Dreka e parë pa motrën

Pamje nga Biblioteka Nacionale në Sarajevë. Foto: Shutterstock



E tmerrshme është dreka e parë pa motrën
të cilën e ke dashur, e cila të ka dashur,
te e cila ke banuar për shkak se mbi banesën tënde binin granata,
me të cilën ke ndarë
dyzet ditët më të rënda të jetës.

I tmerrshëm është ai vendi i zbrazët pranë sofrës.

Dreka është sërish njëfarë qulli si dje,
por s’bëhet fjalë për drekë.

Fjala është për një pjatë më pak,
për një copë bukë më pak,
për një gotë ujë më pak.

Në të vërtetë,
fjala është për një banor të Sarajevës më pak
edhe ashtu
vetëm disa kemi mbetur.

Përktheu nga gjuha boshnjake: Enver Robelli