Drejtori i Departamentit të Kulturës, para Komisionit Disiplinor

Kamuran Goranci një pjesë të orarit të punës të martën nuk e ka kaluar në zyrën e tij si drejtor i Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ka qenë i detyruar të paraqitet para Komisionit Disiplinor të MKRS-së.




Komisioni në përbërje të Iber Alajt, Fatmire Sahitit e Fatmir Kastratit e ka marrë në pyetje dhe ka kërkuar sqarime nga Goranci për procesin e subvencionimit me dhe pa konkurs të projekteve në fushën e kulturës për vitin 2014.

Nxjerrja e Gorancit për «t’u rrëfyer» para Komisionit Disiplinor është bërë nëpërmjet një shkrese të sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi. Nëpërmjet shkresës, Firzi i ka kërkuar udhëheqësit të Divizionit të personelit, Berat Hadri, që të iniciojë procedurën e «gjykimit» të punës së Gorancit, shkruan sot «Koha Ditore».

«Në bazë të procedurave të parapara me Ligjin për shërbimin civil, kërkoj që të inicioni në Komisionin Disiplinor rastin e Kamuran Gorancit. Çështjet për të cilat duhet t’i inicioni rastin janë të cekura në raportin e Auditorit të brendshëm të MKRS-së, faqe 5 nëntitulli ‘Të gjeturat’.

«Gjetjet» e përmendura në shkresë, Njësia e auditimit të brendshëm që kryesohet nga Bislim Gashi, i kishte konstatuar në muajin prill të këtij viti.

«MKRS-ja në një periudhë të gjatë kohore e gjithashtu edhe në vitin 2014 ka ndarë subvencione pa ndonjë rregullore të brendshme për këtë qëllim, pra pa procedura të shkruara», shkruan në raportin e Njësisë për auditim të brendshëm, një kopje të të cilit e ka gazeta. Sipas raportit, për përzgjedhjen e projekteve kulturore për vitin 2014 nuk ka pasur vendim për themelimin e komisionit profesional që do të vlerësonte projektet. Këtë punë e kanë bërë zyrtarët profesionalë, të cilët vetëm kanë shqyrtuar dhe kanë propozuar projektet për mbështetje.

Njësia për auditim të brendshëm ka gjetur se pagesat e bëra për subvencione gjatë vitit 2014 janë në vlerë të 228 mijë eurove, përderisa borxhet e bartura për vitin 2015 janë 568 mijë euro. Gjetjet nxjerrin në pah se në vitin 2014 në disa raste ishin rritur shifrat e subvencionimit.

Sipas Njësisë së auditimit të brendshëm gjatë vitit 2014, 81 projekte ishin përkrahur jashtë konkursit, 10 në sektorin e diversitetit kulturor e 71 në atë të promovimit kulturor.