Drejtësia vjen me vonesë për torturuesit e plakur të Rumanisë

Rumania sapo ka filluar të gjykojë ish-rojat e burgjeve politike të periudhës komuniste – dhe disa thonë se është shumë vonë për t’u vënë drejtësia në vend.

Burgu i shfarosjes në Rimnicu Sarat, ku shumica e politikanëve dhe intelektualëve të opozitës u burgosën nga 1954 në 1964 dhe ku ishte roje Alexandru Visinescu. Foto: IIÇMER.



Ion Ficior, një ish-guardian i kampit të punës së detyruar në Peripravë, në veri të Deltës së Danubit, ishte 87 vjeç kur u dënua në 2015 me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit të kryera në 1959-1963.

Prokurorët thanë se gjatë kohës që ai mbante detyrën 103 persona vdiqën në kamp nga të rrahurat, tortura, uria ose u lanë të vdisnin nga sëmundjet infektive, teksa regjimi komunist u përpoq të hiqte qafe kundërshtarët.

Megjithatë, duke cituar moshën e vjetër dhe faktin se kishte kaluar më shumë se gjysmë shekulli që kur u kryen krimet, Ficior e apeloi dënimin. Gjykata e Lartë do të lajmërojë vendimin e saj të mërkurën më 29 mars.

Ficior ishte i dyti ish-guardian burgu i ndjekur penalisht për krime kundër njerëzimit të kryera nën regjimin komunist rumun.

Alexandru Visinescu, roja i burgjeve Rimnicu Sarat dhe Jilava u dënua me 20 vjet burg në korrik 2015.

Të dy ish-guardianët u ndoqën penalisht pasi një institut i financuar nga shteti, i cili merret me zbulimin e krimeve të kryera gjatë regjimit komunist 50-vjeçar, paraqiti çështjet me provat e nevojshme në zyrën e prokurorit.

Instituti për Hetimin e Krimeve Komuniste dhe Kujtesën e Rumunëve në Mërgim, IIÇMER u themelua në 2005.

Që atëherë ai ka dorëzuar 35 raste zyrtare kundër rojeve të burgut të cilët mbajnë përgjegjësi për vdekjen e qindra të arrestuarve politikë gjatë viteve 1950 dhe fillimit të viteve 1960, përpara Gheorghe Gheorghiu-Dej – regjimi i të cilit i parapriu atij të Nikolai Çausheskut – të mbyllte burgjet politike.

Disa nga çështjet janë ende nën hetim, disa janë në gjyq dhe 12 kanë ndaluar prej kufizimeve ose mungesës së provave të duhura.

Drejtësia vjen vonë për krime të kryera kohë më parë:

Një çështje lidhet me Gheorghe Enoiun, hetuesin i cili ka punuar në burgun e drejtuar nga policia sekrete, Securitate, në vitet 1950.

Ai dyshohet se ka torturuar të rinjtë për lidhjet e tyre të dyshuara me kryengritjen e vitit 1956 në Hungari. Enoiu vdiq në vitin 2010, para se gjyqi t’i fillonte.

Prokurorët e kanë ngritur aktakuzën e tyre të fundit në fillim të marsit, ku i dyshuar është Marian Petrescu, ish-drejtori i burgut Galati, i cili akuzohet për vrasje të 102 të burgosurve politikë nga viti 1959 deri 1961.

Por, ndërsa historianët në IIÇMER gjejnë skelete në burgjet e dikurshme apo ish-kolonitë e punës së detyruar, disa politikanë, aktivistë dhe ekspertë janë të pakënaqur që u deshën tre dekada pas rënies së komunizmit për të zbuluar krimet e kryera 60 apo 70 vjet më parë.

Disa analistë pyesin nëse është vënë në vend drejtësia pas gjithë kësaj kohe, edhe pse të burgosurit tani janë njerëz shumë të moshuar.

Ish-presidenti Emil Constantinescu i Rumanisë, kreu i Fondacionit Rumun për Demokraci, tha në një debat të hënën e kaluar, organizuar nga IIÇMER, se problemi është se regjimi komunist i Rumanisë kurrë nuk ishte nxjerrë në të vërtetë para gjyqit, gjë që sipas tij do të kishte ndihmuar që vendi të përballet me krimet e ish-regjimit.

Pa këtë proces, vendi nuk mund ta gjejë vendin e vet në Europë, të rikthejë dinjitetin te njerëzit dhe të zbulojë të vërtetën ndaj viktimave, tha ai.

«Gjyqi i komunizmit është moral dhe nuk ka ndodhur ende, unë nuk shoh shenja që ai dëshirohet», tha ai me keqardhje.

«Heshtja që ka mbuluar krimet e komunizmit për tre dekada nga rënia e tij është zhgënjyese dhe e turpshme», shtoi ai.

Regjimi i ri i ngritur për të shkatërruar elitat e vjetra:

Pasi Partia Komuniste mori pushtetin në Rumani në vitin 1946, regjimi i ri u angazhua në një spastrim të dhunshëm të elitave të vjetra politike. Partia Liberale Kombëtare dhe Partia Fshatare u bënë të jashtëligjshme dhe shumica e politikanëve të tyre u futën në burg.

Pasi famëkeqi Securitate mori jetë në vitin 1948, burgjet rumune u mbushën me të burgosur politikë të dënuar për “komplot kundër rendit shtetëror”.

Sipas një raporti të IIÇMER, 44 burgje politike dhe 72 kampe pune të detyruar operuan në Rumani nga viti 1954 në 1964.

Ndër të tjera, ata janë përdorur për të «riedukuar» të burgosurit përmes torturës, duke i detyruar ata të ndryshojnë pikëpamjet e tyre politike që të bëhen komunistë të bindur.

Ka pasur edhe «burgje të shfarosjes», ku aktivistë politikë nga partitë opozitare dërgoheshin për të vdekur, si dhe kampe pune si ai ku u mbajtën të burgosurit të cilët gërrmuan kanalin e Danubit.

Ka pasur edhe burgje hetimi, burgje tranzit dhe burgje të grave.

Historianët thonë se numri i saktë i njerëzve që vdiqën në burgjet politike të Rumanisë nga viti 1945 deri në vitin 1989 është vështirë të thuhet.

IIÇMER ka marrë 90.000 dosje të të paraburgosurve, por numri i vërtetë mendohet të ketë qenë shumë më i lartë.

Ata thonë se këto dosje flasin për 3847 vdekje nga 1945 deri në 1964, por duke pasur parasysh përpjekjet e regjimit për të fshehur përmasat reale të spastrim, ky numër mund të jetë shumë i ulët.

Një komision presidencial i themeluar për të studiuar diktaturën komuniste doli me një raport në vitin 2006, ku thuhej se mbi 600.000 rumunë u dënuan për krime politike nga 1945 në 1989.

Raporti thoshte se besonte të ekzistonin rreth 2 milionë viktima politike në total, pasi disa njerëz u dënuan për krime të vogla për të fshehur shkallën e dimensionit spastrimit.

Viktima u bë torturues dhe torturuesi viktimë:

Lavinia Betea, profesore e psikologjisë sociale dhe autore e disa librave mbi ish të burgosurit politik dhe historinë e kohëve të fundit të Rumanisë, thotë se shumica e këtyre krimeve duhet të shihen në kontekst.

Shumë komunistë kishin hequr të njëjtin trajtim nën regjimin fashist të Ion Antoneskut dhe tani donin të trajtonin fashistët dhe aleatët e tyre politikë në të njëjtën mënyrë, sipas Betea.

Regjimi fashist në vitet 1940 gjithashtu kishte burgje për shfarosje, si Doftana, ku Çaushesku – i cili udhëhoqi Rumaninë dhe partinë komuniste nga 1967 deri kur ai dhe gruaja e tij u gjykuan nga një gjykatë ushtarake dhe u ekzekutuan në vitin 1989 – që operoi për gjashtë vjet.

«Me ndryshimin e regjimit politik, viktima u bë torturues dhe torturuesi u bë viktimë», shpjegoi Betea.

Ajo theksoi nevojën për të qenë i kujdesshëm në hetimin e krimeve të kryera 60 apo 70 vjet më parë sepse ligji dhe shoqëria kanë ndryshuar dhe gjithashtu provat mund të jenë të pakëta.

«Duke parë me kujdes se si gjërat funksiononin në atë kohë, kupton se mekanizmat ishin shumë të prishur», theksoi ajo.

«Kishte disa njerëz që bënin pjesën e tyre të punës, të gjithë duke ndjekur urdhrat dhe ishte shumë e vështirë të gjeje se kush e dha urdhrin», theksoi Betea.

Nga kërkimi i saj, ajo arriti në përfundim se shumica e rojave dhe gardinanëve në vitet 1950 pranonin punën sepse kishin diçka për t’i provuar regjimit: ose kishin rrënjë të «pashëndetshme» ose kishin qenë në kontakt me organizata fashiste në rini. Me ndryshimin e regjimit, ata ndjenin nevojën të ishin të zellshëm dhe ambicioz.

Por dilema më e vështirë beson ajo që u duhet rumunëve të zgjidhin është nëse po vihet në vend drejtësia kur dikush i moshës 80 ose 90 vjeçare burgoset me 20 vjet.

«Është e vështirë të bësh drejtësi pas gjithë kësaj kohe, ta ndash botën në të mirë dhe të keqe. Ata janë të gjithë pleq tani, të cilët do të marrin kujdes më të mirë në burg sesa në azilet e Rumanisë. Cilit synim i shërben kjo?» përfundoi ajo.

(https://www.reporter.al/drejtesia-vjen-me-vonese-per-torturuesit-e-plakur-te-rumanise/)