Drejtori i Komunës së Suharekës i dënuar për keqpërdorime vazhdon punën

Drejtori i Shërbimeve Pronësore-Juridike dhe Kadastër i Suharekës, Sylejman Hoxha, do të vazhdojë qëndrimin në postin publik, pavarësisht se gjykata e shkallës së parë e ka shpallur atë fajtor për keqpërdorimin e pozitës, apo autoritetit zyrtar.




Zyrtarët e Komunës së Suharekës kanë theksuar se një gjë e tillë ndodh për faktin se vendimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit nuk është i plotfuqishëm. Sipas tyre, kryetari Sali Asllanaj do të marrë masa në momentin që ka një aktgjykim të plotfuqishëm për bashkëpunëtorin e tij, shkruan sot «Koha Ditore».

Javën e kaluar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prizrenit, Afërdita Kicaj, pati theksuar se «më 27 maj 2016, trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Prizrenit – Departamenti i Krimeve të Rënda, shpalli aktgjykimin dënues në lëndën P. nr. 36/16. ndaj të akuzuarit me inicialet S.H. nga Suhareka, për shkak të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 parag. 1-2.1. të KP-së».

Mirëpo mbrojtja ka paralajmëruar paraqitjen e ankesës ndaj këtij aktgjykimi, që duhet të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit.

S.H., në kundërshtim me dispozitat ligjore për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme që është në pronësi të Komunës ka lidhur kontratën mbi dhënien e tokës ndërtimore në shfrytëzim të përkohshëm me qira, si përfaqësues i Komunës së Suharekës me një ndërmarrje po nga Komuna e Suharekës, me ç’rast kontraktuesit nga Suhareka i ka mundësuar dobi edhe atë shfrytëzimin e kësaj parcele kadastrale pa i ndjekur procedurat ligjore, thuhej në njoftimin e prokurorit të Shtetit.