Drejtori i Galerisë Kombëtare do të zgjidhet me konkurs publik

Anëtarët e Këshillit të Galerisë Kombëtare të Kosovës nuk kanë pranuar që të intervistojnë kandidatët që ia kanë mësyrë të bëhen drejtor të këtij institucioni.




Këtë vendim ata e kanë marrë duke konsideruar se konkursi i brendshëm, të cilin e kishte hapur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në fund të muajit gusht, bie në kundërshtim me dispozitat ligjore që e rregullojnë këtë çështje, shkruan sot Koha Ditore.

«Në mbledhjen e mbajtur për këtë çështje janë marrë disa vendime. Konkursin me karakter intern nuk mund ta marrim parasysh për shkak se bie në kundërshtim me bazën juridike që e rregullon këtë çështje. Ky konkurs e cenon frymën mbi të cilën frymon arti», ka thënë Adriana Sedaj, kryetare e Këshillit Drejtues të GKK-së.

Këtë vendim Këshilli e kishte marrë në ditën e 14-të të këtij muaji, pasi «Koha Ditore» kishte raportuar se konkursi i brendshëm për drejtor të GKK-së bie në kundërshtim me Ligjin për institucionet e kulturës dhe me vetë Statutin e këtij institucioni. Për këtë çështje Këshilli Drejtues i GKK-së, në të cilin përveç Sedajt bëjnë pjesë edhe Afrim Spahiu, Esat Valla, Ismet Jonuzi, Kimete Berisha, Luan Shllaku dhe Nexhat Krasniqi-Nekra, të premten e javës së kaluar ka pasur një takim me ministrin e Kulturës, Kujtim Shala.

«Ministri e ka lënë këtë çështje në dorën tonë. Ne po mendojmë ta gjejmë një emër për ushtrues detyre derisa të rregullohen procedurat për të hapur konkursin publik», ka thënë Sedaj.

Sipas saj, sot (e hënë) Këshilli do të vendosë se kush do të emërohet ushtrues i detyrës së drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, i cili do të mbajë këtë pozitë derisa të zgjidhet drejtori me mandat katërvjeçar.

Katër kandidatë ia kishin mësyrë pozitës së drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës nëpërmjet rekrutimit të brendshëm, për ta zëvendësuar Erzen Shkolollin, të cilit i përfundoi mandati katërvjeçar në fillim të këtij muaji. Ai u zgjodh në këtë post me konkurs publik.

Zethane Bahtiri, Vesta Nura, Ersin Shishko e Sami Piraj janë ata që pretendojnë të udhëheqin Galerinë Kombëtare të Kosovës për një mandat. Katër kandidatët janë punonjës të Ministrisë së Kulturës dhe të institucioneve vartëse të saj.