Drejtoria e Kadastrit dhe e Urbanizmit, nga nesër ofrojnë shërbime pa pauzë

Duke filluar nga nesër, e enjte 1 tetor, në Drejtorinë e Kadastrit dhe Drejtorinë e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit të Komunës së Prishtinës, të gjithë qytetarët do të mund të marrin shërbime duke filluar nga ora 8:00 – 15:00 pa ndërprerje.




Këto shërbime, sipas një njoftimi të Komunës së Prishtinës, do të ofrohen nga stafi përkatës edhe gjatë orës që më parë shërbente si pauzë, transmeton Koha.net.

«Risjellim në vëmendje se kohë më parë në këto dy drejtori ka filluar edhe menaxhimi digjital i radhëve të pritjes më qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të shpejta dhe efektive për qytetarët. Po ashtu, në Drejtorinë e Kadastrit dhe atë të Urbanizmit, njëjtë si edhe në Drejtorinë e Pronës, janë krijuar edhe pikat «One stop shop» me qëllim që qytetarët të kenë mundësi të gjitha shërbimet të cilat i ofron Komuna, t’i kryejnë në këtë pikë, e jo si më parë kur pagesat e ndryshme duhet t’i kryenin në vende të tjera dhe sërish të futeshin në radhët e pritjes», thuhet në njoftimin për media të Komunës së Prishtinës.