuk duan të punojnë, sepse të tjerët në botën e jashtme punojnë për ta». Kjo mungesë baraspeshe nuk e çon vendin përpara. «Diaspora nuk duhet të dërgojë më para në Kosovë!»

Shala nuk ishte e kënaqur me paraqitjen e presidentes kosovare në Winterthur: «Ajo na e krijoi përshtypjen se ne i paskemi borxh vendit». Por, sipas Shalës, diaspora ka dhënë mjaft kontribut. Në vend të thirrjes për të dashur atdheun presidentja më mirë duhet të mendojë se si ta bëjë Kosovën më atraktive për investitorët. Për shembull nëpërmjet harmonizimeve tatimore dhe përmirësimit të infrastrukturës. «Vendi duhet të ofrojë diçka», thotë Shala. «Patriotizmi nuk është argument për të investuar në Kosovë. Patriotizmi ka mbaruar».

DIALOGPLUS