Drejtori i Departamentit të Kulturës të MKRS-së ndëshkohet për keqmanexhim

Drejtori i Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës, Kamuran Goranci, është gjetur përgjegjës për shkelje të rënda në punën që bën.




Goranci nuk do të qëndrojë më në zyrën e tij. Mund t’i ndërrohet edhe pozita që ka mbajtur deri më tash. Krejt kjo pasi Komisioni Disiplinor i MKRS-së në përbërje të Iber Alajt, Fatmire Sahitit e Fatmir Kastratit ka konstatuar një sërë shkeljesh gjatë ndarjes së subvencioneve në fushën e kulturës gjatë vitit 2014, shkruan sot «Koha Ditore».

«Për shkelje të rënda, serioze i shqiptohet masa disiplinore: Largim nga zyra dhe transferim në një lokacion tjetër me detyra të ngjashme dhe ndalimi i gradimit deri në dy vjet nga Komisioni Disiplinor», shkruhet në pikën e parë të vendimit të marrë nga Komisioni në ditën e 28-të të këtij muaji.

«Përzgjedhja e projekteve kulturore të vitit 2014 për OJQ-të dhe individët, nuk ka pasur vendim për komisionin profesional për vlerësimin e projekteve sipas konkursit të datës 16.12.2013», shkruhet në vendim. Sipas këtij dokumenti, të cilin Goranci e ka pranuar të mërkurën me t’u kthyer nga Zagrebi, shkruan se «të gjitha projektet e proceduara nga konkursi në implementimin dhe realizimin e projekteve përfituese, fletëshpenzim është cituar nga drejtori i Departamentit të Kulturës së rekomanduar nga komisioni vlerësues, i cili nuk është dëshmuar që ka pasur komision vlerësues me vendim». Anëtarët e Komisionit Disiplinor kanë theksuar në vendim se rekomandimi i datës 20.01.2014 për caktimin e komisionit për shqyrtimin dhe vlerësimin e projekteve nuk është protokolluar dhe vetë anëtarët e përfshirë në komision kanë deklaruar se nuk kanë shkresë zyrtare që ishin caktuar si anëtarë të Komisionit për vlerësimin e projekteve.

«Mungon lista e publikuar për projektet kulturore të përkrahura nga MKRS-ja dhe nuk është e protokolluar», shkruan në vendimin i cili është arsyetuar në provat e përmendura.

«Nga ajo që u tha më lart dhe nga analizimi i të gjitha provave, përkatësisht shkresave përkatëse dhe intervistave të zyrtarëve të Departamentit të Kulturës lidhur me shkeljet e supozuara, Komisioni ka përcaktuar shqiptimin e masës si në pikën 1 të dispozitivit të këtij vendimi», shkruan në vendimin i cili tashmë ka hyrë në fuqi pasi është nënshkruar nga tre anëtarët e Komisionit Disiplinor.

Njësia për auditim të brendshëm ka gjetur se pagesat e bëra për subvencione gjatë vitit 2014 janë në vlerë të 228 mijë eurove, përderisa borxhet e bartura për vitin 2015 janë 568 mijë euro. Gjetjet nxjerrin në pah se në vitin 2014 në disa raste ishin rritur shifrat e subvencionimit, duke bërë që për disa organizata kulturore të ndryshojë vlera financiare e përkrahjes midis listës së përfituesve dhe pagesave të bëra. Si rast për ilustrim, Komisioni Disiplinor ka marrë edhe shoqërinë kulturo-artistike «Agimi» ku në listë figuron të jetë vlerësuar për t’iu ndarë 2.500 euro, kurse në realitet është përkrahur me 7 mijë.

Sipas Njësisë së auditimit të brendshëm gjatë vitit 2014, 81 projekte ishin përkrahur jashtë konkursit, 10 në sektorin e diversitetit kulturor e 71 në atë të promovimit kulturor. Njëjtë ka vepruar edhe Kabineti i ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, i cili udhëheq MKRS-në prej dhjetorit të vitit të kaluar. Vlera monetare e projekteve të përkrahura jashtë konkursit për subvencione në fushën e kulturës është mbi 70 mijë euro vetëm në pjesën e parë të vitit.